CIA në vitin 1951: Agjentët shqiptarë na dërgojnë raporte false - Bota Sot
CIA në vitin 1951: Agjentët shqiptarë na dërgojnë raporte false

Speciale

CIA në vitin 1951: Agjentët shqiptarë na dërgojnë raporte false

Më: 18 prill 2013 Në ora: 00:12

Bisedimet sekrete të zyrtarëve amerikanë e jugosllavë për një projekt të përbashkët për rrëzimin e Hoxhës.
Zyrtarët e Shërbimit Sekret Jugosllav kërkojnë ndihmën e CIA-s ta përfshijnë në operacionet në Shqipëri.

UDB: Noli të deklarohet kundër Hoxhës.
“Qeveria e Tiranës rrëzohet vetëm me një lëvizje nga brenda”

Dokumenti që zbardhim më poshtë, është siguruar në arkivin e shërbimit amerikan për Operacionet BGFIEND (1949-1955) dhe përmban protokollin e një takimi të rëndësishëm midis CIA-s dhe UDB-së në vitin 1951. Lidhur me çështjet e konsumuara në këtë takim të nivelit të lartë, tërheq vëmendjen këndvështrimi jugosllav mbi veprimtarinë e grupeve të emigracionit shqiptar në Perëndim. Në të pasqyrohet një analizë e përgjithshme e politikave të Beogradit dhe qëndrimit të tij mbi disa çështje që kanë të bëjnë me operacionet sekrete për rrëzimin e regjimit të Hoxhës, pa u futur në detaje. Përveç faktit se tashmë amerikanët ishin ulur me shërbimet e fshehta të Titos për të përpunuar një projekt të përbashkët për rrëzimin e qeverisë së Tiranës, dokumenti zbulon edhe disa dëshmi shumë interesante të palës jugosllave. Dëshmia e parë lidhet me faktin se UDB-ja jugosllave kishte dijeni të plotë mbi rolin dhe veprimtarinë e komitetit “Shqipëria e Lirë”, një front politik ky i krijuar nga amerikanët me idenë e një qeverie në emigracion. Sakaq, UDB i njihte të gjithë aktorët e rëndësishëm si dhe rolin e tyre në këtë Komitet, kjo edhe falë penetrimit të saj në radhët e tyre. Përveç kësaj, në dokument konfirmohet fakti që UDB-ja kishte një qasje të ndryshme nga shërbimi amerikan për mundësinë reale të rrëzimit të Hoxhës. Ndërsa CIA shpresonte te një ndërhyrje nga jashtë e emigracionit politik shqiptar, jugosllavët e Titos mendonin se qeveria e Tiranës mund të rrëzohej vetëm nga brenda, duke investuar fort te të pakënaqurit e Partisë Komuniste Shqiptare. Kjo qasje e jugosllavëve me shumë gjasa vinte nga njohjet që ata kishin pasur me komunistët shqiptare gjatë dhe pas luftës, deri në periudhën e divorcit të vitit 1949. Në këtë optikë mund të vlerësohen edhe disa nga ngjarjet e viteve ’50, me protagonistë disa prej njerëzve me influencë të luftës në Shqipëri. Një dëshmi me shumë interes në këtë dokument është pohimi i njerëzve të UDB-së se vrasja e Ceno beg Kryeziut, kunatit të dikurshëm të Zogut, kishte për autor këtë të fundit. Po kështu dëshmia e një zyrtari të lartë se familja e Kryezinjve me mjaft influencë në malësitë e Gjakovës ishte mbajtur si një as në mëngën e Mbretit Aleksandër për t’i vendosur në fronin e Shqipërisë nëse do të binte Zogu, na jep një ide më të qartë rreth prapaskenave politike shqiptaro-jugosllave të kohës. Roli i Kryezinjve në politikën shqiptare ka qenë me mjaft ndikim deri në momentin kur Ceno Beu, kunati i pushtetshëm i Zogut, u vra në Pragë. Pas kësaj, Kryezinjtë me një ndikim të reduktuar, tashmë në Shqipërinë zogiste, kanë pasur përkrahjen e qarqeve shumë të larta jugosllave. Fakti që drejtuesit e pasluftës së Shërbimeve Inteligjente Jugosllave i njihnin ata shumë mirë, tregon për një marrëdhënie të ngushtë të kësaj familjeje kosovare me shërbimet jugosllave, të cilat duket se i kanë monitoruar Kryezinjtë vazhdimisht, madje edhe kur janë larguar në Perëndim. Gjithsesi, roli i Kryezinjve në historinë e Shqipërisë, ende vazhdon të mbetet i mjegullt, me gjithë një përpjekje të paradokohshme të Kryeministrit Berisha për rehabilitimin e figurës së Gani bej Kryeziut, i cili çuditërisht pas botimit të disa dokumenteve komprometuese për të, nuk u përmend më kurrë. Një tjetër fakt që zbulon dokumenti që botojmë sot, është vlerësimi i autoriteteve të Beogradit dhe UDB-së për rolin e Ballit Kombëtar në Luftën e Dytë Botërore. Në një farë mënyre, shërbimi inteligjent i Titos i njeh kësaj organizate pjesëmarrjen deri diku aktive në luftën kundër okupatorëve fashistë italianë. Ndërkohë, ai është kategorikisht pro idesë se Balli Kombëtar ka bashkëpunuar me forcat naziste gjermane. Ndër argumentet që rreshtojnë për këtë, veçojnë një dokument të nënshkruar nga forcat gjermane dhe kjo Organizatë, me sa duket, ka rënë në dorën e zyrtarëve të shërbimit të fshehtë jugosllav. Po çfarë përmban tjetër protokolli i takimit të nivelit të lartë i përfaqësuesve të CIA-s dhe UDB-së i vitit 1951…


Faksimile e procesverbalit të bisedimeve të zyrtarëve të CIA-s dhe UDB-së në datën 30.10.1951
TOP SEKRET

Komentet e FPBERM (emri i koduar i UDB-së për diskutimet e KUBARK {emri i koduar i CIA-s}) për faktorët më të rëndësishëm të jashtëm që influencojnë Shqipërinë.
-Një diskutim dhe rishikim i të gjitha partive shqiptare dhe individëve të përfshirë u përfundua në 11.30. Zoti S. inicioji komentet nga përfaqësuesi i FPBERM. Ai tha se jugosllavët bien dakord që traditat lokale dhe besnikeritë familjare kanë rëndësi dhe vazhdojnë të ekzistojnë në Shqipëri, por revolucioni ka sjellë ndryshime shumë të mëdha në këtë aspekt. Ky fakt është shumë i njohur nga Jugosllavët, pasi ata kanë përvojën e tyre me Malin e Zi, ku të njëjtat tradita dhe influenca ekzistojnë, por që nuk kanë më rëndësi në ditët e sotme. Në Malin e Zi kishte shumë raste kur babai luftonte në anën e kundërt të djalit dhe kjo është e vërtetë edhe për Shqipërinë. Gjatë periudhës së Luftës Nacionalçlirimtare, heronj të rinj u ngritën si personalitete, të cilat ishin shumë më të fortë se liderët lokalë. Duke pasur parasysh karakterin primitiv të shoqërisë shqiptare, e cila u jep shumë rëndësi njerëzve me kurajë personale, të tillë individë u bënë shumë popullorë. Fakti që këta persona luftuan në radhët e Partisë Komuniste Shqiptare, tregoi se personalitete partiake zëvendësuan liderët lokalë. Duke iu referuar prezantimit të përfaqësuesit të KUBARK (CIA) sot dhe veçanërisht influencës së disa liderëve dhe grupeve në mesin e emigracionit shqiptar në Perëndim, nuk u theksua efekti që kanë këta liderë në radhët e njerëzve të partisë në pushtet sot në Shqipëri. Jugosllavët nuk e nënvlerësojnë reputacionin e askujt që ka luftuar për çlirimin e vendit, por mendojnë se rëndësi të veçantë duhet t’i jepet partisë në pushtet. Është një fakt i njohur se ka pasur pakënaqësi në Gjermani nga njerëz që e kundërshtonin Hitlerin, por rreziku real për Hitlerin erdhi nga njerëzit e brendshëm në parti dhe vetëm ata patën mundësi të ndërmerrnin aksione kundër tij. -Zoti B. komentoi se dy fakte të rëndësishme mund të dalin nga prezantimi i përfaqësuesve amerikanë. a)nuk ka një organizatë të vetme që përfshin të gjithë emigracionin shqiptar. b)me gjithë përpjekjet e mëdha për të mbushur çarjet e divergjencave të elementëve të emigracionit, këta elementë qëndrojnë të ndarë dhe në armiqësi me njëri-tjetrin. Kështu është grupi i Zogut, i cili e shikon komitetin “Shqipëria e Lirë” si të komprometuar në Shqipëri për arsye të aventurave të njerëzve të tij për të krijuar një revolucion sa më shpejt që të jetë e mundur dhe, në këtë mënyrë duke provokuar masa të ashpra kundër fshatarëve, të cilët janë të pakënaqur me liderët e Komitetit. Nga kontaktet që ka UDB me përfaqësues të Zogut, ajo e di mirë se zogistët nuk e konsiderojnë komitetin “Shqipëria e Lirë” si një grup i bashkuar. Diferencat nëpërmjet grupimeve janë shumë të mëdha, megjithëse në dukje të jashtme Komiteti duket i bashkuar. Për shembull, një grup është besnik i Zogut, një grup tjetër është kundër tij. Zogistët thonë se Komiteti nuk ka asnjë influencë në Shqipëri. Komiteti “Shqipëria e Lirë” e konsideron Bllokun Indipendent komplet të “vdekur” brenda Shqipërisë, por vetë kjo organizatë thotë se janë shumë të rëndësishëm në Shqipëri si rezultat i pozicioneve tradicionale të liderëve të saj. -Zoti B. ka parë që të gjithë shqiptarët bien dakord se Fan Noli, megjithëse shumë i vjetër, ka një emër të madh dhe respektin e të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga krahu politik. Edhe pse Noli nuk ka mundësi për të ushtruar aktivitet politik, çdo shqiptar mendon se do ishte shumë e dobishme në se ai do ta kishte atë përkrahë, pasi nuk ka shqiptar të kalibrit të Fan Nolit. Zoti B. tha se, edhe pse ndoshta Fan Noli mund të pranojë para nga sovjetikët, ky fakt nuk i ndryshon shumë gjërat (Peshkopi Noli i Bostonit, President Nderi i “Vatrës”, akoma edhe sot ka një mbështetje të fortë në Kishën Ortodokse Shqiptare, me gjithë prirjet e tij majtiste dhe zëvendësimin nga peshkopi Marko Lipe. Në këtë moment u kërkua një pushim i shkurtër gjatë të cilit zoti B. i përmendi Zotit (…) se do të kishte një efekt shumë të madh në Shqipëri nëse Fan Noli do të shtyhej për të bërë një deklaratë kundër Hoxhës) -Në këtë pikë, Zoti C mori drejtimin e bisedimeve dhe tha se do te fliste shumë sinqerisht, edhe pse disa mund të binin ose jo dakord me të. Bazuar në idetë dhe eksperiencën e tij, ai shpresonte se pikëpamjet që parashtronte nuk do të ishin të ndryshme nga përshkrimi i situatës dhënë në këtë takim nga përfaqësuesit e UDB-së. -Zoti C. ra dakord se traditat në Ballkan janë shumë të rëndësishme, por nëse ato duhen te diskutohen, nuk mund të shqyrtohen vetëm nga një këndvështrim. Në Ballkan, çdo vend ka tradita të forta. Ndër to, tradita më e fortë është ajo e lidhjeve të ngushta të Jugosllavisë me Shqipërinë. Në një situatë të caktuar, kjo traditë mund të jetë me shumë rëndësi. Ne nuk mund ta harrojmë këtë traditë, ashtu si nuk mund të harrojmë traditën e lidhjeve të ngushta midis bullgarëve dhe rusëve pas Traktatit të Shën Stefanit, apo tradita e lidhjeve të ngushta të Greqisë me Britaninë, apo tradita e antagonizmit të përhershëm hungarezo-rus. Të gjitha këto tradita duhen parë me kujdes dhe imtësi. Për sa u përket liderëve tradicionalë të Veriut të Shqipërisë, ai tha se duhet marrë parasysh që Lëvizja Nacionalçlirimtare e pastroi veriun nga të gjithë liderët tradicionalë pa asnjë ndihmë nga jashtë. Në kondita të ndryshme, traditat mund të luajnë një rol të ndryshëm. Analiza e Zotit C për komitetin “Shqipëria e Lirë” Zoti C dëshiron të sjellë në vëmendjen e përfaqësuesve amerikanë si miq dhe aleatë kundër Rusisë Sovjetike, disa çështje të cilat ata duhet t’i dinë. Edhe pse traditat në Shqipëri janë të forta, brenda komitetit “Shqipëria e Lirë” ka rryma shumë të forta që shkojnë përtej mosmarrëveshjeve. Komiteti është i përbërë nga katër grupime, Legaliteti në mbështetje të Mretit Zog, Balli Kombëtar e lidhur me lëvizjen e gjelbër ndërkombëtare, Partia Agrare e Said Kryeziut, si dhe grupi Indipendent i Muharrem Bajraktarit. Si një shembull i rrymave të cilat ekzistojnë në komitetin “Shqipëria e Lirë”, mund të përmend faktin se ish-Mbreti Zog ka vrarë vëllain e madh të Said Kryeziut. Gjatë regjimit të Zogut, e gjithë familja e Kryezinjve ka jetuar në Jugosllavi nën mbrojtjen personale të Mbretit Aleksandër, me shpresën se një ditë do të merrnin fronin shqiptar. Kështu pra, ka një traditë armiqësie midis Said Kryeziut dhe Zogut, një armiqësi që nuk do të shuhet kurrë. -Gjatë regjimit të Zogut, vazhdoi zoti C., Muharrem Bajraktari ishte një prej njerëzve më të rëndësishëm anti Zog në emigracion dhe një prej atyre që jetuan gjatë jashtë. Po kështu ne jemi në dijeni se ka armiqësi të shumta midis Said Kryeziut dhe Hasan Dostit, lider i Ballit dhe president i komitetit “Shqipëria e Lirë”. -Jugosllavët dinë se çdo grup i dërguar në Shqipëri në emër të komitetit “Shqipëria e Lirë” në fakt punon për llogari të partive të tyre dhe se çdo grup punon për hesap të vet. Në këtë mënyrë, komiteti “Shqipëria e Lirë” përfaqësohet brenda Shqipërisë nga grupe që punojnë për partitë e tyre në varësi të grupit të dërguar, asgjë më shume. Në fakt, komiteti “Shqipëria e Lirë” përfaqësohet si front i bashkuar vetëm në ato vende ku grupet e dërguara nuk kanë mundur të penetrojnë -Informacioni i siguruar nga amerikanët nëpërmjet komitetit “Shqipëria e Lirë” është fals. Për shembull, disa grupe diversioniste kanë raportuar se kanë arritur shumë suksese, kur në fakt ata kanë qenë në kontakt vetëm me miqtë e tyre. Problemi i informacionit fals apo të ekzagjeruar prezanton një dobësi serioze për komitetin “Shqipëria e Lirë”. -Është e nevojshme,- vazhdoi zoti C., të dalloni ndryshimin ndërmjet Shqipërisë dhe Kosmetit (Kosova-Metohija). Kosmeti është dallueshmërisht Jugosllavi, si dhe ka përqafuar disa nga traditat me të vjetra serbe. Nuk ka pasur shqiptarë në Kosmet përpara luftës austro-turke të shekullit XVII. Shqiptarët që jetojnë tashmë në Kosmet janë të ndryshëm kulturalisht dhe ekonomikisht në çdo mënyrë nga shqiptarët e Shqipërisë. Kulturalisht shqiptarët e Kosmetit janë më të avancuar ekonomikisht, janë më të zhvilluar, si dhe kanë shumë privilegje, të cilat u janë dhënë nga jugosllavët. Kjo është një prej arsyeve që nuk ka pasur shumë lëvizje për në Shqipëri nga Kosmeti, ndërsa nga Shqipëria për këtu ka shumë lëvizje. Kjo gjithmonë ka qenë diçka reale, por sot me shumë se kurrë kjo është e vërtetë. -Said Kryeziu nuk ka influencë politike në Shqipëri. Zoti C. e njeh shumë mirë të gjithë familjen Kryeziu, si dhe ka qenë mik i ngushtë i Gani bej Kryeziut. Për sa i përket Said Kryeziut, aktiviteti i tij kryesor në komitetin “Shqipëria e Lirë” nuk ka qenë shumë anti Shqipërisë, por anti Jugosllavisë. Said Kryeziu ka qenë edukuar nga Mbreti Aleksandër dhe tani është në lidhje të ngushta me ish-Mbretin Peter, i cili, sipas zotit C, ka kontakte me Shërbimin Sekret Sovjetik. -Xhaver Deva – Zoti C shpjegoi se nuk është emigrant shqiptar, por jugosllav, i cili punoi për gjermanët dhe kështu ka humbur çdo influencë që mund të ketë pasur. Ai u ngrit në detyrën e ministrit shqiptar të Punëve të Brendshme gjatë Luftës së Dytë, pasi ishte agjent gjerman. Ai konsiderohet si kriminel lufte. -Duke folur për Ballin Kombëtar, zoti C. na njohu me faktin se ai ishte formuar pas okupacionit italian të Shqipërisë në 1939-n, por aktiviteti i tij serioz nuk u manifestua deri në pushtimin e Jugosllavisë më 1941. Programi i tyre ishte bazuar në spekulime politike brenda sistemit të forcave gjermane dhe politikat e saja ishin përgjithësisht antijugosllave dhe anti forcave aleate. Ajo që Vasil Andoni thoshte dhe ajo që bënte, mund të kenë qenë dy gjëra të ndryshme, por në veprimet e tija ai i ngjante shumë Mihailovich-it. Kur Italia u dorëzua, gjermanët donin paqe në një prej vendeve të Ballkanit dhe zgjodhën Shqipërinë. Ata krijuan një pseudo qeveri dhe e deklaruan Shqipërinë të lirë dhe të pavarur. Ata thanë se Shqipëria ishte e nevojshme për lëvizjen e trupave dhe se nuk do të përziheshin në problemet e brendshme shqiptare. Balli Kombëtar e pranoi këtë deklaratë gjermane dhe i ftoi të gjithë ata, që deri më atëherë ishin të përfshirë në luftime, t’i ndërprisnin ato, me pretekstin se tashmë Shqipëria ishte e lirë. Nëse ne do t’i referoheshim Ballit Kombëtar si një anëtar i luftës kundër Boshtit, kjo mund t’u referohet italianëve dhe jo gjermanëve, ashtu siç demonstrohet nga një dokument në formën e një marrëveshjeje të shkruar midis Ballit Kombëtar dhe gjermanëve. Përfaqësuesit e CIA-s sqaruan se tashmë Balli ishte ndarë në dy fraksione, të cilat pretendonin se kishin trashëguar programin dhe lidershipin. Megjithatë, asnjë prej këtyre grupeve, që në realitet janë 5 të tilla, nuk kanë ndonjë rëndësi të veçantë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test