KOK mbajti mbledhjen online me federatat sportive, disa federata shprehen të gatshme për fillim të aktiviteteve

Sporti

KOK mbajti mbledhjen online me federatat sportive, disa federata shprehen të gatshme për fillim të aktiviteteve

Më: 30 prill 2020 Në ora: 19:12
Mbledhja online e KOK

Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshën, Shasivar Haxhijaj, kanë mbajtur sot takimin online me drejtuesit e lartë të federatave sportive.

21 federata, përfshirë Komitetin Paralimpik të Kosovës, iu përgjigjën pozitivisht ftesës, të cilët falënderuan KOK-un për nismën e marrë.

Temat për të cilat u diskutua ishin: Gjendja e sportit dhe sportistëve tanë në kohën e pandemisë së korona virusit Covid_19 si dhe çka mund të bëjmë me sportistët elitarë që janë në rrugë për normë Olimpike.

Të gjitha federatat treguan gjendjen e sportistëve të tyre dhe sfidat me të cilat po përballen që prej ndaljes së aktiviteteve sportive, me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Presidenti Hasani, duke falënderuar përfaqësuesit për pjesëmarrjen, inkurajoi të gjitha federatat që të mundohen të mbajnë sa më aktiv sportistët dhe njëkohësisht të organizojnë kurse për trajnerë, gjyqtarë, administratorë sporti, etj.

Presidenti Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, Haxhijaj, dhanë ide që të ndiqet shembulli i xhudos, që varësisht nga specifikat e federatës, të gjendet ndonjë qendër përgatitore në Kosovë për vendosjen e sportistëve elitarë, të cilët janë në garë për kualifikim për Lojërat Olimpike Tokio 2020, për çka KOK shprehu gatishmërinë për t’i mbështetur.

U diskutua po ashtu për fillimin e lehtësimit të masave nga Qeveria e Kosovës, ku disa sporte si: Tenisi, pingpongu, beach volley, automobilizmi, badmintoni, bjeshkataria alpiniste, boulingu e minigolfi, u shprehën të gatshme, se bazuar në lehtësimin e masave, mund të fillojnë aktivitetet e tyre prej 4 majit, kurse sportet tjera si basketbolli, volejbolli, peshëngritja, boksi, etj, mund të fillojnë me aktivitete pas fazës së dytë ose të tretë të lehtësimit të masave.

Takimi i ardhshëm online pritet të mbahet pas dy javësh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat