Serbia i kërkon FIFA-së të anulojë vendimin për Kosovën

Sporti

Serbia i kërkon FIFA-së të anulojë vendimin për Kosovën

Më: 6 mars 2014 Në ora: 19:30

Serbia i kërkon FIFA-së të anulojë vendimin për Kosovën Federata e futbollit e Serbisë i ka dërguar një letër proteste vet presidentit të FIFA-së, Sepp Baltter, duke u munduar të mashtrojë për shumë gjëra në lidhje me ndeshjen Kosova – Haiti. Federata serbe e futbollit nuk ka mundur dot t’i rezistojë sjelljeve të saj tashmë të njohura, deri sa i ka dërguar letër Federatës botërore, FIFA duke i kërkuar të anulojë vendimin për Kosovën.

Letra e FSS-së vjen vetëm një ditë, pasi që Kosova shënoi debutimin e saj në skenën ndërkombëtare duke luajtur pa gola me Haitin në Mitrovicë, ndërsa kjo është bërë në saje të vendimit të FIFA-së që lejoi më 13 janar të këtij viti të gjitha anëtaret e saj të luajnë ndeshje miqësore me përfaqësueset dhe klubet kosovare. “Qysh në ndeshjen e parë janë vërejtur disa lëshime, gabime dhe fyerje të simboleve kombëtare të Republikës së Serbisë. Kemi fakte të theksuara se ekipi vendas në fanella ka bartur emblemën e të ashtuquajturës, Federatë e futbollit e Kosovës”, thuhet në shkresën e dërguar nga FSS-ja.

“Kjo posaqërisht është befasi pasi që personat zyrtar në lojë është dashur të shikojnë veshjet para fillimit të lojës dhe në përputhje me komisionin e çështjeve emergjente të FIFA-së kërkojmë heqjen e vendimit. Përveç zyrtarëve, në ndeshje ka qenë edhe vëzhguesi special i FIFA-së, i cili po ashtu nuk ka reaguar. Në këtë drejti, FSS-ja kërkon inicimin e procedurës disiplinore ndaj të gjithë drejtuesve të kësaj loje”. Çmenduria e Serbisë nuk ndalet këtu por shkon edhe shumë më larg se që mund ta mendojmë ne. “Para ndeshjes para stadiumit, tifozët kanë djegur flamurin e Republikës së Serbisë dhe në mënyrën më të rëndë kanë fyer simbolet e shtetit tonë. Gjatë ndeshjes përkrahësit vendas me thirrje të ndryshme kanë fyer kombin dhe shtetin serb”, thuhet në vendim. “FSS-ja më 18 shkurt me të marr informatën se loja do të zhvillohet në Mitrovicë, ka dërguar shkresë në FIFA duke përkujtuar për pasojat negative të këtij vendimi.

Në pjesën veriore të Mitrovicës jeton një numër i madh i qytetarëve të nacionalitetit serb dhe këtë e kemi paraqitur si provokim të planifikuar. Për fat të keq gjërat kanë ndodhur si i kemi parashikuar. Frika jonë se loja e futbollit do të shfrytëzohet për qëllime politike me dëshirën e reklamimit të shtetit që nuk ekziston, u dëshmua të jetë e saktë”. “Në kohën e marrjes së vendimit nga anëtarët e Komisionit për çështje emergjente të FIFA-së, FSS-ja ka paralajmëruar se motoja e FIFA-së “mundësimi i të gjithë fëmijëve të luajnë futboll” do të pësojë fiasko të vërtetë. Atëherë iu kemi thënë drejtuesve të FIFA-së nuk do të realizohet kjo moto, por ndeshja do të shndërrohet në vendtakim i ndikimit politik, që reptësisht është e ndaluar me statutin e FIFA-së. Futbolli dje në Mitrovicë, ishte tërësisht në planin e dytë, ndërsa shfaqja është shfrytëzuar si akt sulmi ndaj republikës së Serbisë, qytetarët tanë, simbolet dhe shtetësinë”, thuhet në njoftimin e Serbisë. “Në këtë drejtim, FSS-ja nga drejtuesit e FIFA-së pret reagim të shpejt me qëllim të dhënies së dënimeve për shkak të skenave të vandalizmit, nacionalizmit, shovinizmit dhe ksenofobisë.

PO ashtu, FSS-ja distancohet nga vendimi i komisionit për çështje emergjente të FIFA-së dhe kërkon rishqyrtimin e tërheqjen e saj. Të gjithë anëtarët e familjes se futbollit në Serbi në periudhën paraprake kanë bërë angazhime maksimale dhe kanë treguar mirëkuptim për këtë situatë komplete dhe komplekse, por kërkojmë që sporti i futbollit të mos bëhet vend për ndikime politike ndërkombëtare të shtetit të panjohur të Kosovës”. “Për përmbajtjen e letrës së protestit dërguar presidentit të FIFA-së, Sepp Blatter, FSS-ja do të informojë edhe presidentin e UEFA-së, Michel Platini”, thuhet në letrën e Federatës serbe të futbollit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat