Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës po merr pjesë në Kongresin e 82-të të AIPS-ës, që po zhvillohet në Lozanë të Zvicrës. Presidenti Arlind Grantolli dhe sekretari Arlind Sadiku, janë duke e përfaqësuar Kosovën për herë të 4-të në Kongresin e Asociacionit Ndërkombëtar të Gazetarëve Sportivë.
Në ditën e parë të punimeve, AIPS në bashkëpunim me Shoqatën e Gazetarëve Sportivë të Katarit organizoi për herë të parë ceremoninë për të shpërblyer gazetarët më të mirë të vitit në 8 kategori. 1273 kandidatë nga 119 vende të botës kanë aplikuar për çmimet e këtij viti.
Në secilën kategori, juria shpërbleu nga 3 më të mirët. Për të nderuar këtë gala mbrëmje ishin prezent Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach dhe presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Viser. Kjo ceremoni u transmetua drejtpërdrejt në më shumë se 100 shtete.
Ndërkohë dita e dytë e Kongresit filloi me mbledhjen e sektorëve kontinental të AIPS-ës.
AIPS Europe ku bënë pjesë edhe Kosova kishte ditë mjaft të ngjeshur pasi u diskutuan 17 pika sipas agjendës së paraparë dhe të miratuar nga delegatët e 39 shteteve pjesëmarrëse nga kontineti i vjetër.
Kongresi do të vazhdoj deri të mërkuren ku do të diskutohen çështje me interes të veçantë si gazetaria hulumtuese që është në rrezik të madhë, fake news, copy-paste, rrezikimi i jetës duke qenë gazetar etj. Ndryshe, ky edicion është titulluar “Gazetaria nuk është krim”.