Pep te Bayerni, flasin emrat e mëdhenj të futbollit - Bota Sot
Pep te Bayerni, flasin emrat e mëdhenj të futbollit

Sporti

Pep te Bayerni, flasin emrat e mëdhenj të futbollit

Më: 17 janar 2013 Në ora: 14:57

Pak orë pasi Bayern Mynih njoftoi arritjen e marrëveshjes me Pep Guardiolën, jehona e kësaj martese mund të krahasohet me celebrimin mes dy yjeve hollivudianë ku përqëndrohet gjithë vëmendja e botës. Me pak fjalë, kjo po ndodh edhe në rastin e katalanasit që vendosi të drejtojë një nga klubet më të mëdha të planetit. Është e natyrshme që reagimet më emocionale në lidhje me këtë lajm të vijnë nga kampi katalanas ku Pep nisi një kapitull të ri, duke ndryshuar jo vetëm palmaresin e titujve por edhe mënyrën se si skuadra duhej ta shikonte dhe reflektonte futbollin në fushë.

“Nëse Pep është i lumtur, atëherë edhe ne jemi për të”, thekson kapiteni Carles Puyol, ndërsa portieri Pinto shton se skuadra është e kënaqur me rikthimin e trajnerit katalanas në botën e futbollit dhe shton se ndoshta Barcelona do të ndeshet një ditë me Bayernin kur ai të jetë në drejtimin e skuadrës gjermane.

Ndërkohë, trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, me pak humor, u përpoq të paralajmëronte skuadrën e tij, duke theskuar se tashmë në Champions League do ta kenë më të vështirë sepse do të luajnë kundër një skuadre që drejtohet nga dy trajnerë.

Pasardhësi i tij, Tito Vilanova shprehet se nuk dinte asgjë për afrimin e mikut të tij me bavarezët dhe shton se kjo është lëvizja e duhur për të.

“Jam i lumtur që ai u rikthye dhe do të bëjë pjesë në një klub si Bayerni. Zgjodhi një skuadër që ka inftastrukturë moderne dhe me një histori të pasur në Champions League”.

Një nga skuadrat rivale të Bayernit, Borussia e Dortmund e pret pa asnjë kompleks këtë lajm. Presidenti Hans-Joachim Wazke preferon të ndjekë linjën fair-play ndaj bavarezëve.

“Urime Bayernit për këtë lëvizje. Duhet të jemi realistë e ta pranojmë se kanë bërë një goditje të madhe. Unë personalisht ndihem shumë mirë”.

Nuk mund të mungonte në lumin e urimeve edhe ai i drejtorit sportiv të Barcelonës, Andoni Zubizarreta.

“Bayerni është një klub i madh dhe ka një projekt të qëndrueshëm prandaj vendimi i Guardiolës nuk më habit. Pep e gjeti skuadrën të cilën kërkonte.

Trajneri i Ajaxit, Frank de Boer shpreh bindjen se Guardiola gjeti ambientin ideal për të zhvilluar më tej idetë e tij.

“Kam folur me ish trajnerin e Bayernit, Louis van Gaal dhe ai më ka thënë se bëhet fjalë për një klub shumë profesionist dhe me filozofi të njëjtë me atë të Barcelonës prandaj e kuptoj shumë mirë lëvizjen e Guardiolës”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...