Ramush Haradinaj dhe Milaim Zeka, a kanë njohuri dhe a kanë guximin për...

Sporti

Ramush Haradinaj dhe Milaim Zeka, a kanë njohuri dhe a kanë guximin për...

Nga: Kemajl Goca Më: 19 shkurt 2019 Në ora: 12:43
Ramush Haradinaj dhe Milaim Zeka, a kanë njohuri dhe a kanë guximin për...

Asgjë nuk është e re, as nuk është lajm i ri kur raporton se klubet nga Serbia po vijnë në Kosovë! Të gjithë e dimë se klubet sportive nga Serbia futen e dalin nga Kosova sikurse në bahçe të babës, zhvillojnë aktivitete ilegale dhe në kuadër të Serbisë, qoftë në futboll qoftë në hendboll, në basketboll, në volejboll etj!

 Kryeministri Ramush Haradinaj dhe deputeti Milaim Zeka dhe të gjithë deputetët tjerë, e dimë se kanë punë me të mençur se të merren me sport, por duhet edhe këtu të ndalen pak, t'i shikojnë gjërat, edhe pse nuk e dimë a janë në dijeni për garat ilegale sportive të Serbisë që zhvillohen në Veri të Mitrovicës, si në Leshak, si në Zubin Potok, Leposaviq, në një pjesë të Mitrovicës.

Së fundi, pra hiq me larg se me 16 shkurt të fundjavës së kaluar, klubi i hendbollit Cërvena Zvezda nga Beogradi, erdhi e luajti me Mokra Gorën në Zubin Potok. Nuk luajti ndeshje miqësore, por një ndeshje (ilegale) zyrtare të Superligës së Serbisë (java e 16-të) në shtetin e Kosovës dhe barazuan 30:30. Kjo është e neveritshme, se si një klub famëkeq si Cërvena Zvezda vjen pa asnjë ther në këmbë dhe largohet pa u penguar nga askush!

A është në dijeni Ramush Haradinaj, si njeriu i parë i Qeverisë dhe Milaim Zeka, si njeriu që më së shumti ngre zërin e kritikës për çështje tjera, pse nuk luftojnë t’i ndalin këto gara ilegale të klubeve nga Serbia në Kosovë. Lutem që Ramush Haradinaj ta ngritë këtë çështje edhe në Qeveri tek ministri i sportit, ta thërret Komitetin Olimpik, Federatat sportive, Ministrinë e Punëve të Brendshme dha ta diskutojnë këtë çështje, t’i parandalojnë garat ilegale në tokën e shtetit të Kosovës.

Lutem që edhe Milaim Zeka, që goxha i thotë vetes një patriot, goxha burrë vetes, ta ngritë këtë çështje në Kuvendin e Kosovës.  Mokra Gora mund të garojë në garat e shtetit të Kosovës dhe jo të luajë në garat e Serbisë, ilegalisht në shtetin e Kosovës. Jo vetëm Mokra Gora, ka edhe shumë klube tjera serbe që zhvillojnë aktivitete të tilla dhe nuk i bëjnë hesap institucionet tona.

Është koha që të merren të gjitha masat dhe të ndalen këto dukuri shëmtuese, që një faj të madh kanë edhe institucionet sportive që kanë fut veshët në lesh dhe po heshtin.  Prandaj, klubet serbe që veprojnë në vendin tonë, duhet të garojnë në garat e Republikës së Kosovës, e drejtë që askush nuk ia mohon dhe jo të vazhdojnë me garat ilegale dhe në kuadër të Serbisë.

Kjo është e padurueshme! Prandaj, edhe komuniteti ndërkombëtar, si UEFA, FIBA Europe, EHF, CEV etj. duhet të veprojnë dhe jo të heshtin përballë këtyre gjërave sepse të gjitha federatat tona janë të pranuara në asociacionet përkatëse ndërkombëtare dhe në fakt, Kosova është shtet i njohur ndërkombëtarisht. E padurueshme është që të shkelet sovraniteti i Kosovës nga klubet e Shumadijes e të Serbisë, pa lejen autoriteteve të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat