Kombëtarja drejt Armenisë, çfarë u tha De Biazi lojtarëve para nisjes - Bota Sot
Kombëtarja drejt Armenisë, çfarë u tha De Biazi lojtarëve para nisjes

Sporti

Kombëtarja drejt Armenisë, çfarë u tha De Biazi lojtarëve para nisjes

Më: 10 tetor 2015 Në ora: 13:24

Kombëtarja shqiptare e futbollit është nisur mesditën e së shtunës drejt Jerevanit, në Armeni.

Kuqezinjtë e De Biazit lanë aeroportin e Rinasit rreth orës 12:30 drejt për të provuar të dielën shansin e fundit për një kualifikim direkt në eliminatoret e “Euro 2016”.

Ndeshja mes Armenisë dhe Shqipërisë do të luhet nesër në orën 18:00. Takimi pritet me interes për sportdashësit shqiptarë për faktin se Kombëtares i duhet vetëm një fitore për t’u kualifikuar në Kampionatin Europian.

Kuqezinjtë shkojnë në Armeni pas rezultatit zhgënjyes që morën në stadiumin e Elbasanit dy ditë më parë ndaj Serbisë.

Ja si De Biazi motivon ekipin

Mëngjesi i së premtes i gjeti futbollistët e Kombëtares në rezidencën e zakonshme në Durrës. Mes dëshpërimit për rezultatin, lojtarët nuk mund ta kalonin aq lehtë humbjen shokuese në minutat shtesë kundër Serbisë. Disa nuk u besonin ende syve sesi skuadra pësoi dy gola në fund dhe për më tepër me kundërsulm.

“E njëjta histori është gati e pabesueshme. Nuk ka asnjë justifikim për mënyrën sesi e pësuam”, tregojnë për gazetën lojtarët kuqezi, të cilët nuk kishin dëshirë të identifikoheshin. Burime të “Panorama Sport” pranë Kombëtares kanë bërë të ditur se trajneri De Biazi nuk ka humbur kohë, por menjëherë pasi ekipi ka konsumuar vaktin e mëngjesit, i ka thirrur lojtarët në mbledhje në sallën e konferencave të rezidencës.

Trajneri “Serbia është tashmë një kapitull i mbyllur për ne. Ua thashë edhe pas ndeshjes që u rrëmbyem nga euforia dhe nuk u treguam inteligjentë në fushë. Kurrsesi nuk duhet të ndodhte, por tashmë gjithçka ka mbaruar dhe duhet të harrojmë atë që iku. Na pret një finale në Armeni dhe duhet ta përgatisim të qetë këtë takim. Do të shikojmë së bashku kundërshtarin, duke u fokusuar 100% te loja e tyre. Të gjithë jeni të ndërgjegjshëm për rëndësinë e këtij takimi, unë besoj shumë te ju. Një fitore na çon në Francë, nuk ka vend për dekurajim”.

Kështu mësohet t’u ketë thënë dje paradite trajneri lojtarëve kuqezinj. Vëzhgimi Menjëherë pas fjalimit të De Biazit, në videoprojektor është shfaqur ndeshja miqësore e luajtur dy ditë më parë mes Armenisë dhe Francës, që përfundoi me fitoren e kësaj të fundit në shifrat e thella 4-0. Për afro një orë e gjysmë, futbollistët janë njohur me gjendjen aktuale të Armenisë, që përtej humbjes së thellë, bëri një paraqitje dinjitoze në pjesën e parë.

Skuadra e drejtuar nga Sargis Hovsepjan i kishte të gjithë lojtarët e gatshëm, madje edhe yllin e Borusias së Dortmundit, Henrik Mkhitariajn. Shpesh De Biazi, gjatë vëzhgimit të kundërshtarit, ndalte videon dhe u shpjegonte më hollësisht lëvizjet e Armenisë në takimin ndaj Francës, pikat e dobëta që kishte dhe ato të forta.

“Nuk është ajo Armeni që kemi mundur, ka ndryshuar, kështu që duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të ndjekur më mirë cilësitë dhe të metat që ka kjo skuadër. Na pret një ndeshje e fortë, ata vijnë pas një humbjeje të thellë, do të duan ta mbyllin pozitivisht”, u ka thënë italiani lojtarëve. Pasi u analizua kundërshtari me ndeshjen e tij të fundit, pritet që sot ekipi të vëzhgojë një tjetër ndeshje të Armenisë, por këtë herë në rastet kur kjo skuadër ka arritur rezultate pozitive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat