Zyrtarizohet Seedorf në stolin e Milanit

Sporti

Zyrtarizohet Seedorf në stolin e Milanit

Më: 16 janar 2014 Në ora: 14:41

Pas divorcit me Massimiliano Allegrin, erdhi edhe momenti i shumëpritur në shtëpinë e Milanit, nisja e një martese të re, të paktën dy vjeçare me Clarence Seedorf, i cili zyrtarisht është tekniku i ri i kuqezinjve deri më 30 Qershor 2016.

I ulur përkrah administratorit Adriano Galliani, profesori holandez vulosi kështu nisjen e një aventure të dytë në Milanello, duke firmosur kontratën, por këtë herë si trajner i skuadrës.

Menjëherë firma e Seedorf u pasua edhe nga njoftimi zyrtar i Milanit në Twitter, i shoqëruar me foton e dy të pranishmëve në zyrën e Gallianit. Nuk do të ketë asnjë moment pushim për holandezin, i cili për të nisur këtë etapë të re në karrierë, deklaroi pak ditë më parë tërheqjen nga futbolli i luajtur.

Nga Brazili ku luante ende për Botafogon, Seedorf u nis drejt Italisë për këtë rikthim të bujshëm te Milani, ku kaloi 10 vite nga karriera e tij e pasur. Pas firmës, një takim me stafin në Milanello për të vazhduar më pas me stërvitjen e parë të skuadrës, që duhet të përgatitet për ndeshjen e radhës në kampionat me Veronën, takim që luhet të Dielën në San Siro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat