Zvicra në mbështetje të refugjatëve, dhuron Euro për çdo gol

Sporti

Zvicra në mbështetje të refugjatëve, dhuron Euro për çdo gol

Më: 12 shtator 2015 Në ora: 16:09

Situata e vështirë në të cilën ndodhen me mijëra refugjatë në të gjithë Europën ka prekur edhe futbollin dhe pas klubeve të tilla si Bayern Munich, Reali i Madridit, Borussia e Dortmundit, Schalke 04 etj në ndihmë këtyre njerëzve kanë vendosur t’u vinë edhe klubet e Superligës Zvicerane. Federata e këtij vendi me një komunikatë zyrtare bëri të ditur se skuadrat e Superligës Zvicerane për t’u solidarizuar me situatën që po përjetojnë refugjatët kanë vendosur të dhurojnë për këtë shtresë njerëzish 455 Euro për cdo gol që do të shënojnë gjatë kësaj fundjave në ndeshjet e kampionatit.

Një vendim ky i skuadrave zvicerane që pason shumë klube të tjera futbolli në Europë që u kanë ardhur në ndihmë refugjatëve me të ardhura, ushqim por edhe veshmbathje. Në fakt kësaj nisme vetëm pak ditë më parë iu bashkuan edhe dy klubet e Milanos. Trajnerët respektivë të Interit dhe Milanit, Roberto Mancini dhe Sinisa Mihajlovic u shprehën se skuadra që do të fitojë derbin e kësaj të Diele do të dhurojë ndihma për refugjatët. Më herët Reali i Madridit dhe Bayerni i Mynihut kanë vendosur në dispozicion të kësaj kategorie njerëzish nga 1 milionë Euro secili ndërsa Borussia e Dortmundit u solidarizua me refugjatët duke afruar qindra prej tyre në “Signal Iduna Park” për të ndjekur një ndeshje të skuadrës verdhezi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat