Adrian Morina shpallet aktori i vitit, falënderon nënën, vjehrrën dhe bashkëshorten

Teatri

Adrian Morina shpallet aktori i vitit, falënderon nënën, vjehrrën dhe bashkëshorten

Më: 2 tetor 2020 Në ora: 14:41
Adrian Morina

Adrian Morina, aktori i cili sot është shpërblyer me çmimin për aktorin më të mirë, çmim ky që është ndarë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte, nuk ishte i pranishëm në ceremoni, por një letër falënderimi ka vendosë ta përçojë te njerëzit që e kanë mbështetë gjatë këtij rrugëtimi.

Kjo është letëra që ia ka drejtuar ministres së Ministrisë së Kulturës Vlora Dumoshi, e që nëpërmjet kësaj letre falënderon tre persona të veçantë.

E nderuara Ministre znj.Vlora Dumoshi,

Të dashur,

Në këtë ditë të veçantë për teatrin dhe për mua, unë nuk do ta keqpërdorë rastin e të bëjë falënderime siç e do zakoni.

Unë, sot, nuk do të falënderoj profesorin Faruk, profesorin Enver, profesoreshën Ilire dhe të gjithë profesorët të cilëve do ju jem mirënjohës përgjithmonë; Sot nuk do të falënderoj as regjisorin Kushtrimi Koliqi me të cilin realizuam shfaqjen e jashtëzakonshme “Unë jam vet grua”, për të cilën u shpërbleva sot ; por nuk do ti falënderoj as regjisorët tjerë si Ilirin, Blertën, Urbanin, Dinon, Unkovskin e Altin Bashën që më besuan disa nga kryeveprat e dramaturgjisë botërore; nuk do ta keqpërdorë këtë rast e të falënderoj as Lirakun, Florentin e Kushtrimin e Jetonin që më hapën dyert e Teatrit Oda dhe të Multimedias; madje s’do të falënderoj as Rebeken, Armendin e Besnikun me të cilët përmes teatrit “La Rremë”, pamë botën; dhe kam vendosur që sot të mos i falënderoj as kolegët dhe punëtorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës të cilët janë familja dhe jeta ime.

Sot, në këtë ditë të veçantë, për mua dhe teatrin, duke e ditur se teatri është nëna e të gjitha arteve, unë dua ta falënderoj institucionin më të shenjtë të të gjitha civilizimeve dua të falënderoj NËNËN. Po, NËNËN!

Të parën, dhe jo vetëm për kah rëndësia, të cilën dua ta falënderoj sot, është nëna ime e cila besoi pafundësisht në mua duke u bëre dielli që më udhëhiqte përgjatë gjithë udhëtimit tim jetësor e artistik.

Të dytën, jo për kah rëndësia, të cilën dua ta falënderoj, është nëna e gruas sime, vjehrra ime, e cila pavarësisht se nuk e donte dhëndrin aktor, ajo e pranoi dashurinë e vajzës së saj dhe u bë erë që i dha krah velave të dashurisë sonë.

E treta, prap jo për kah rëndësia, është nëna e fëmijëve të mi e cila, krejt natyrshëm, me rolin e bekuar nga zoti, më fali teatrin e ëndrrave me dy aktorë të jashtëzakonshëm Orikun dhe Hanën. Ajo u bë një grua dhe nënë e jashtëzakonshme, ndërsa unë, i dhënë pas teatrit, mbeta vetëm burrë dhe baba në tentativë. Sot dua ta falënderoj atë për mbështetjen, durimin, përkushtimin dhe dashurinë e pafund.

Ju faleminderit!

Prishtinë 02.10.2020.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat