Haxhimusa: Kosova urgjentisht ta rregullojë infrastrukturën e notit

Sporti

Haxhimusa: Kosova urgjentisht ta rregullojë infrastrukturën e notit

Nga: Kemajl Goca Më: 14 shkurt 2019 Në ora: 18:02
Bashkim Haxhimusa, i pari majtas

Trajnerët e notit luftojnë me të gjitha mundësitë që kanë për ta rritur nivelin e këtij sporti. Pjesëmarrja e kombëtares së Kosovës në turneun e “Swimming Open 2019” në Edirne të Turqisë, gjithsesi se ka qenë mjaft me rëndësi dhe e suksesshme për notarët e notaret tona, duke treguar cilësitë e tyre përballë rivalëve tjerë. Bashkim Haxhimusa së bashku me Enver Hajredinin drejtuan kombëtaren në turneun e “Swimming Open 2019”.

“Bota sot”: Si e vlerësoni garën në Turqi?

Bashkim Haxhimusa: Organizimi ishte shumë në nivel të lartë si në aspektin profesional po ashtu edhe në atë teknik, këtë e kemi thënë qysh në ditën e parë të garave gjatë analizës që kemi bërë të gjithë së bashku si me sekretarin Astrit Halitin, kryetrajnerin Enver Hajredinin, po edhe trajneri Kujtim Kito, se vërtetë është një pedanteri profesionale dhe teknike e organizimit të një gare tamam Ndërkombëtare. Duke e parë se përvoja e Astritit dhe e Enverit nuk dhanë asnjë vërejtje sepse çdo gjë ishte e organizuar në mënyrë shumë profesionale, por duke e pasur parasysh buxhetin e Federatës Turke dhe infrastrukturën sportive të notit në Turqi, Turqia ndoshta ishte ndër vendet më të fuqishme të notit në Evropë.

“Bota sot”: A mendoni se kemi talent, që mund të pritet shumë më shumë në të ardhmen?

Bashkim Haxhimusa: Po, vërtetë mund të them se Kosova ka talentë dhe perspektiv të madhe në rritjen e rezultateve kulmore në sportin e notit, duke i falënderuar të gjithë trajnerët e klubeve të Kosovës si dhe prindërit e garuesve të cilët edhe pse në kushte të mjerueshme si financiare po ashtu edhe infrastrukturore, kanë bërë përpjekje që notuesit tanë të janë rival i denjë për të gjitha shtetet pjesëmarrëse duke përjashtuar Rusinë dhe Turqinë, që për mua janë shumë të fuqishëm në sportin e notit.

Këto rezultate na bindin se nëse sportit të notit do t’i përmirësohen kushtet financiare dhe ato infrastrukturore, shumë shpejt Kosova do të jetë konkurrent i denjë në not i të gjitha shteteve të Evropës, kur kemi potencialin e notuesve si: Dren Ukimeraj, Dasar Xhambazi, Olt Kodrinolli, Fjorda, Shabani, Hyrije Ganiu, Vigan Bytyqi, Dion Kadriu, Rron Rizvanolli, Jona Macula, Elona Zhugolli e shumë garues të tjerë që i kanë klubet e Kosovës.

“Bota sot”: Sa ishte e vështirë gara dhe cilët nga garuesit iu lanë përshtypje?

Bashkim Haxhimusa: Notuesit tanë vërtetë shkëlqyen të gjithë në një garë aq të fortë, sepse të gjithë dhanë nga vetja maksimumi që të rreshtohen në vende të mira, thuajse të gjithë në 10-shin e parë në të gjitha disiplinat e notit dhe unë po e kam shumë vështirë të dalloj, por megjithatë unë do ta përmendi Dasar Xhambazin i cili në 50 metra bretkosë vuri edhe rekord të ri në Kosovës me kohë prej 00.30.58, pastaj Olti Kodrinolli dhe ky vuri rekord të ri të Kosovës në 400 metra krol me kohë prej 04.25.71, si dhe Fjorda Shabani e cila ishte shumë afër medaljes në një konkurrencë shumë të fortë, por si do qoftë edhe Fjorda theu rekordin e Kosovës në 50 metra delfin me kohë 00.30.76.

“Bota sot”: Çfarë u duhet më shumë për të arritur në një nivel edhe më të mirë?

Bashkim Haxhimusa: Unë mendoj se fillimisht shteti ynë duhet ta kuptoj se noti nuk është vetëm sport, por edhe shkollim për shpëtimin e jetës së njeriut, si shëndet, si edukatë e pastaj edhe si sport, sepse kështu e vlerësojnë të gjitha shtetet e civilizuara dhe rreshtohet si sporti më i privilegjuar, për këtë thuaja se në gjitha shtetet e botës, noti është edhe orë e veçantë duke filluar nga shkolla fillore e tutje.

Kosova urgjentisht duhet ta rregullojë infrastrukturën e notit sidomos pishinat e mbyllura si dhe të rris buxhetin financiarë si në Federatë po ashtu edhe nëpër komuna aty ku ka klube të notit, ndërsa e veçanta e gjithë kësaj është që Federata së bashku me kryetarët e komunave të cilat nuk kanë klube të notit të intervenohet urgjentisht të krijojnë klube të reja me qëllim që të krijohet mundësia për masovitet të sportit të noti dhe kështu shumë shpejt vjen edhe cilësia e cila është shumë e nevojshme për sportin dhe qytetarin. Gara e ardhshme e sportive nga klubet tona është "Mimosa cup 2019" që zhvillohet në Herceg Novi të Malit të Zi (15-17 shkurt).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat