Nishevci: Në Paris luftohet për pikë olimpike

Sporti

Nishevci: Në Paris luftohet për pikë olimpike

Nga: Kemajl Goca Më: 15 janar 2019 Në ora: 10:17
Herolind Nishevci

Është shumë i qetë, ka plane për vitin 2019! Është fjala për karateistin më të mirë në vendin tonë, Herolind Nishevci, anëtar i KK Ippon nga Prishtina dhe i Kombëtares së Kosovës. Ai ka hedhur pas shpine të gjitha peripecitë, sidomos lëndimin dhe iu është kthyer përgatitjeve me intensitet të shtuar, me shpresë se do të jetë në formën më të mirë para supersfidës së fundjanarit përkatësisht me 25 janar në Paris të Francës. Nishevci tha se është një vit interesant, ku luftohet për normën olimpike, por në anën tjetër e kanë edhe garën më të fortë në muajin mars, Kampionatin Evropian.

Djaloshi i artë i Kosovës, që garon në kategorinë +84 kg, beson se do të përgatitet maksimalisht, në radhë të parë për në Paris, pastaj për garat që vijnë sipas radhës në kalendarin qoftë të FKK-së qoftë të Federatës së Karatesë ndërkombëtare. Shqetësimi më i madh i tij ka qenë kur ishte i lënduar, tani është i qetë si asnjëherë me parë dhe i fokusuar për të shënuar rezultate sa më të mira, për të fituar sa më shumë pikë në ranglistën olimpike.

 “Bota sot”: Po riktheheni pas lëndimit, a jeni të përgatitur?

Herolind Nishevci: Jam ende në rrugën e marrjes të top formës, megjithatë mirë po ndihem.

“Bota sot”: Si e sheh vitin 2019?

Herolind Nishevci: Viti 2019 do të jetë një vit me shumë sfida të mëdha, rrugës drejt sukseseve kulminante. Mendoj që do t’ia arrij!

“Bota sot”: Sfida e radhës në Paris, sa është vështirë?

Herolind Nishevci: Është gara e parë, garë për normë olimpike dhe shumë e rëndësishme drejt rrugës për Lojërat Olimpike – “Tokyo 2020”.

“Bota sot”: A shpresoni në medalje në Paris, garues nga cilat shtete nuk i doni për rival?

Herolind Nishevci: Shpresoj shumë në medalje, nuk e kam problem me të gjithë jam përballur dhe kam bilanc të mirë të fitoreve.

“Bota sot”: Ku po stërviteni më shumë dhe sa jeni të kënaqur me kushtet?

Herolind Nishevci: Kushtet janë shumë të vështira në Pallat të Rinisë, është shumë ftoftë por vullneti i madh i mposht të gjitha.

“Bota sot”: Çfarë i duhet më shumë karatesë?

Herolind Nishevci: Mbështetje financiare, pasi është sporti i dytë më i suksesshëm në vendin tonë.

“Bota sot”: A mendoni se viti 2019 do të jetë viti juaj?

Herolind Nishevci: Ashtu shpresoj!

“Bota sot”: A shpresoni se do ta siguroni normën olimpike?

Herolind Nishevci: Është rrugë e gjatë deri në vitin 2020, por jam shumë afër dhe mendoj ta vazhdoj formën që e kam pas edhe pse mos ta siguroj.

“Bota sot”: Cila është sfida më e vështirë e këtij viti?

Herolind Nishevci: Kampionati Evropian që mbahet në mars, kur dihet se aty marrin pjesë karateistët kulmorë.

“Bota sot”: Ku do të përgatitemi më shumë për Kampionatin Evropian?

Herolind Nishevci: Në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat