Federatat sportive në Kosovë duhet ta kuptojnë një të vërtetë dhe vetëm një të vërtetë! 

Sporti

Federatat sportive në Kosovë duhet ta kuptojnë një të vërtetë dhe vetëm një të vërtetë! 

Nga: Kemajl Goca Më: 24 maj 2019 Në ora: 12:08
Ilustrim

Kampionët e Republikës së Kosovës janë nga viti 1991-1992 dhe pikë! Pavarësimi i sportit të Kosovës nga ai serbosllav ndodhi në gushtin e nxehtë të vitit 1991! Kampionatet e para zyrtare të Republikës së Kosovës në futboll, nisin nga shtatori 1991, nga tetori në basketboll, hendboll, volejboll etj! Kampionët e parë të Republikës së Kosovës dhe zyrtarisht janë nga viti 1991-1992 atëherë kur u ndamë me klubet serbosllave dhe garuam tamam në nivel shteti!

Si mund të figurojnë kampionët e Kosovës nga viti 1954-1955 si bie fjala në hendboll apo të gjinia femërore 1972 e këndej! Nuk numërohen assesi ata kampionë të Republikës së Kosovës dhe në asnjë formë dhe në asnjë rrethanë nuk na bind. A e dini pse? Po e marrim shembull futbollin?

Prishtina ka qenë pesë vite në Ligën e Parë (1983-1988) apo tri vite në Ligën e dytë Unike të ish Jugosllavisë (1988-1991) ose Trepça nga Mitrovica pothuajse më shumë se tri dekada në Ligën e dytë ish jugosllave, të cilat nuk garuan fare në Ligën e Kosovës apo siç quhej atëbotë liga e parë krahinore, sepse këto skuadra ishin në rangun më të lartë! Prishtina dhe Trepça kurrë nuk do bëheshin kampionë sepse kanë qenë në rangun më të lartë federativ, apo me dhjetëra vite nuk kanë qenë në ligën krahinore, sepse ishin klube më cilësore, që besa edhe Liria e Prizrenit dhe Vëllaznimi i Gjakovës me vite në ligën e dytë ish federative.

Nëse marrim për bazë ligën e parë krahinore, është gabim, se Prishtina dhe Trepça me dhjetëra vite nuk garuan aty. Ajo që mund të themi ligjërisht është Kupa e Kosovës në atëkohë, sepse kanë marrë pjesë të gjitha skuadrat, por të nxjerrim kampionë të ligës krahinore e t’i barazojmë me ekipet që u bënë kampionët nga vitit 1991-92, nga koha e pavarësimit të sportit tonë nga ai serbosllav, është gabim i madh, sepse kampionë janë që nga kampionati i parë i pavarur 1991-1992.

 Ose në hendboll ish Borci tash Kastrioti i Ferizajt, Trepça e Mitrovicës, Prishtina, ish Bozhuri tash Drita e Gjilanit, Kosova e Vushtrrisë, Vëllaznimi i Gjakovës, që kanë qenë në Ligën e dytë ish jugosllave. Ata mund të jenë kampionë të ligës së parë krahinore dhe ashtu duhet të mbeten, por jo të Kosovës, sepse nuk garuan ekipet më të mira në at rang, sepse katër a pesë prej tyre i kishim në rangun federativ. Si mund të janë kampionë kur gjysma garuan në rangun federativ në hendboll? Kroacia e ka kampionin e parë nga viti 1991-1992, ashtu është ligjërisht.

 Ata mbeten si kampionë të ligës krahinore, assesi të nivelit të Republikës së Kosovës, ngase ai rang ka qenë rangu i tretë, më vonë edhe i katërt. Krejt në fund, historia e sporteve të themeluara si hendbolli në vitet e 50-ta apo futbolli që u themelua edhe para Luftës së dytë Botërore, e bash këtu duhet të mburremi, është dëshmi e traditës që kemi dhe nga ato periudha funksionojnë sportet tona, por jo kampionë e ligës krahinore t’i barazojmë me këta që nga viti 1991-1992 garojnë vetëm në nivel të Republikës Kosovës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat