Edhe komuna e Gjilanit si qendër e Anamoravës, është bërë me një klub sportiv atraktiv. Fjala është për klubin e gjimnastikës ‘Halil Alidema’, themelues i së cilit është pedagogu i njohur dhe ish sportisti Hazir Alidema.
Duke folur rreth themelimit të këtij klubi, i cili është i dyti në Anamoravë dhe i 10-ti në Republikën e Kosovës, Hazir Alidema, shprehet se më në fund i është realizuar dëshira që edhe në Gjilan edhe zyrtarisht (pas dy vitesh aktiviteti) të themeloj një klub të gjimnastikës pas atij që kishte themeluar nga fundi i vitit 2016 në Viti e që është me të njëjtin emër. Alidema, shprehet se nevoja për themelimin e dhe të një klubit të tillë të gjimnastikës edhe në Gjilan, ka qenë e nevojshme, pasi që në qytetin e Gjilanit ka talente të shumta të cilat dëshirojnë të merren me këtë sport, por të cilat nuk kanë mundur të kyqen në KGJ ‘Halil Alidema’ në Viti, për shkak të kushteve jo të mira si dhe të udhëtimit e të grumbullimit të tyre në një klub siç është ai në Viti.
Ai falënderon edhe kompetent e kësaj komune që i kanë dhënë mbështetje për formimin e këtij klubi, të parin në këtë komunë në sportin e gjimnastikës, ku tashmë janë të regjistruara mbi 15 vogëlushe. Alidema punon me vogëlushet gjimnaste, thotë se në klub janë të regjistruara nga 9 deri në 11 vjet, e numri i tyre është rreth 15 të cilat me talentin e tyre që kanë, po mahnitin ata të cilët kanë qenë në këto ngjarje të ndryshme, ku kanë përformuar anëtarët e këtij klubi. Pedagogu Alidema shprehet që në klub gravitonin numër i vogël i nxënësve dhe ai ishte i detyruar ti bashkonte gjimnastet e Gjilanit dhe të Vitisë për të përformuar në ngjarjet e ndryshme që organizoheshin me vështirësi të mëdha. Tani kushtet për punë do të jenë shumë më të mira sepse do të ushtrojnë në palestrën e sporteve “Bashkim Selishta” në Gjilan. “Paraqitjet e klubit te gjimnastikës në Gjilan ishin në nivelin më të lartë artistik dhe akrobatik, ku publiku gjilanas i përcillte përformancat e vogëlusheve me duartrokitje frenetike.
Duke parë se gjimnastika nuk është e popullarizuar si futbolli, xhudoja, mundja, etj. çdo fillim ka qenë i vështirë e me pak mjete konkretizimi, me pak mjete financiare dhe pa mbështetje të duhur nga institucionet komunale, por një vullnet i madh dhe dëshira ime për të ringjallë sportin e gjimnastikës edhe në qytetin e Gjilanit më ka shtyrë që të angazhohem edhe më shumë”, tha Alidema. Ai ka fjalë të mira për talentin që kanë për të gjitha vogëlushet që janë pjesë e këtij klubi, por një të ardhme të ndritur ai parashikon vogëlushes Sara Maliqi. Gjimnaste të këtij klubi janë: Sara Maliqi, Lejla Zymeri, Aurela Sherifi, Riga Osmani , Enea Miftari, Esra dhe Ornela Bajrami, Diola Nuhiu, Alea Kosumi, Aksel Murtezi, Narina Sabedini, Tringa Toska, Platina Dushica, Flandra Toska, Tringa Isaku dhe Kanarina Misini.