Shqipëri, jepuni një “shuplakë” tjetër portugezëve!

Sporti

Shqipëri, jepuni një “shuplakë” tjetër portugezëve!

Më: 7 shtator 2015 Në ora: 10:29

Jepuni një “shuplakë” tjetër! Të kuptohemi drejt, e kemi fjalën në aspektin sportiv dhe jo si shuplaka e Telit kundrejt Ronaldos, që e la Shqipërinë me 10 veta në Bragë 5 vite më parë…

E, megjithatë, ishte një ndeshje ku, pavarësisht se me një lojtar më pak, raste të pastra pa fund të krijuara nga vendësit, shtylla të goditura dhe shumë presion, kuqezinjtë i kaluan pritshmëritë dhe morën një barazim 0-0. Në atë kohë u konsiderua historik. Edhe në sfidën e kthimit ishim vetëm pak sekonda larg barazimit, nëse Isli Hidi nuk do të kishte bërë daljen e gabuar duke u dhuruar golin e fitores luzitanëve në kohën shtesë.

Pesë vite më pas, shorti na përball sërish me Portugalinë. Dhe, të flasësh për një Kombëtare që ka në përbërje “yje” të nivelit botëror si Ronaldo, Luis Nani, Koentrao, Karvajo, Mutinjo, Pepe apo Pereira është e frikshme. Megjithatë, takimi hapës i këtij edicioni nisi pikërisht me një mrekulli që nuk e besonte askush, shkruan panorama sport.

Shqipëria fitoi 1:0 në Portugali me supergolin e Bekim Balajt. Shumë e konsideruan rastësi, por tani kur ka kaluar diçka më shumë se gjysma e eliminatoreve, Shqipëria është e vetmja skuadër e grupit që nuk ka pësuar humbje dhe renditet e treta, një pikë më pak se Portugalia e vendit të parë. Kuqezinjtë nuk janë më një rastësi e bukur që zgjaste vetëm një natë apo pak ndeshje. Tani janë një ekip i konsoliduar, i cili funksionon më së miri nën drejtimin e Xhani de Biazit. Sot do të kenë sërish përballë Portugalinë në “Elbasan Arena”.

Një barazim do të ishte shumë i rëndësishëm në luftën për vendin e dytë, ndërsa një fitore do të thoshte vendi i parë në grup përkohësisht dhe, praktikisht, kualifikim në “Francë 2016″. Luzitanët janë mësuar me shuplakat e Shqipërisë, në të dyja kuptimet. Edhe kur Teli bëri të lotonte Ronaldon, edhe kur Balaj shtangu një komb të tërë. Sot është radha që Shqipëria t’i japë shuplakën e fundit Portugalisë dhe yjeve të saj. Goditje sportive, sigurisht. De Biazi ka deklaruar se do të luajë për fitore dhe precedenti i shtatorit të kaluar nuk të lë të hamendësosh. Shqipëria mund të hyjë që sot në histori. Është dita kuqezi…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat