Kosova do të luajë të enjten me ish-kampionin evropian

Sporti

Kosova do të luajë të enjten me ish-kampionin evropian

Më: 20 mars 2019 Në ora: 11:22
Perfaqesuesit danez

Përfaqësuesja e Kosovës do të përballet me Danimarkën në miqësoren e 21 marsit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë

Përfaqësuesja e Kosovës do ta zhvillojë të enjten ndeshjen më të madhe në histori të saj në Prishtinë.

“Dardanët” do ta presin në stadiumin “Fadil Vokrri” Kombëtaren e Danimarkës.

Danezët njihen si fuqi e futbollit botëror.

Ata e kanë arritur kulmin e tyre duke u shpallur kampionë evropianë në vitin 1992 në Suedi pasi e kishin mposhtur Holandën në gjysmëfinale dhe Gjermaninë në finale.

Gjithashtu, danezët e kanë fituar edhe Kupën e Konfederatave të FIFA-s në vitin 1995 pasi e kishin mundur Argjentinën në finale.

Suksesin më të madh në një Botëror ata e arritën në vitin 1998, ku ishin ndalur nga Brazili në çerekfinale me rezultat 2:3.

Danimarka gjithashtu kishte kaluar në rundin e dytë në Botërorët 1986, 2002 e 2018.

Danimarka ishte fituese e Football Intercalated Games në vitin 1906, ndërsa e kishte fituar edhe medaljen e argjendtë në Olimpiadën 1908 e 1912, e po ashtu edhe në vitin 1960.

Pra, danezët kanë bagazh të madh dhe në skuadrën e tyre kanë disa yje, përfshirë këtu edhe njërin prej mesfushorëve më të mirë të Premierligës, Christian Eriksen.

Dueli ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës do të luhet nesër mbrëma duke filluar nga ora 19:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat