Tirana konfirmon largimin e Mario Morinës

Sporti

Tirana konfirmon largimin e Mario Morinës

Më: 9 gusht 2015 Në ora: 22:49

Pas një vere të kaluar si i divorcuar i detyruar të jetojë nën një cati te Tirana, Mario Morina ndan përfundimisht rrugët me skuadrën bardheblu. Ka qenë vetë klubi 24 herë kampion që ka zyrtarizuar divorcin me qendërsulmuesin nëpërmjet një komunikate për shtyp, ku konfirmohet se 22-vjecari nuk është më pjesë e Tiranës. Klubi bardheblu bën të ditur se sulmuesi ka refuzuar të paraqitet në stërvitje prej një jave dhe nuk ka kthyer përgjigje për të ardhmen e tij, dhe duke qenë se ka shkelur afatet e vendosura nga Tirana përfundimisht nuk është më pjesë e planeve të bardhebluve për sezonin e ri.

Tirana vetëm pak ditë më parë në komunikatën ku zyrtarizonte lamtumirën e një tjetër futbollisti, Dorian Kërcikut, saktësonte se Morina nuk kishte vendosur ende për të ardhmen, pavarësisht raportimeve mediatike për një transferim të tijin te Flamurtari, por tani i gjendur përballë refuzimit të Morinës ka vendosur t’i japë fund pritjes. Në këtë mënyrë 22-vjecari pritet të transferohet në Vlorë për t’u vënë nën urdhërat e trajnerit Stanislav Levi me Flamurtarin që i dha fund këtë të dielë edhe minifazës përgatitore në Slloveni. Mario Morina është një produkt i skuadrave zinxhir të Tiranës ku ka kaluar gjithë karrierën e tij me përjashtim të sezonit 2013-2014 kur u huazua te Skënderbeu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat