U kërkua fuqizim i rolit të femrës në sport - Bota Sot
U kërkua fuqizim i rolit të femrës në sport

Sporti

U kërkua fuqizim i rolit të femrës në sport

Më: 24 shtator 2018 Në ora: 17:00
U kërkua fuqizim i rolit të femrës në sport

Me pjesëmarrje masive të federatave sportiv, deputete të Kuvendit të Kosovës, artit, kulturës dhe panelistë nga fusha të ndryshme, është mbajtur të dielën konferenca e dytë “Barazia Gjinore dhe Diversiteti”, e cila këtë herë ishte pjesë e Javës Evropiane të Sportit, të organizuar nën patronatin e ministrit për Kulturë, Rini e Sport, Kujtim Gashi.
Konferenca kishte për qëllim fuqizimin e rolit të femrës në sport, derisa u dhanë mesazhe të fuqishme për të tejkalimin e sfidave të ndryshme, nëpër të cilat mund të kalojnë sportistet.
Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri Kujtim Gashi tha se jo rastësisht kanë zgjedhur Konferencën Barazia Gjinore dhe Diversiteti, për ta hapur Javën Evropiane të Sportit, që për herë të parë po organizohet në Kosovë. “Në këtë kuadër dhe në përputhje me Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe kornizën ligjore në fuqi, MKRS është e fokusuar në fuqizimin e rolit të grave dhe vajzave në sport e sidomos avancimit të pozitës së tyre duke adresuar politika të avancuara në fushën e barazisë gjinore në kuadër të procesit të avancimit të kornizës ligjore dhe institucionale në fushën e sportit\", tha ministri Gashi, i cili mori një dhuratë nga presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, në emër të Komitetit Olimpik të Evropës.
Presidenti Hasani në fjalën e tij përshëndetëse tregoi se synimet e KOK-ut janë që të krijojmë barazi gjinore 50 me 50 për qind. “Konferenca e dytë është në linjë me planin strategjik të KOK-ut dhe me objektivat strategjike, ku barazia gjinore dhe diversiteti qëndron lart, pasi ne i kushtojmë rëndësi të madhe dhe duam ta arrijmë dëshirueshmërinë, ashtu siç na ka krijuar Zoti, 50 me 50 për qind”, tha ndër të tjera presidenti Hasani.
Konferenca u organizua në formë të paneleve, ku pikërisht në panelin e parë ishte ministri Kujtim Gashi, bashkë me Xhemile Shabani, drejtoreshë për Kulturë, Rini e Sport në Komunën e Ferizajt, Edi Gusia, kryeshefe ekzekutive e Agjencinë për Barazi Gjinore, Shqipe Zogiani, kryetare e Komisionit Femra dhe Sporti dhe Lumturije Muhadri, gjyqtare e futbollit me licencë të FIFA-së, të cilët diskutuan për temën: “Evidentimi i ndryshimeve të fuqizimit të femrës në sport midis dy konferencave, gjendja në klube, në federata, gjendja me trajnere, delegate, gjyqtare, zyrtare, ndikimi i qeverisë lokale dhe qendrore në fuqizimin e femrës. Panelistët kërkuan rritje të numrit të femrës në sport, konkretisht në federata, përkrahje më e madhe mediale, përmirësim të infrastrukturës nëpër komuna, etj. Zogiani tha se për dallim nga viti i kaluar ka rritje të numrit të përfshirjes së femrave në federata, kombëtare, etj.
“Femra në sport, menaxhim dhe lidership”, ishte tema e dytë në të cilën diskutuan panelistët: Blerta Deliu, kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Valbona Rudaku, trajnere e Kombëtares së Kosovës në hendboll (femrat) dhe Qëndresa Krelani, moderatore dhe komentatore e sportit, të cilat treguan sfidat e tyre në fushën e sportit.
Edhe këtë herë u shtjellua tema e ndjeshme për personat me aftësi të veçanta në sport, për të cilën folën Sebahate Beqiri, drejtoreshë në “Down Syndrome Kosova”, Njomza Emini, presidente e Komitetit ParaOlimpik të Kosovës dhe Emine Llalloshi, trajnere e notit, të cilat kërkuan trajtim më të madh dhe përkrahje për personat me aftësi të veçanta.
Në konferencë u diskutua edhe për temën: “Sfidat e të qenurit sportiste dhe nënë”, në të cilën në panel ishin: Halime Fetahu Osmani, kryetare e KV Medlin Ollbrajt, Shpresa Hasani, anëtare e Komisionit Femra dhe Sporti, Arlinda Morina, sportiste dhe regjisore, si dhe Arta Cakiqi, trajnere e bodybuildingut dhe fitnesit. Ato treguan për sfidat e të qenurit sportiste dhe nënë, ndërsa emocionuese ishte rrëfimi i Arlinda Morinës, e cila falë sportit ka arritur të kalojë sfidën më të vështirë të jetës, për çka sëmundjen e cila i ishte shfaqur, e kishte konsideruar si garë.
Krejt në fund, organizatori mbeti të nxjerrë rekomandimet e dala nga kjo konferencë, të cilat do t’iu dërgohen pjesëmarrësve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...