Feronikeli nga Drenasi importoi pikë të madhe nga stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë, duke barazuar 1:1 me Prishtinën, në kuadër të javës së 21-të të elitës së futbollit të Kosovës. Kryendeshja e stinorit u karakterizua me lojë të mirë, por Prishtina nuk arriti pikë të plota që ta ngushtoi diferencën me liderin Feronikeli. Prishtina kaloi e para në epërsi me golin e shënuar nga Leutrim Bekteshi në minutën e 17-të. Kryeqytetasit në minutën e 59-të mbetën me një futbollist më pak, pasi me karton të kuq (pas dy të verdhëve) u ndëshkua Lorik Boshnjaku. Mysafirët e shfrytëzuan shumë mirë epërsinë numerike në fushë dhe vetëm pas pesë minutave (64’) barazuan me anë të Mendurim Hotit.
Pas këtij barazimi Feronikeli gjendet në kuotën e 49 pikëve, ka pesë më shumë se Prishtina në pozitën e dytë dhe Llapi që mban vendin e tretë në klasifikim. Kryetrajneri i Prishtinës, Mirel Josa, është shprehur i zhgënjyer me epilogun e ndeshjes. “Nuk mund të themi se jemi të kënaqur me barazim, por jam i kënaqur me mënyrën se si skuadra vrapoi, si pati dëshirë të luajë. Duhej të ishim më të qartë sidomos në disa momente. Edhe kur mbetëm me 10 futbollistë duhej të kërkonim më tepër. Ndoshta duhej të bëja zëvendësimin e Jasharoskit me Hoxhën, por gjithsesi mendoj se loja u përcaktua nga episodet”, ka thënë Josa.
Ai ka pasur vërejtje për nivelin e ndarjes së drejtësisë. “Siç morëm ne karton të kuq, mund të merrte edhe Feronikeli, sepse portieri ishte komplet jashtë porte dhe Ahmeti mund të shikonte më lehtë në portë por të mos pengohej në atë mënyrë. Nuk kërkoj justifikim, por standardet e gjykimit nuk janë të njëjta si në Prishtinë si diku tjetër”, tha Josa. Zekirija Ramadani, kryetrajner i Feronikelit, ka thënë se morën një pikë të madhe.
“Duhet të jemi realist, ne kishim ardhur për barazim dhe e morëm atë, megjithëse patëm mundësi edhe të fitojmë. Nuk e shënuam golin e dytë edhe pse patëm raste, ndërsa e patëm edhe një futbollist më shumë”, ka thënë Ramadani. “Në minutat e fundit na mungoi përqendrimi, madje Prishtina na rrezikoi. Më vjen keq që nuk fituam, por ndoshta kështu është më mirë për futbollin dhe për kampionatin. Në përgjithësi ishte ndeshje e mirë dhe mendoj se ata që erdhën në stadium nuk janë penduar. I përgëzoj futbollistët për angazhimin dhe tifozët që na përkrahën shumë”, tha Ramadani.
Superliga e Kosovës
Prishtina-Feronikeli 1:1
Drenica-Flamurtari 1:1
Ferizaj-KEK-u 4:1
Gjilani-Llapi 0:1
Trepça '89-Liria 1:2
Ballkani-Drita 1:2
Tabela
1. Feronikeli 21 15 4 2 49
2. Prishtina 21 13 5 3 44
3. KF Llapi 21 14 2 5 44
4. Drita 21 10 2 9 32
5. Gjilani 21 8 5 8 29
6. Drenica 21 8 4 9 28
7. Trepça ‘89 21 7 7 7 28
8. Flamurtari 21 7 6 8 27
9. Ballkani 21 8 3 10 27
10. Ferizaj 21 7 3 11 24
11. Liria 21 7 2 12 23
12. KEK-U 21 0 1 20 1
Në javën e 22-të do të takohen: Drita-Ferizaj, Liria-Drenica, Flamurtari-Ballkani, KEK-u-Prishtina, Llapi-Trepça ’89 dhe Feronikeli-Gjilani.