Webber njofton largimin nga Formula 1

Sporti

Webber njofton largimin nga Formula 1

Më: 27 qershor 2013 Në ora: 14:13

Mark Webber njofton largimin nga Formula 1 në fund të këtij sezoni, duke konfirmuar zërat që qarkullonin prej kohësh rreth të ardhmes së tij. Piloti i skuadrës Red Bull e publikoi vendimin personalisht, duke deklaruar se gjatë vitit 2014 do të impenjohet në një projekt të ri në garat e makinave Porsche ku përfshihet edhe pjesëmarrja në garën 24 orë të Le Mans.

Lajmin e largimit, Webber e publikoi në faqen e tij zyrtare, ku shprehet i paduruar për të nisur eksperiencën e re me makinat më të shpejta të botës. Në vijim të deklaratës, 36-vjeçari shpjegon edhe shkaqet që e çuan në marrjen e këtij vendimi, duke theksuar se eksperienca e re do të ndihmojë të ndryshojë ambient. “Porsche ka shkruar historinë në garat automobilistike dhe është sinonim i teknologjive avangarde. Jam i paduruar për të nisur këtë aventurë të re pas shumë viteve në Formula 1”, shton mes të tjerash australiani që aktualisht mban vendin e pestë në klasifikimin e përgjithshëm të pilotëve. Gjithsesi, për të gjetur shkaqet e vërteta të këtij vendimi duhet të kthehemi vetëm disa muaj pas në kohë në garën e Malajzisë ku Vettel e parakaloi edhe pse nuk kishte lejen e drejtuesve të skuadrës, duke nxjerrë në sipërfaqe pakënaqësitë e australianit ndaj skuadrës austriake. Bashkëjetesa e tij me Vettel nuk ka qenë e lehtë as gjatë sezoneve të shkuara ku 36-vjeçari e ka shfaqur hapur pakënaqësinë pwr trajtimin jo tw barabartë që i është bërë te Red Bull.

Webber debutoi në botën e Formula 1 me skuadrën Minardi në vitin 2002 dhe një vit më pas u transferua te Jaguar Racing. Ai u bashkua me Red Bull në vitin 2009 duke regjistruar disa suksese personale por që nuk u konkretizuan në trofe, sepse gjatë viteve të bashkëjetesës me gjermanin Vettel, ky i fundit ka rrëmbyer 3 tituj kampionë, duke fituar edhe simpatinë e drejtuesve më të lartë të shoqërisë austriake si violina e parë në timonin e makinës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat