Rita Gjeka: Kjo akademi s’mund të tallet me Shkodrën

Teatri

Rita Gjeka: Kjo akademi s’mund të tallet me Shkodrën

Më: 8 janar 2021 Në ora: 15:54
Rita Gjeka

Në ditët e para të janarit janë ndarë kandidatët për çmimet “Kult”, për veprat më të mira artistike të vitit 2020, megjithatë ka pasur dhe kritika për mënyrën se si është bërë përzgjedhja e disa prej veprave.

Drejtoresha e Teatrit “Migjeni” në Shkodër, Rita Gjeka tha në Euronews Albania se ka refuzuar nominimin për veprën "Zona e Pritjes". Sipas saj, ky refuzim ka ardhur pasi juria nuk e ka parë shfaqjen dhe si e tillë nuk mund të ketë gjykim artistik.

“Unë skam pas rezerva, por unë kam qenë absolutisht kundër, sepse një juri, e cila nuk shikon një shfaqje nuk e ka të drejtën as civile dhe jo më artistike për të vendosur nëse fiton apo jo ajo shfaqje. Duke qenë e bindur se shfaqja jonë nuk është parë nga juria, sepse dyert e Teatrit “Migjenin” në Tiranë janë të mbyllura dhe ne nuk mundemi të vijmë”, tha ajo.

Ajo foli me gjuhë të ashpër, kur shtoi se çmimet që jepen nga kjo akademi “janë thjesht qoka”.

“Unë kam kundërshtuar me shumë ngulm faktin, që ne duhet të ishim në konkurrim, megjithatë rastësisht pamë që ishim në konkurrim në një gjë,  që një vit rresht më janë “lutur” (po e vendosi në thonjëza” por unë nuk kam pranuar. Unë nuk kam pranuar të jem pjesë e kësaj farse, dhe juria bën qoka me ato çmime që jep”, tha ajo.

Drejtoresha e Teatrit "Migjeni” u shpreh gjithashtu se Shkodra është lënë mënjanë, ndërkohë shtoi se kjo akademi që jep çmime të tilla nuk mund të tallet me vlerat e këtij qyteti.

“Unë s’jam skeptike, por jam e vërtetë dhe më këmbë në tokë. Pasi kërkova me ngulm të di se kush kanë qenë anëtarët e jurisë, se paskan qenë gjithmonë të shpallur se duket se janë gjithmonë ato, unë e di dhe jam e bindur se ato nuk e kanë parë shfaqjen tonë. Nuk mund të gjykosh një shfaqje, e cila nuk është parë. Shfaqja nuk është thash e them. Shfaqja është mundi dhe djersa jonë. Shkodra është lënë mënjanë jo vetëm sot. Kjo akademi nuk mund të tallet me Shkodrën, nuk mund të tallet me Teatrin "Migjeni”, i cili është “Nderi i Kombit”, tha ajo.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat