Elis Bakaj te Kukësi, përfiton 40 mijë euro

Sporti

Elis Bakaj te Kukësi, përfiton 40 mijë euro

Më: 10 mars 2014 Në ora: 17:21

Ndodhi ashtu siç ishte parashikuar. Skuadra e Kukësit ka arritur të përfitojë shërbimet e mesfushorit shqiptar Elis Bakaj. Gjendja e acaruar në Ukrainë e ka ndërprerë kampionatin e futbollit dhe të gjithë futbollistët janë transferuar në kampionate të ndryshme. Edhe mesfushori shqiptar Elis Bakaj ka preferuar të rikthehet në kampionatin tonë dhe ka zgjedhur skuadrën e Kukësit.

Si fillim Bakaj ka dashur të rikthehet në ekipin e Dinamos së Bukureshtit, por me sa duket nuk ka gjetur hapësira dhe ka preferuar të rikthehet në Tiranë. Për të ishin të interesuara shumë ekipe, por më së shumti ato të kryeqytetit dhe Kukësi.Këta të fundit ia kanë dalë të marrin në gjirin e tyre një prej lojtarëve më cilësorë që ka vendi ynë. Elis Bakaj vjen si një dhuratë për Starovën, por edhe për tifozërinë e Kukësit që këtë javë është e mërzitur për shkak të humbjes me Tiranën. 40 mijë euro Elis Bakaj ka firmosur me Kukësin një kontratë që e mban të lidhur deri në fund të këtij sezoni.

Më vonë asgjë nuk dihet dhe lojtari mund të qëndrojë ose mund të largohet sërish. Me këtë përforcim, skuadra nënkampione ka më shumë shanse për të arritur objektivat. Sulejman Starova do të ketë një lojtar të fortë për të synuar gjithmonë majat. Kuksianët kanë një infermieri të mbushur plot dhe situata është shumë e vështirë për momentin. Faza e tretë e gjen Kukësin me merkato, por duke respektuar të gjitha rregullat. Bakaj ishte një lojtar i lirë dhe mund të firmoste me të gjitha ekipet që e kërkonin. E donte Partizani Menjëherë sa po qarkulloi lajmi se Elis Bakaj do të largohej nga skuadra ukrainase, kanë qenë tifozët e Partizanit që kanë marrë një nismë shumë interesante duke i kërkuar atij të vishte fanellën e kuqe.

Ende nuk është marrë vesh përse nuk ndodhi një transferim i tillë, por Elis Bakaj do të luajë kundër Partizanit edhe për objektiva. Dy skuadrat luajnë për një vend në Evropë, ekzaktësisht për vendin e dytë në klasifikim. Gjici: Qëndron dy sezone nëse s’ka oferta nga jashtë Presidenti i Kukësit, Safet Gjici ka treguar prapaskenat e arritjes së marrëveshjes me Elis Bakajn, por edhe klauzolën për të ardhmen. Gjici tha për “Gazeta e Sportit” se përfituan nga fakti që Bakaj ishte i lirë dhe i bënë atij një ofertë konkrete. “Jemi të lumtur që kemi arritur të marrim një lojtar si Bakaj. Ai ishte i lirë dhe ne sigurisht që duhet të ndërhynim për ta afruar.

Nuk më pengoi aspak fakti që tifozët e Partizanit i kanë bërë ftesë lojtarit”, tha Gjici. Numri një i skuadrës së Kukësit ka theksuar se ekipi i tij duhet të luftojë në të dyja kampet dhe i ka të gjitha shanset dhe potencialin për ta arritur atë. “Do të tentojmë të arrijmë në Evropë dhe të bëjmë rrugë të gjatë. Nuk dua të zgjedh se si do të shkojmë në Evropë sepse ne do të luftojmë si në kampionat, por edhe në Kupën e Shqipërisë. Tani që kemi edhe Bakajn jemi edhe më të fortë kështu që do të luftojmë për të gjitha objektivat. Asgjë nuk ka ndryshuar dhe Kukësi nuk i ka ndryshuar objektivat e tij”, ka sqaruar presidenti i Kukësit Safet Gjici.

Dopietë dhe supergol, Berisha prek titullin

Besart Berisha ka arritur të shënojë dy gola shumë të rëndësishëm në fitoren e ekipit të tij Brisbane Roar, që udhëheq kryesimin e Ligës australiane dhe është shumë pranë titullit kampion. Në ndeshjen e djeshme ndaj Adelaide Junajtid, ekipi i sulmuesit shqiptar nuk e ka vënë asnjëherë në diskutim fitoren duke e hipotekuar atë që në pjesën e parë. Luanin përballë tifozërisë së tyre dhe nuk kishte asnjë dyshim që do të fitonin.

Berisha shënoi golin e parë të tij që në minutën e 22-të të ndeshjes dhe ngriti peshë tifozët e pranishëm. Sulmuesi me origjinë kosovare është duke bërë gjithçka që të fitojë trofeun me ekipin e tij aktual, sepse sezonin tjetër do të luajë me një tjetër skuadër. Në pjesën e dytë Berisha ka shënuar një supergol që ka bërë me krahë tifozët, të cilët janë duke menduar për të festuar titullin kampion. Ekipi i Brisbanes është 10 pikë më shumë se ndjekësi i saj më i afërt, ndërsa Besart Berisha ka arritur të kapë kuotën e dhjetë golave në kampionatin australian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat