Votë kundër Lojërave Olimpike Dimërore

Sporti

Votë kundër Lojërave Olimpike Dimërore

Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 17:24
Ilustrim

Gara për zhvillimin e Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 2026 u reduktua në vetëm 2 kandidatura: atë të Stokholmit dhe të Milano-Kortinës.

Kandidatura e Kalgarit doli përfundimisht jashtë gare pas referendumit të mbajtur në këtë qytet, ku rezultoi se 56.4% e popullsisë votoi kundër organizimit të këtij evenimenti në tokën kanadeze. Rezultati i këtij referendumi do të shqyrtohet ditën e hënë në Këshillin Bashkiak të Kalgarit. Edhe pse nuk është e detyrueshme që të merret parasysh, përshtypja që krijohet në këtë pikë është se ky këshill do të pranojë rezultatin e këtij referendumi.

Tani, e gjithë beteja për organizimin e këtij evenimenti do të jetë mes kandidaturës së përbashkët italiane të Milano e Kortinës dhe asaj të Stokholmit. Por, edhe në rastin e kandidaturës suedeze ka disa probleme. Administrata lokale nuk e mbështet organizimin e Lojërave Dimërore 2026, ndërkohë që ende nuk është formuar qeveria në vendin nordik pas zgjedhjeve të fundit politike.

Gjithsesi, Komiteti Olimpik suedez nuk është dorëzuar dhe u ka bërë të ditur partive politike se projekti financohet nga të ardhura private, por ka shumë të ngjarë që edhe Stokholmi të dorëzohet në këtë pikë, duke qenë se brenda 11 janarit qeveritë duhet të dorëzojnë te IOC të gjitha garancitë, ku përfshihen edhe ato financiare.

Në muajin qershor, IOC do të vendosë për ato që do të jenë në lojë për Olimpiket Dimërore, por duke parë këtë situate duket se ajo e Milano-Kortinës do të jetë kandidatura e vetme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat