Lëreni bre ma garat ‘Zadruga Open’ e ‘Tupani Open’...

Sporti

Lëreni bre ma garat ‘Zadruga Open’ e ‘Tupani Open’...

Nga: Kemajl Goca Më: 12 dhjetor 2019 Në ora: 12:30
Lëreni bre ma garat ‘Zadruga Open’ e ‘Tupani Open’...

Sot është koha të investojnë në kuadrin që e shohim që ka vlerë! Është koha të kategorizohen sportistët edhe në sportet tjera luftarake, si në boks, si në karate, si në kick-box, si në mundje etj. T’i gjejmë një, dy ose tre sportist, që mund të arrijmë medalje evropiane apo botërore!

Ai sportist që llogaritet për medalje evropiane e botërore, aty të investohet, aty të ndahen mjete dhe të punohet pareshtur me të! Boll ma me garat e llojllojshme, apo siç i thojnë disa si në shaka “Zadruga Open”, “Tupani Open”, e kush dreqi e din! Sportistët që mendoni se janë me cilësi, duhet të ndahen nga të tjerët që janë dhjetë herë me të dobët dhe jo edhe ata të hipin krejt me një autobus (30 apo 40 veta), se nuk po shkojmë në dasmë. Ai që ka cilësi t’i ndahet një buxhet edhe nga federata edhe nga vet klubi dhe të punohet profesionalisht në përgatitje për garat e mëdha, jo ta çojmë në garat e katundeve. Sportisti që ka potencial për të arritur më shumë,  ta çosh në garat “Zadruga Open” apo “Tupani Open”, është shkatërrim nervash apo sikur ta çosh me mbledh kanaçe. E para, është çudi përtej çudie, se boksi me një traditë aq të madhe, nuk ka boksier për medalje evropiane e botërore por janë fundosur.

Është e pakapshme, e palogjikshme që mundja nuk ka garues për medalje evropiane e botërore. Karateja i ka disa garues, që duhet ata të fokusohen me shumë vëmendje, t’i ndajë mjetet dhe t’i përgatis ato garues ekskluzivisht për garat madhore, t’i ikë apo të shmanget nga ata garat e nivelit të qyteteve apo të katundeve! Karateja ka disa garues të shkëlqyeshëm, por duhet një qasje më ndryshe, punë e investim i madh, po vepruan kështu  medalje lehtë mund ta kesh në xhep.

Çfarë të bëjmë të boksit e të mundja, që nuk kanë boksier as mundës të profilit të lartë, që realisht sot u desh të janë të fuqishmit e sportit tonë apo sundues, jo t’i vajton kush çohet më i pari! Modelin e kemi, është xhudoja, është trajneri më i mirë shqiptar, Driton Kuka, me sportin që ka sjellë të gjitha medaljet e mundshme, edhe të artën olimpike me Majlinda Kelmendi!

Po ju boksi, po ju mundja, ku ishit dhe çka sollët për 20 vite mburrje e mburrje, po flasim për seniorë? Çfarë bëtë e çka po bëni apo çka keni në plan? Më mirë gjeni një boksier e një mundës, aty derdheni mjete, punoni nga dy e deri në katër vite me një garues, e përgatiteni një kalibër botëror dhe lëreni më ato garat e nivelit katundesh, ku ende pa dal në fushë fiton medalje.

Karateja e ka një medalje të bronztë në Kampionatin Botëror me Herolind Nishevcin, por nëse ata sot nuk e shfrytëzojnë një gjeneratë që e kanë shumë të mirë, me 4-5 garues, kur do ta shfrytëzojnë, kur perëndon koha e tyre! Xhudoja është shembulli më i mirë i punës profesionale dhe puna e Driton Kukajt me Agron Kukajt, sollën suksese.

As Kuka nuk ka pasur kushte, por me punë ka arritur në nivelin më të lartë, sepse të gjithë e dimë se çfarë ka hequr ai deri sa ka arritur te medalja. Ai ka punuar pareshtur dhe asnjëherë nuk u marr me lavde as nuk ka thirr konferencash të panevojshme, si sot disa sporte që e bëjnë film kur fitojnë medalje, siç thonë disa në humor në “Zadruga Open”!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat