Hasani priti Zejnullahun, kampion bote në Powerlifting

Sporti

Hasani priti Zejnullahun, kampion bote në Powerlifting

Më: 23 gusht 2017 Në ora: 18:53
Besim Hasani, ka pritur peshëngritësin, Diell Zejnullahu

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, z.Besim Hasani, ka pritur peshëngritësin, Diell Zejnullahu, i cili muaj më parë u shpall kampion bote në “IPF World Classic Benchpress Championships”, të mbajtur në prill të këtij viti në Kileen dhe Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Zejnullahu zuri vendin e parë për moshën U-17, në kategorinë deri në 105 kilogram. Ai përfaqësoi Britaninë e Madhe, ku edhe ka lindur në vitin 1999, derisa ka prejardhjen nga Lipjani.

I shoqëruar nga babai i tij, Arsimi, ata u pritën ngrohtësisht nga i pari i KOK-ut.

z.Hasani përgëzoi Diellin për suksesin e arritur.

Sporti në të cilin garon ai quhet Powerlifting, disiplina Benchpress, që ka ngjajshmëri me peshëngritjen, vetëm se në këtë disiplinë peshat e rënda ngriten me trupin shtrirë, sport ky që në Kosovë nuk praktikohet.

Pikërisht ky është problemi që Dielli nuk mund ta përfaqësojë vendin tonë në të ardhmen, përkundër dëshirës së flaktë të tij dhe refuzimit që ia ka bërë ftesës së Britanisë së Madhe.

Bazuar në talentin e tij edhe në peshëngritje dhe në disiplina të ndryshme të atletikës, presidenti i KOK-ut e këshilloi për privilegjet që sjellin sportet olimpike, pasi powerlifting nuk është sport olimpik.

Mysafirët falënderuan z.Hasani për pritjen dhe këshillat e marra, duke i konsideruar ato si kruciale për karrierën e Diellit.

Ata premtuan se në të ardhmen do të kenë befasi të këndshme për Kosovën, pasi talenti i 17-vjeçarit premton suksese të mëdha.

Në fund, z.Hasani ndau dhurata simbolike për Diellin dhe babain e tij, përfshirë librin “Debutimi i Artë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat