Evolucioni i terrorit dhe gjashtë mesazhet e Barcelonës

Speciale

Evolucioni i terrorit dhe gjashtë mesazhet e Barcelonës

Më: 20 gusht 2017 Në ora: 06:59
Barcelona

Masakra e Barcelonës na dërgon gjashtë mesazhe.

I pari. Shteti Islamik është një grabitqar mutant dhe i adaptueshëm. Kështu ringrihet, edhe falë nismave të protagonistëve të sulmeve. Së bashku me veprimet individuale – por jo të vetmuara – rritet celula e organizuar hibride. Një grup elementesh, jo gjithmonë të stërvitur, nganjëherë amatorë, që nisen për të sulmuar.

Terroristë pa aftësinë guerilase të atyre që goditën në Paris, por që po përpiqen t’i imitojnë ata, me armët që kanë. Hedhja në erë e vetvetes, automjete dhe thika të zakonshme, si në Tuku (Finlandë). Në qytetin katalanas ata synonin të përdornin bombula gazi në furgona. Është një evolucion që e kemi parë në disa episode në Francë dhe në Britaninë e Madhe, e që ka gjasa të bëhet tendencë. Ndoshta me më shumë metoda shkatërrimtare. Ekziston një ambicie kriminale dhe politike. Mbetet për të parë nëse e gjithë kjo vjen nga idetë e “shtëpisë mëmë”, apo është sipërmarrje e individëve që duan t’ua kalojnë pararendësve. Kjo do të thotë që panorama mund të ndryshojë përsëri.

I dyti. Bërthama përbëhet nga vëllezër, bashkëpunëtorët dhe miq. Ata shpesh kanë rekorde kriminale për krime të zakonshme. Shpesh grupi është lokal, i lidhur me një vend të caktuar ku jetojnë, punojnë, gjejnë mikpritje. Pastaj bëhet i lëvizshëm. Lidhja familjare është mbrojtja më e mirë kundër infiltrimit, lidhja e gjakut shoqëron radikalizimin e shpejtë. Nuk ka asgjë të paravendosur.

I treti. Vendosmëria vlen më shumë se çdo gjë. Ata duhet të veprojnë gjithësesi. Shkatërrimi i bazës në Tarragona nuk i pengoi, por i shtyu që të shkojnë me furgon në Ramblë. Të tjerë u përplasën me policinë në Cambrils. Ata duket se kanë gati plane alternative. Sepse, siç predikon Kalifati, gjëja më e rëndësishme është të ecim përpara, dhe rezultatet do të vijnë. Është i njëjti modus operandi i vënë në zbatim në Aeroportin e Brukselit, vetëm se në atë rast ata kishin të fuqishmen “Mëmën e Satanait”, një përzierje vdekjeprurëse e bërë në shtëpi.

I katërti. Ekziston shembulli i muxhahedinit që vepron në Siri dhe Irak. Disa militantë “spanjollë” mbanin rripa të rremë shpërthyes: ata donin të trembnin policinë, por edhe të vriteshin duke veshur simbolin e kamikazeve. Një ngarkesë vetëvrasëse. Në fakt, këto misione janë flijime dhe nuk kthehen në shtëpi. Sërish: ky është një fenomen që përsëritet shpesh në qytetet evropiane. Kjo është një mënyrë për të vazhduar idenë e shahidit, të martirizimit. Ka nga ata që aktivizojnë bandën dhe që sulmojnë një ushtar, i cili kundërvepron. Shteti Islamik mund të përdorë sakrificën e tyre si një shembull për propagandë, të tjerët do të imitojnë dhe do të prezantojnë variante operative, ndoshta me kosto të ulët, të cilat e vështirësojnë detyrën e policisë. Është një rregull me përjashtime, pasi ka edhe nga ata që largohen.

I pesti. Kurrë mos e nënvlerëso armikun. Nuk ka të bëjë me masakrën e së enjtes, por është e rëndësishme të kujtohet kjo gjë. Vetëm pak ditë më parë në Australi u parandalua një sulm mbi një avion pasagjerësh, i planifikuar nga Siria nga një drejtues i ISIS. Një figurë në gjendje të dërgonte deri në Sydney, me postë ajrore, eksploziv ushtarak. Histori kjo, që konfirmon shumëllojshmërinë e rreziqeve dhe kontrollin “prej së largu” nga Shteti Islamik.

I gjashti. ISIS, më shumë se al Kaeda, i ka përgatitur militantët e vet me mitin e humbjes dhe vdekjen e mundshme të Kalifit. Humbja e Mosulit apo Raqqas duhet të përdoret për të shtyrë militantët të hakmerren. Rënia e bastionit nuk është fundi, por fillimi. Fjalë që shërbejnë për të mobilizuar mbi të gjitha ekstremistët e mbetur në Lindjen e Mesme. Lufta nuk do të përfundojë shpejt. / Corriere della Sera – Bota.al

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat