Hasani: Sporti duhet të rinisë, sidomos futbolli

Sporti

Hasani: Sporti duhet të rinisë, sidomos futbolli

Më: 16 maj 2020 Në ora: 00:47
Besim Hasani

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka vlerësuar se sporti ka nevojë të vazhdojë me aktivitet, gjithnjë duke pasur kujdes dhe respektuar masat e ekspertëve shëndetësor.

Hasani ka thënë se sidomos futbolli nuk mund të presë, pasi duhet që Superliga të vazhdojë dhe të nxjerrë tri skuadrat që do të përfaqësojnë Kosovën në garat evropiane sezonin e ardhshëm.

Hasani ka treguar se kjo kërkesë i është bërë e qartë ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, në takimin që ai dhe krerët tjerë të federatave kanë pasur me të para dy ditësh.

“Ne si komunitet i sportit presim që me aktivitete sportive të fillohet pas 1 qershorit. Sportistët kanë nevojë të stërviten, duke pasur parasysh ruajtjen e shëndetit të sportistëve. Ne vendimet e IKSHPK-së dhe të ministrisë së Shëndetësisë do t’i respektojmë. Do e kisha përmendur Federatën e Futbollit, klubet kanë nevojë me nis me stërvitje, e pas 1 qershorit të fillohet me gara. Kjo ka qenë kërkesë jona, por ai tha se s’mundet me vendos vetë pa e marrë miratimin e ekspertëve mjekësorë”, tha Hasani.

Ai tregoi se FFK-ja numëron 13 mijë anëtarë, por po flitet vetëm për Superligën, pasi nga ajo kërkohen klubet për Evropë.

“Federata e Futbollit ka marrë të gjitha masat mbrojtëse, distancën, dezinfektimin, po ashtu e paraqiti planin me shkrim që në secilin klub ku fillohet me stërvitje, FFK-ja do e dërgojë nga një ekspert mjekësor, kjo tregon përkujdesjen maksimale”, ka thënë ai.

Hasani po ashtu ka thënë se sportistët që janë kualifikuar në Lojërat Olimpike në Tokio dhe ata që synojnë të kualifikohen nuk mund të presin.

Ai ka përmendur xhudistët, por edhe boksierët, mundësit, atletët, boksierët e të tjerët.

“Tjetër çka kemi kërkuar në takim me ministrin Vitia është që sportistët që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike të startojnë menjëherë me përgatitje, jo të gjithë, por vetëm ekipet që do të marrin pjesë si xhudoja, por edhe atletika, noti, boksi, mundja e të tjera. Gjashtë sportistë janë kualifikuar për Olimpiadë, kurse 10 të tjerë janë potencial . E treta që kemi kërkuar është aktiviteti për sportet pa kontakt, si autosportet, pingpongu, tenisi e të tjera", ka thënë ai.

Ai pret që më së largu të dielën, ministri Vitia të marrë një vendim për rifillim të aktiviteteve sportive.

Hasani ka folur edhe për 5 milionë euro e pakos emergjente të premtuara për sportin, por që ka mundësi që ato të destinohen për fusha të tjera. Ai ka thënë se këto mjete duhet të ndahen për klubet, sportistët dhe federatat.

“Besoj që kjo do të ndodh, pasi kontributi i sportit është i jashtëzakonshëm në një shoqëri”, ka thënë Hasani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat