Seria A, Higuain “nderon” Juven, Roma fitore me goleadë

Sporti

Seria A, Higuain “nderon” Juven, Roma fitore me goleadë

Më: 20 gusht 2016 Në ora: 23:45
Higuain

Sezon i ri, Juve e vjetër po njësoj fitimtare edhe pse sfida e parë e kampionatit ishte delikate pasi sillte në Juventus Stadium rivalitetin e ndezur me Fiorentinën. Fituan sërish bardhezinjtë, 2-1 në një ndeshje të luftuar ku debutoi me atë që di të bëjë më mirë, duke shënuar golin e fitores Gonzalo Higuain.

E niste nga stoli argjentinasin, me Allegrin që i besonte dyshes më të kolauduar Dybala – Mandzukic, një ndeshje ku Juve mori shpejt frenat duke krijuar më tepër dhe gjeti avantazhin në minutën e 37 me Chiellinin që tregon se di të bëjë dhe njeriun asisti dhe Khedirën që me kokë nuk i la shpëtim Tatarusanut.

1-0 për Juventusin që vazhdoi të dominonte duke patur disa raste për të dyfishuar por pjesa e parë u mbyll  me këtë rezultat. Në minutën e 66 ishte dhe momenti i debutimit të Gonzalo Higuain, blerjes së bujshme të kësaj vere, por vëmendjen vetëm 4 minuta më vonë e vodhi Kalinic që në një goditje këndi u shfaq në shtyllën e dytë për të ndëshkuar Buffon.

1-1 dhe gjithcka nga e para, por ekuilibri zgjati vetëm fare pak, pasi në minutën e 74 El Pipita filloi të shlyejë 94 milionë eurot e shpenzuara për të me golin e parë me fanellën e Juventusit.

Debutim me gol për Higuain, shënon menjëherë argjentinasi dhe duket se pak kush do të flasë tani për kilogramët e tepërta. Për më tepër ishte ky goli i fitores që vlen 3 pikë të rëndësishme për Juventusin që ju jep që në start një mesazh të fortë të gjithë pretendentëve për ta zbritur nga froni.

E nis me një fitore Roma që celi më herët siparin e Serie A 2016-2017 duke fituar 4-0 ndaj Udinezes, Një fitore e thellë por që duhet theksuar se erdhi pas një pjese të parë ku verdhekuqtë vuajtën në pjesën e parë dhe bënë shumë mirë në të dytën, duke e arritur këtë rezultat në 25 minutat e fundit me dy penallti dhe Diego Perrotin që i futur nga stoli i ndryshoi fytyrën ndeshjes. Në minutën e 60, 11- metërshi ishte i diskutueshëm pasi Dzeko duket se niset në pozicion milimetrik jashtë loje, dhe kontakti me Danilon është i dyshimtë por nga pika e bardhë Perroti nuk fal duke sjellë avantazhin. Pas 10 minutash ka një tjetër penallti këtë herë e dhënë për faulin e Badu që rrëzoi Salah, me Perotin që bën bis nga pika e bardhë. Në të 82 Roma mbylli llogaritë me Dzekon që shënoi me portën bosh pas asistit të Nainggolan, por nuk kishte mbaruar aty pasi erdhi dhe goli i katërt me Peroti që pas dy mintash gjeti Salah dhe egjiptiani shënoi duke mposhtur në dy tentativa Karnezios. 4-0 dhe Romës i duhet të mendojë menjëherë për ndeshjen në Champions me Porton.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat