Krasniqi: Me Ganiun, të pandarë në bojkotimin e profesoreshës së gjuhës serbe

Sporti

Krasniqi: Me Ganiun, të pandarë në bojkotimin e profesoreshës së gjuhës serbe

Nga: K. G. Më: 19 tetor 2018 Në ora: 16:52
Gani Maloku

Gani Maloku para pak ditëve ndërroi jetë. Ferizaj dhe Kosova humbën një veprimtar të shquar jo vetëm sportiv, sidomos një njeri që dha shumë për pingpongun. Maloku ka qenë prej kontribuuesve më të mëdhenj të lojës me topin e celuloidit. Një shok i tij i pandashëm, Avdulla Krasniqi, kujton kohën e rinisë me të përmes një letre dhe është shumë i pikëlluar për vdekjen e Ganiut.   

"In Memorian, ah sikur ta kisha një grusht të fortë, e t'i bija malit që s'bezan!" – Migjeni.

Po si Migjeni që udhëtoi dikur për Pukë dhe Vrrakë, për t'iu dhënë nxënësve mësim, edhe ky udhëtoi së pari për Jezerc, pastaj Stagovë e se fundmi Bibaj, për t'iu dhënë njomakëve dritën e diturisë, e qe sot janë kuadro të vyera të Kosovës së Lirë.

Në atë mal është mortja e zezë e cila e mori babanë e mrekullueshëm, vëllamë e dashur, nga nipat dhe mbesat një Gjysh të pazëvendësueshëm, nga nëna të birin që e rriti me mund edhe dashuri, e që sot digjet e përvëlohet si 'kandili kur s'ka vaj', bashkëshortin e devotshëm, kurse nga ne, shokun e Klasës V-4 i cili do te na mbetet në kujtesë sa të jemi të gjallë.

Isha i pandarë me të që nga viti i largët shkollor '63/'64 i shekullit te kaluar. Isha në një klasë dhe 5 vite në një bankë shkollore. Të pandare 55 vite shoqërim bashkë. Të pandare në Demonstratat e vitit '68. Të pandarë në bojkotimin e profesoreshës së gjuhës serbe, që të mos e zhvilloje orën mësimore për anti-Shqiptarin e përbetuar, Ivo Andriq. I tillë ishte Ganiu, këmbëngulës dhe i pathyeshëm për ideal. Me pas punuam së bashku si mësues në të njëjtën drejtori, por paralele e ndarë disa vite.

Pas luftës nuk e harruam shoqërinë e vjetër, takoheshim së paku një herë në dy javë, duke evokuar kujtime rinore. Por ja qe vdekja e ndau nga ne.

Edhe ne të gjeneratës do të shkojmë një ditë tek Ai, por nuk do të takohemi. Do të jetë në ne dhe me ne sa të jemi në këtë botë.

Le të jenë këta rreshta, kujtim nga unë për familjarët që e humbën sot, kujtim për shokun e nderuar në mesin tonë dhe gjetiu. Kishte tipare të larta njerëzore, i hareshëm, modest, gazmor dhe i afërm me të gjithë.

Po të isha ne varrim, do të përkulesha para varrit në shenjë nderimi, do ta hedhja një grusht dhe mbi varr në shenjë kujtimi. Lavdi e përjetshëm, Shok i nderuar!”, shkruan Avdulla Krasniqi nga Kaçaniku i Vjetër, që jeton e vepron në Kanadë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat