Rugovizmi dhe kapadaizmi, azganizmi ynë - Bota Sot
Rugovizmi dhe kapadaizmi, azganizmi ynë

Speciale

E mërkurë, 17 tetor 2018

Rugovizmi dhe kapadaizmi, azganizmi ynë

Nga: Dr. Sadik Elshani Më: 24 shtator 2018 Në ora: 13:39
Dr. Sadik Elshani

Që në fillim duhet theksuar se paraqitja e dr. Ibrahim Rugovës në skenën politike të Kosovës ishte një dukuri e paparë gjer atëherë ëe hapësirën shqiptare dhe atë ballkanike. Gadishulli që kishte përjetuar drama, tragjedi njerëzore, luftëra e dhunë të pandërprerë, thuaja gjatë tërë historisë së tij, nuk ishte mësuar të ndeshej me një qëndresë (rezistencë), lëvizje paqësore. Por ja që dr. Ibrahim Rugova solli diçka të re, solli nëe qasje të re, rezistencën paqësore, rezistencën këmbëngulëse burrëore - zgjodhi forcën e parimeve të larta morale mbi forcën e vrazhdë fizike. E mospërfillën pushtuesin, e refuzuan nënshtrimin dhe ngritën institucionet, shoqërinë paralele. Shqiptareë të cilët ishin rritur me trimëritë e Ciklit të Këngëve të Kreshnikëve, Gjergj Elez Alisë, bëmat e Skenderbeut, tani po provonin diçka ndryshe, diçka të re, diçka që nuk e kishin provuar kurrë më parë. Edhe dr. Rugova qysh nga lindja e kishte përjetuar fatin e rëndë të Kosovës, sepse sapo kishte lindur ai, çetnikët serbë ia kishin vrarë babain dhe gjyshin. Ai ishte rritur duke i dëgjuar këto histori dhe shumë histori të tjera të dhimbshme që ka përjetuar populli ynë. Pa dyshim, edhe ngjarjet e Vitit të Madh 1968 do të kenë lënë gjurmë në ndërgjegjen, kalitjen e karakterit të studentit të atëhershëm, Ibrahim Rugova. Me strategjinë, filozofinë e tij politike e kishte projektuar pavarësinë e Kosovës, qëllimin përfundimtar, ëndrrën e popullit të Kosovës. Pra, ky është rugovizmi: filozofia politike, strategjia e dr. Ibrahim Rugovës për të arritur pavarësinë e Kosovës. Armiku ynë, siç kishte bërë gjithmonë, zgjodhi rrugën e dhunës, rrugën e krimit, gjenocidit. Barbarizmi nuk mund ta përqafojë qytetërimin dhe vërtet ështeë shumë e vështirë ëe barbarizmi të luftohet, mposhtet me mjete paqësore. Por, kohërat tani kishin ndryshuar, Europa dhe bota përparimtare ishin zgjuar nga indiferenca e tyre, sepse armiku ynë, dikur miku i tyre, e kishte mbushur kupën me krimet e tyre barbare e çnjerëzore.  Dr. Rugova ishte bërë simboli, flamuri i kësaj lëvizje dhe me forcën e personalitetit, intelektualizmit të tij e bëri të ndjeshme, e ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës, e gëzoi përkrahjen dhe mbështetjen e demokracive, fuqive më të mëdha botërore. Por, çka është edhe më e rëndësishme, ai e gëzonte përkrahjen, dashurinë, respektin e pakufishëm të popullit të vet. Udhëheqësi i zgjedhur në mënyrë demokratike që e gëzon respektin dhe përkrahjen e popullit të vet, do ta gezojë edhe përkrahjen, mbështetjen e botës përparimtare. Qyteterimi europian e botëror që i mbështeti, që i përqafoi vlerat e larta intelektuale e njerëzore të këtij biri të Nënë Terezes, sikur u pajtua që të bënte diçka për popullin, vendin e këtij njeriu që mishëronte paqen, mirëkuptimin, harmoninë në mes të popujve dhe jo dhunën. Me përkrahjen ndërkombëtare, luftën e Natos dhe të shqiptarëve, kjo qasje e re solli diçka që nuk kishte mundur të realizohej më herët - solli pavarësinë e Kosovës. Të mos harrojmë se shqiptarët e Kosovës vazhdimisht kanë luftuar për lirinë dhe pavarësinë e tyre, Kosova ka patur burra shumë më trima e më të zotë se “komandantët” rrahagjokës: Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Azem Galica, Shaban Polluzha e shumë të tjerë, por ja që nuk munden t’i arrinin synimet e tyre. Nuk ka nevojë që të zgjatemi më tepër këtu se të tjerat i ka thënë dhe do t'i thotë historia.

Dr. Rugova nuk ishte një Shenjt, njeri i përkryer, por ishte udhëheqësi i duhur, në kohën e duhur, në çastin vendimtar, në vendin e duhur. Kishte shumë kohë që vendi ynë e priste një prijës të tillë, të mençur e guximtar. E quajtën Gandi i Ballkanit. por ai ishte edhe Moisiu i Ballkanit, Moisiu i shqiptarëve. Ai nuk i priu popullit të tij drejt tokës së premtuar, sepse ata ishin në tokën e premtuar, në tokën e tyre - ai i priu popullit drejt fitores së lirisë, heqjes së prangave të robërisë shekullore. Iishte i begatuar me tipare shumë njerëzore, kurrë nuk e ka fyer askend, nuk e ka sharë askend, nuk e ka kërcënuar askend, nuk ka folur keq për askend, edhe pse të tjerët e sulmonin vend e pa vend. Nuk ishte një udhëheqës mendjemadh e fjalëbosh, por gjithmonë i qetë, një intelektual i brumosur me ndjenjat e atdhedashurisë dhe i edukuar me një frymë liberale përendimore, i armatosur me forcën e argumentit, të vërtetës, fakteve – shembëllturë e intelektualit të angazhuar.  I kishte ngarkuar vetes një qëllim, një mision të lartë e fisnik: të mos merrej me të tjerët, por vetëm me çështjet, interesat madhore të Kosovës dhe të kombit tonë. Këtë mund ta bënte vetëm një intelektual, humanist me shpirt fisnik e zemër të gjërë si dr. Rugova, njeri që me veprat e tij: "Strategjia e kuptimit" (1980), "Vepra e Bogdanit" (1982), "Refuzimi estetik" (1987), kishte sjellë një qasje të re edhe në fushën e kritikës, studimeve letrare dhe të mendimit kombëtar. U ngrit mbi nivel, gjithmonë i matur, i mirësjellshëm: "Qetësia cmohet tepër edhe në diplomaci. Kurrë nuk duhet të flasë njeriu me një fjalor të rëndë, me një arsenal fjalësh që ka shtypi, gazetat. Është edhe një parim tjetër: kurrë nuk duhet paraqitur as vajtues as eksploziv. Duhet shtruar gjërat ashtu siç janë. Pra, nuk duhet imponuar, nuk duhet të jesh emocional, as ekskluziv, as të urrehen popujt e tjerë". Cili nga politikanët tanë të sotshëm i përmbahet këtij parimi themelor e kaq të domosdoshëm për të komunikuar me njëri - tjetrin në mënyrë të qytetëruar e njerëzore.

Dhuna, kapadaizmi, azganizmi në shoqërinë shqiptare

Ka shumë rrahagjokës që ende jane duke e kritikuar rrugën e tij paqësore, që nuk ishte nënshtruese, por sfiduese, këmbëngulëse, formoi një shoqëri të qytetëruar, ndërtoi një shtet paralel, si  përmendëm më lart, dhe që u kurorëzua me fitore. Por, në hapësirën shqiptare dhe atë ballkanike gjatë gjithë historisë ka patur vetëm dhunë. Në shoqëritë ku mbizotëron kulti i ekzagjeruar i mashkullit, ëe shoqëritë “macho”, në shoqëritë ku njerëzit vuajnë nga sindromi i heroit, njerëzit e urtë, të mençur e të sjellshëm si dr. Rugova, quhen frikacakë, tuca. Përkundrazi, është e kundërta. Bukur e ka thëë shkrimtari libanezo – amerikan, Khalil Gibran (1883 – 1931): “Sjellja e mirë dhe të qenit njerëzor, nuk janë shenje e dobësisë dhe dëshpërimit, por manifestojnë fuqi dhe vendosmëri”. Rrahagjokesat duhet ta dinë se Kosova nuk kishte ushtri, tanke, aeroplanë – forcat tona ishin shumë të pabarabarta me ato të armikut tonë. Duhej hulumtuar, gjetur një rrugë tjetër. Ne patëm kohe për njëqind vjet që të çliroheshim, por nuk mundem vetëm me forcat tona, duhej një përkrahje, ndërhyrje ndërkombëtare.

Dhunen, azganizmin dhe kapadaizmin në shoqërinë shqiptare bukur e ka karakterizuar shkencëtari, shkrimtari e diplomati, Eqrem bej Vlora (1885 – 1964) në librin e tij, “Kujtime, 1885 – 1925”: “Shqiptari ka prapa një traditë mijëvjeçare kapadaillëku dhe dhune, ndaj edhe heronjtë e udhëheqësit e tij nuk mund t’i parafytyrojë ndryshe, vecse të pajisur me këto veti. Këngë popullore nuk u këndon mendjelartëve, shpëtimtarëve, zemërdhembshurve, por e mburr hakmarrësin, trimin, te pamëshirshmin, të dhunëshmin dhe intrigantin”. Pra, edhe sot, dhuna në shoqërinë dhe skenën politike shqiptare është mjaft e pranishme, madje e tolerueshme, që manifestohet në sjelljet dhe veprimet e politikanëve tanë: fyerje, sharje, rrahjet në parlament dhe në studiot televizive, dhuna në shoqëri e familje. Udhëheqësit tanë, përfshirë edhe kryeministrin, shpesh përdorin gjuhën e dhunës, forcën e muskujve dhe jo gjuhën e arsyes, forcën e mendjes, argumenteve. “Mjerë ai vend ku përçmohen mendjet e lartësohen muskujt” – ka thënë shkrimtarja italiane, Sveva Casati Modignani (1938). Për fat të keq, ai vend është vendi ynë. Prandaj, nuk është aspak për t’u habitur se në një shoqëri, vend të tillë ende ka njerëz në pozita politike dhe nëpër institucionet shtetërore, kulturore e akademike që mundohen ta përdhosin veprën e dr. Ibrahim Rugovës.

Periudha e ndritur e Rilindjes sonë Kombëtare dhe veprimtaria e lëvizjes së dr. Rugovës janë dëshmi të qarta se, asnjë qëndresë e armatosur nuk mund të jetë e suksesshme pa patur përkrah një lëvzje të drejtë e të fortë politike, gjithëpërfshirëse dhe mbarëkombëtare, që gëzon edhe përkrahjen e gjërë ndërkombëtare. Intelektualët nuk duhet të heshtin përpara sfidave të vështira që po kalon Kosova e kohëve të fundit - nuk duhet të bëhen peng i politikës së ditës dhe të ambicieve të tyre të sëmura për pushtet, duke e përçarë popullin, madje duke nxitur edhe dhunë. Ngjarjet e kohëve të fundit në Kosovë janë duke pasqyruar qart se Kosovës sot po i mungon një intelektual, një politikan i kalibrit të dr. Rugovës. Po ndihet dukshëm mungesa e prijësit emblematik të Kosovës, udhëheqësit që rrezatonte vlera kombëtare e mirësi njerëzore. Njerëzit si dr. Rugova rrallë paraqiten në jetën publike e politike të një vendi, një populli të vogël dhe kam frikë se për një kohë të gjatë nuk do të kemi një njeri të përmasave, autoritetit të tij.

Në figurën e dr. Ibrahim Rugovës politikanët shqiptarë e kanë një shembull të mirë për ta ndjekur. “Finis coronat opus” (fundi e zbukuron veprën) kanë thënë latinët e vjetër – vetëm shikone ceremoninë e varrimit të dr. Rugovës. Në kohën e dr. Rugovës Kosova ndryshe trajtohej e jo si sot, qe dita ditës është duke rënë poshtë e me poshtë përkrahja e saj ndërkombëtare.

 është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro - amerikane.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test