Gra të jashtëzakonshme…që nuk arritëm t’i njohim! - Bota Sot
Gra të jashtëzakonshme…që nuk arritëm t’i njohim!

Speciale

Gra të jashtëzakonshme…që nuk arritëm t’i njohim!

Më: 8 mars 2018 Në ora: 11:57
Foto Adem Jashari me bashkshorten

Lanë pas vetëm hirin e tyre. Domethënien e flijimit. Dashurisë dhe detyrës për kombin. Zahidja,  Zarifja,  Adilja, Hidajetja, Valdetja, Igballja, Feridja, Selvetja, Afetja, Lirija, Fatmija, Blerina, sa shumë të tjerë mungojnë këtu… Flatra këtë numër ia dedikon një speciale heroinave që nuk arritëm t’i njohim, por që sakrifikuan njëjtë si burrat e familjes Jashari. Jam i sigurt që do të pyesni pse?!  Sepse unë isha një ndër ata që kur më pyetën për emrin e gruas së heroit legjendar të Kosovës, Adem Jasharit, nuk e dija…Do ta kisha të lehtë të më pyesnin për atë, heroin tonë, Ademin, të cilit ia di ditëlindjen, çdo betejë, gjithçka që rrethonte atë burrë. Për gruan e tij, nuk dija asgjë, absolutisht asgjë, madje as emrin….në kujtesën tonë kolektive nuk kemi arritur ta memorizojmë as emrin e saj. Ajo quhej Adile. Për të gjithë ata që nuk e dinë, një grua e jashtëzakonshme, që i qëndroi afër në çdo çast heroit legjendar, duke dhënë jetën së bashku me të në altarin e lirisë. Prandaj vendosëm të bënim një sondazh me njerëz të ndryshëm, akademikë, politikanë, qytetarë të  zakonshëm “Si quhej gruaja e Adem Jasharit?”. Kemi pyetur mbi 100 persona, dhe vetëm 4 prej tyre e kanë ditur emrin e saj…Unë jam i sigurt, që ashtu si u ndjeva unë në ato momente kur ma drejtuan këtë pyetje, dhe shumë nga të intervistuarit tanë u përshkruan nga e njëjta ndjenjë… Të mos i dish as emrin….Gruaja e komandantit legjendar Adem Jashari, është vetëm një nga mijëra të rënë në luftën e fundit në Kosovë.  Shoqëria jonë sikur shfaq ende doza “patriarkale” kur bëhet fjalë për gratë. Ne kemi dëgjuar shumë, kemi vlerësuar shumë, u jemi përkulur vazhdimisht veprave të shumë heronjve, dëshmoreve, martirëve dhe gjithsecilit, që ka kontribuar për lirinë tonë, por shpesh herë kemi harruar tu përkulemi atyre qindra femrave që janë dhunuar në luftën e fundit, atyre femrave tjera heroina që kanë luftuar dhe kanë kontribuar në çfarëdo mënyre në kohën e luftës krah për krah me burrat apo edhe djemtë e tyre.  20 vite pas ne nuk e dimë emrin e një heroine që dha jetën pranë burrit të saj duke luftuar! A do të rrezikonte kjo që shumë histori dhe ngjarje të shuhen, të mbesin të errta dhe të pathëna?

 

Në kujtim të 12 grave dhe vajzave Jashari

Në kujtim të qindra grave shqiptare që në këtë 8 Mars, duhet të festonin së bashku me ne…..

“Isha në Gjermani, nuk mbaj mend se kush më lajmëroi në telefon, gjithçka mu errësua, më kumbonte vetëm një zë që më thoshte se pas tri ditësh rrethim 20 anëtarët e familjes sonë ishin vrarë…”, kështu e nisë rrëfimin e tij ekskluzivisht për revistën Flatra, djali i heroit legjendar, Lulëzim Jashari. Po e prisja në një nga kafenetë e periferisë së Prishtinës, larg qendrës, sepse fëmijët e njerëzve të mëdhenj kanë të trashëguar madhështinë e të qenët të thjeshtë. Nuk e kisha takuar asnjëherë më parë dhe ndjenja e pritjes bëhej edhe më emocionuese. Të takoja pasardhësin. Sytë, flokët, i gjatë sa ai…një cigare në dorë dhe hapa të ngadaltë…ishte njëjtë si ai, mungonte vetëm mjekra dhe veshja ushtarake e të atit. Lulëzimi më zgjatë dorën, më përshëndet dhe më falënderon….për nënën e tij është shkruar kaq rrallë, edhe  më pak për gratë e tjera të kësaj familje, disa rreshta për gjyshen e tij, Zahiden, që aq shumë e donte. “Nëse do të më duhet të rrëfej për gratë e familjes sime, pa diskutim që duhet t’ia nisë nga ajo, gjyshja ime Zahidja, ka qenë një grua e zonja, fjala e së cilës është dëgjuar gjithmonë. Ndërsa nëna ime ishte nusja e vogël e familjes Jashari, gjithmonë në mbështetje të vendimeve që merrte babushi (kështu e kam thirr gjithmonë Ademin). Të gjitha në familjen tonë kanë mbështetur në çdo çast e veprim babushin dhe balin Hamëz…ato e dinin për detyrën që kishin ata ndaj kombit. Kështu që asnjëherë nuk kanë diskutuar që të largoheshin nga shtëpia apo Kosova. Unë e di që është folur shumë pak për gjininë femërore të familjes sonë, e ne e kemi një pjesë të fajit, por ka qenë gjithmonë ideja se kur flitej për Adem Jasharin, ke folur për të gjithë ata, ka qenë një emër që ka përfshirë edhe dëshmorët e Kosovës”- tregon Lulëzimi. Ashtu si shumë familje tradicionale shqiptare, edhe në familjen Jashari kishte një harmoni dhe organizim mes anëtarëve, pasi që jetonin në bashkësi. “Kur ju më pyesni për nënën time se si e kujtoj, më vijnë ndërmend të gjithë ata, gjyshja, Hidajetja, gruaja e Rifatit, Feridja, gruaja e Hamzës, sepse raporti ishte aq i afërt sa me nënën time. Ne jetonim të gjithë së bashku, edhe djemtë e vajzat e xhaxhallarëve të mi ishin si vëllezërit dhe motrat e mia, i kisha të gjithë njësoj. Ne kemi qenë një familje e madhe, ku gratë ashtu si në çdo familje, jepnin kontributin e tyre, në mirëmbajtjen e saj, në çdo punë që ka një shtëpi, gjithashtu kemi pasur shumë miq, të cilët vinin shpesh në familjen tonë, në çdo orë, qoftë ditë apo natë, dhe gratë e familjes sonë kanë qenë gjithmonë mikpritëse”, kështu kujton ai,shkruan Flatra. 

5 marsi…kthesa historike

Gjithmonë kanë qenë të përgatitur, sidomos pas rrethimit të parë që iu bë familjes së tyre në 1991, se rrugë mbrapa nuk kishte. Atëherë si gratë po ashtu edhe fëmijët shpirtërisht e dinin që ky rrethim mund të përsëritej dhe se ndoshta nuk do të ishin me fat si herën e parë… “Ishte data 22 janar, 1998, nuk ka pasur rrymë, ka qenë muaji i ramazanit, dhe pas syfyrit, bali Hamëz ka shkuar në dhomë, Feridja së bashku me dy vajzat Blerinën dhe Fatimen, zbritën për të gatuar bukët… kanë dëgjuar disa zëra serbisht në oborr, që jepnin urdhra se kë do të gjeni brenda gjalle vriteni… Babgjyshi ka qenë në odë me djemtë, atëherë ua ka kthyer pushkën, dhe filloi një luftim rreth 15 minuta, dështuan dhe u tërhoqën, mbetën të plagosura vetëm Selvetja dhe Ilirjana, të tjerët nuk pësuan asgjë. Babushi, Ademi nuk ka qenë atë datë në shtëpi”- tregon Lulëzimi.  Kjo ishte fitorja e madhe në Prekaz, jehoi kudo që Jasharët luftuan dhe fituan…të gjithë ishin aty, burra, gra dhe fëmijë, të gjithë rezistuan dhe fituan derisa po vinte marsi, marsi i luleve të ftohta…gjëma e madhe e shqiptareve, njëkohësisht heroizmi pashembullt i një familjeje shqiptare. ““E di që ka ende shumë njerëz që pyesin pse nuk i larguan gratë dhe fëmijët nga shtëpia?! Ta bësh gjithë atë rrugë të jetës së bashku dhe në ato momente të largohesh nga shtëpia jote, nga familja e më të dashurit, nuk pajtohej askush në familjen tonë, ne ishim rritur me atë frymë se të gjithë do të ishim bashkë edhe nëse do të na duhej të vdisnim për Kosovë. Të gjithë kanë qenë të përgatitur se do të vinte ajo ditë…si tregon më pas Bashkimi dhe Besarta, askush nga ata anëtarë që ishin në shtëpi për tri ditë me radhë të rrethuar nga qindra forca serbe nuk lëshoi asnjë zë, asnjë ankesë asnjë pendim pse kishin marrë atë vendim…Madje Bashkimi na rrëfente sesi në mëngjes, nën breshërinë e plumbave dhe granatave, gratë përgatisnin mëngjesin, ndihmonin burrat…Babushi gjithë kohës ka qëndruar afër tyre, grave dhe fëmijëve, sipas Bashkimit, nëna ime u vra e para….më 5 mars, në mëngjes, rreth orës 8…nëna ka qenë me babushin dhe vëllain, Kushtrimin, 13 vjeç, te dhoma e gjumit, kanë marrë armatime, dhe duke zbritur poshtë nëpër shkallë, për të shkuar te dhoma e ndenjes ku ishin të tjerët. E ka marrë babushi e ka futur nënën brenda në pjesën ku ka qenë kuzhina, e kanë mbuluar dhe e kanë lënë aty…Asnjë, edhe pas vrasjes së nënës sime, nuk u ndje një zë. Babushi, sipas Besartës, u thoshte vazhdimisht mos u frikësoni, se ne do të fitojmë, forcat serbe do të largohen edhe pak…u jepte kurajo”, – përfundon rrëfimin e tij, djali i Ademit dhe i Adiles. Ai nuk ishte atje fizikisht, por zemra i rrinte pezull ato ditë mbi Prekaz, afër nënës, babushit,  vëllezërve, motrave, gjyshes, grave të axhallarëve dhe balit Hamëz… Ndërsa të gjithë këta, një e nga një pjesëtarët e familjes Jashari po binin heroikisht ato ditë marsi, pa bërë zë, ashtu në heshtje, si dinë vetëm ata që flijohen për atdhe. Duke pasur vetëm një dëshmitare deri në fund të të gjithnjë asaj që ndodhi, Besartën, vajzën e Adem dhe Adile Jasharit, ndërsa më herët kishte arritur të çante rrethimin Bashkimi. Në atë mars të ftohtë, në atë shtëpi, ku hodhën themelet e lirisë dhe pavarësisë së shqiptarëve të Kosovës, u vranë 20 persona dhe 12 prej tyre ishin të gjinisë femërore. Mjaftojnë këto faqe për të shkruar rreth tyre?! Natyrisht që jo, sepse secili emër ka një histori, një kontribut të veçantë për këtë që kemi sot. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test