Prof. Jupa godet me emra, ja kush po e mban peng sportin e Kosovës

Sporti

Prof. Jupa godet me emra, ja kush po e mban peng sportin e Kosovës

Nga: Kemajl Goca Më: 11 dhjetor 2018 Në ora: 10:53
Prof. Jupa godet me emra, ja kush po e mban peng sportin e Kosovës

Sporti i Kosovës po kalon një periudhë mjaft të vështirë, me përjashtim të xhudos që është në nivelin më të lartë dhe vazhdimisht bie medalje nga garat më të mëdha botërore. Prof. Ismet Jupa, ish përzgjedhës i Kombëtares së Kosovës (femrat) në hendboll, tha se ka shumë mangësi në sportin e Kosovës. Ai ka kritikuar ashpër mënyrën se si punon Komiteti Olimpik i Kosovës, po ashtu ka kërkuar nga Ministria e Sportit të jetë më energjike dhe sidomos drejtoritë nëpër komunat të kanë një qasje më profesionale.  Trajneri i mirënjohur nuk ka kursyer edhe federatat sportive.

“Bota sot”: Si e sheh sportin e Kosovës në përgjithësi gjatë këtij vitit?

Prof. Ismet Jupa: Problematika aktuale momentalisht në sport është evidente, ka disa rezultate, nuk mund të themi se nuk është pa rezultate. Jo rezultate në bazë të pritshmërive dhe kohës që ka kaluar, nuk kemi rezultate që na kënaqin. Është evidente se është një stagnim në kulturën fizike dhe sportit garues, ekipor në veçanti. Por, kjo gjendje na detyron që tani t’i analizojmë shkaqet e kësaj gjendje, unë mendoj se për këtë gjendje në sportin e Kosovës ndoshta jemi fajtorë të gjithë nga pak, por fajtorë kryesorë për këtë gjendje ma merr mendja janë ata që udhëheqin dhe financojnë sportin, fjala është për MKRS-në dhe gjegjësisht Komitetin Olimpik, Kuvendet Komunale, drejtoritë komunale dhe federatat e sporteve. Këto organe me vite të tëra nuk po lejojnë që të mbahen zgjedhjet demokratike në organet e tyre në bazë të kushtetutës së vendit dhe akteve ligjore.

Shembulli më konkret është KOK-u, i cili udhëhiqet nga një njeri që 22 vite në këtë post, por jo vetëm ky ka edhe shumë të tjerë në federata të sporteve që po e mbajnë peng sportin e Kosovës. Pa i sjellë asnjë të mirë sportit të Kosovës vetëm zhvatje të buxhetit të Kosovës. Faji për këtë gjendje në një masë e bartë edhe faktori politikë e shoqëror, ministria dhe Kuvendi i Kosovës, që po lejojnë në mesin e tyre kësi udhëheqje në sport,  grupe të ngushta të njerëzve të burokratizuara dhe të korruptuara.  Një shembull më i mirë me vite të tëra është se ministria e sportit i mbështet organizatat sportive me memorandum - marrëveshje, kjo mënyrë e  financimit ju ka garantuar apriori disa organizatave sportive pavarësisht prej aktiviteteve të tyre efektive.

Çka është më rëndësi kjo, ndarje me sistem “grabitje” e ka ndal përparimin e atyre klubeve, që në mënyrë intensive kanë dhënë rezultate.  Financimi nga ministria e sportit, drejtoria e sportit duhet të bëhet me programe vjetore e jo se si bëhet në këtë mënyrë me memorandume.  Por jo vetëm kaq, një pjesë të mjeteve ministria duhet t’i kthejë komunave gjegjësisht drejtorive për sport, gjë që nuk ka ndodhur deri me tani.

“Bota sot”: Pse e fajësoni KOK-un?

Prof. Ismet Jupa:  Unë nuk e fajësoj, por asnjë të mirë nuk ia sjelli sportit të Kosovës. KOK-u ka për detyrë mu interesuar për mi shkolluar kuadrot në bashkëpunim me Fakultetin e Kulturës Fizike dhe Ministrinë  Sportit. Pse kanë nevojë trajnerët tanë të shkojnë në Maqedoni edhe në Kroaci , kur ne kemi KOK-un e pranuar dhe Fakultetin e Kulturës Fizike dhe Ministrinë e Sportit.

Lëshimi tjetër çka është te KOK-u, çka unë mendoj, KOK ka pasur jashtëzakonisht probleme në sportin e Kosovës. KOK nuk e ka një gjyqësor mi ndal këto devijime në sportin e Kosovës. Nuk ka brendapërbrenda një gjyqësor për mi ndal ato mekanizmat që e pengojnë sportin e Kosovës. Shembulli më konkret, kemi organizime sportive të ndryshme, që nuk e pyesin as KOK-un dhe as federata përkatëse.

Shembull tjetër që KOK-u ka qenë i obliguar, së paku mi ndal me aktivitete enklavat serbe, që po bëjnë gara aktive në kuadër të Serbisë. Ka edhe dobësi tjera, sa i përket shpërndarjes së buxhetit federatave dhe nëpër komuna. Aktivitet konkret për të mirën e sportit nuk ka pasur sa është në krye të kësaj organizate sportiv ky zotëriu (Hasani). Ministrinë e ceka më lart, ka shumë mangësi edhe në MKRS, ministria është e obligueshme që të përcjell gjendjen e përgjithshme në lëminë e kulturës fizike dhe të sportit.  

Ministria e sporti ndihmon dhe koordinon dhe merr masa për zhvillimin e sportit masiv dhe kulmor,  udhëheq politikë të përgjithshme të zhvillimit të sportit. Në veçantë Ministria e sportit, drejtoria e sportit duhet t’i nxit, propagandoj masivizimin e kulturës fizike dhe të sportit.

Meqenëse e kam zënë në gojë edhe Kuvendin Komunal dhe drejtorit sportive, komuna përveç që cakton drejtor politikë, edhe kjo duhet të krijoj kushte për zhvillimin e kulturës fizike dhe sportit në nivel komunal. Komuna është e obliguar të krijoj programe konkrete për organizatat sportive,  komuna është e obliguar të krijoj kushte për punë profesionale dhe financon zhvillimin e kuadrove profesionale, siguron mjete për funksionimin e organizatave sportive, si dhe përparimin e sportit kulmor. Drejtoritë e sporteve e në mënyrë përmanente, analizojnë dhe vlerësojnë gjendjen dhe problemin e kulturës fizike dhe sportit në territorin e tyre.

 Ka dobësi të mëdha, këto mjete që po i ndajnë momentalisht komunat në mënyrë fakultative dhe jo me program vjetor së paku, këto nuk japin shpresë për përparimin e sportit.  Në qoftë se këto çka i ceka dhe dobësitë tjera për momentin nuk ka mundësi mi cek, eliminohen, unë besoj se për një kohë të shkurtër sporti ynë do të merr një rrugë tjetër dhe një rrugë të mbarë të zhvillimit më të hovshëm.

“Bota sot”: A mendoni se duhet të ndryshohet qasja e emërimeve në poste të drejtorëve në drejtoritë e sporteve nëpër komuna ?
Prof. Ismet Jupa: Partitë politike i ndajnë postet si në nivelin komunal dhe si në qendror, është e drejtë e tyre. Është një e drejtë dhe një e mirë e sportit që partitë politike, që organizojnë drejtoritë e sportit, të bien njerëz që e njohin lëmine e sportit, si në komunën tonë dhe komunat tjera. Duhet drejtoritë e sporteve, ministria e sportit, duhet në mënyrë urgjente, ta plotësojë ligjin e sportit dhe t’i përcaktojë me ligj të gjitha obligimet që dalin nga Ligji i Sportit.

Ligji i tanishëm momentalisht nuk jep kurrfarë mundësie as nuk e obligon askënd për mi ju përgjigjur këtij ligjit. Unë mendoj që duhet edhe organizatat, edhe Fakulteti i Kulturës Fizike t’i ndihmojë këto organe,  që sa më parë të dalim prej kësaj gjendje pa perspektivë. Në kohët e fundit është një përqendrim nga federata e futbollit, se kjo është federata më masovike, por nuk bën me ndodhë që mi lënë anash  federata tjera dhe mi dëmtuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat