Besnik Krasniqi te Partizani

Sporti

Besnik Krasniqi te Partizani

Më: 4 qershor 2013 Në ora: 15:38

Nëse Prishtina gjatë edicionit 2012/13 ishte krenare që në skuadër kishte një futbollist me cilësi të larta si Besnik Krasniqi, tashmë duhet të ‘vajtojë’ ikjen e tij. Mbrojtësi i djathtë tashmë ka zgjedhur klubin e rikthyer këtë edicion në elitën e futbollit të Shqipërisë, Partizanin e Tiranës për të vazhduar karrierën. Janë drejtuesit e ekipit nga kryeqyteti shqiptar që kanë konfirmuar marrëveshjen me Krasniqin. Ndërkohë, lojtari të hënën ka deklaruar se është tejet i ‘nxehtë’ për t’iu bashkuar Partizanit.

“Nuk mund të them se e kam kryer krejt punën me Partizanin, por jam shumë afër të kalojë te kjo skuadër. Kushtet që i kanë ofruar ata janë shumë të mira dhe më përshtaten mua”, u shpreh Krasniqi për ‘Sport Plus’. Megjithatë, ai pohon se për t’i definuar përfundimisht gjërat, do të bisedojë në ditët në vijim konkretisht me kryetarin e klubit, Gazmend Demi.

“Unë nuk kam biseduar direkt me kryetarin e klubit për marrëveshjen, por me disa anëtarë tjerë të kryesisë. Prandaj, për t’i definuar përfundimisht gjërat do të udhëtojë në Tiranë ditëve në vijim”, shtoi Krasniqi.

Krasniqit do t’i skadojë kontrata me Prishtinën me të përfunduar edhe ndeshja finale e së dielës e Digitalb Kupës. Andaj, lojtari do të mundohet të tregojë maksimumin për t’u përshëndetur me skuadrën e tij të fëmijërisë edhe me një tjetër trofe, që nuk e ka fituar asnjëherë gjatë karrierës.

“Të dielën kemi ndeshjen e Kupës me Ferizajn. Sigurisht se ajo do të jetë e fundit në fanellën e Prishtinës të paktën për një kohë. Do të mundohemi bashkërisht që ta fitojmë edhe këtë Kupë dhe të përshëndetem me të gjithë trofetë e mundshëm të fituar”, theksoi Krasniqi. E pas kësaj, futbollisti më i dalluar këtë edicion në Superligë edhe zyrtarisht mund t’i bashkohet Partizanit.

“E përsërisë se gjasat janë të mëdha që të shkoj te Partizani. Po e pres edhe ndeshjen e Kupës për të zyrtarizuar gjithçka nëse veç do të rrjedhin gjërat pozitivisht”. Ndryshe, Krasniqi ka treguar edhe arsyen përse e dëshiron klubin nga Tirana. “Partizani këtë edicion është rikthyer në Kategorinë Superiore dhe janë duke bërë shumë përforcime. Janë organizuar dukshëm dhe kanë projekte të mëdha për vitet e ardhshme”, sqaroi Krasniqi. Kur kësaj i shtohet edhe oferta e mirë, atëherë vështirë se ky lojtar do të ‘tradhtojë’ tiranasit me ndonjë skuadër tjetër edhe pse të interesuara për shërbimet e tij ishin Tirana e Skënderbeu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat