Kosova me pesë sportistë në Buenos Aires, synon medalje

Sporti

Kosova me pesë sportistë në Buenos Aires, synon medalje

Më: 1 tetor 2018 Në ora: 19:17
Kosova me pesë sportistë në Buenos Aires, synon medalje

Ekipi Olimpik i Kosovës që do të përfaqësojë vendin tonë në Lojërat Olimpike për të Rinj (LOR), Buenos Aires 2018, është prezantuar të hënën pasdite, para nisjes për në kryeqytetin e Argjentinës. Kosova do të përfaqësohet me pesë sportistë: Erza Muminoviq (xhudo), kategoria -44 kilogramë, Erdonis Maliqi (boks), kategoria  64 kg, Muhamet Ramadani (atletikë) disiplina: hedhje e gjyles 5 kg, Melisa Zhdrella (not) disiplina: 50 metra krol dhe Bleron Fetaovski (peshëngritje), kategoria deri 77 kg. Erza është e vetmja me normë Olimpike, kurse të tjerët marrin pjesë me ftesë.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, u tha sportistëve të nisen si kampionë, të qëndrojnë si kampionë dhe të kthehen si kampionë. Ai theksoi se falë xhudistes, Erza Muminoviq, kampione e Evropës për kadete dhe e para në renditjen botërore, kategoria -44 kilogramë, synohet medalja historike. Po ashtu, Hasani, theksoi se shpresa për sukses kanë edhe sportistët tjerë, të cilët vazhdimisht po i përmirësojnë rezultatet e tyre. Ai tha se me këtë deklarim nuk dëshiron të bëjë trysni tek asnjë sportistë, për shkak të rëndësisë së madhe që kanë Lojërat Olimpike.

Hasani përmendi edhe barazinë gjinore, duke u ndjerë krenarë që Kosova nga pesë sportistë, dy i ka të gjinisë femërore. I pranishëm për t’i dhënë përkrahje sportistëve, ishte edhe ministri për Kulturë, Rini e Sport, Kujtim Gashi, i cili shprehu edhe një herë mbështetjen për sportistët, duke vlerësuar lartë pjesëmarrjen e Kosovës në këto Lojëra. Ministri uroi të kthehen me medalje siç ka ndodhur edhe në garat e kaluara, duke shprehur bindjen se bazuar në talentin dhe kapacitetin që kanë sportistët, veçanërisht Erza, Kosova edhe nga këto Lojëra do të na sjellë medalje.

Ministri u pyet edhe për Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë, e cila ka mbetur ende pa u nisur, për të cilën tha se janë në pritje të gjetjes së lokacionit nga Komuna e Pejës. Xhudistja Erza Muminoviq u shpreh se nuk e kishte pritur që do ta fitojë normën Olimpike, por pas të gjitha sukseseve të këtij viti ia arriti qëllimit. Ajo theksoi se Majlinda Kelmendi është idhulli i saj dhe të gjitha xhudisteve.

Notarja Melisa Zhdrella u shpreh se do të mundohet të thyejë rekordin e Kosovës, duke shprehur brengën e saj për infrastrukturën sportive në vend, për çka ministri Gashi theksoi edhe një herë nismën e MKRS për të investuar në ndërtimin e Pishinave Olimpike në Kosovë. Optimist për sukses u shpreh edhe boksieri, Erdonis Maliqi, i cili deklaroi se kanë bërë përgatitjet e duhura për LOR Buenos Aires 2018, ndërsa trajneri i atletikës, Mustafë Merovci, tha se qëllimi është të shkohet në finale dhe më pas të arrihet më e mira e mundshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat