“Princi I”, shfaqja që shënon 400 vjetorin e vdekjes së Shekspirit vjen premierë në Dodonë

Teatri

“Princi I”, shfaqja që shënon 400 vjetorin e vdekjes së Shekspirit vjen premierë në Dodonë

Më: 19 nëntor 2016 Në ora: 14:47
Princi I

“Teksti është adaptuar nga “Hamleti” i Shekspirit në atë mënyrë që të prezantojë aktualitetin kosovar, sesi po funksionon gjithçka këtu”, ka thënë regjisori Mark Norfolk.

 “Princi I” është shfaqja më e re që është duke u realizuar në Teatrin Dodona. Shfaqjen e sjellë regjisori nga Londra, Mark Norfolk, ndërsa vjen e inspiruar nga vepra “Hamleti” e Shekspirit. Kjo shfaqje është dedikim për 400 vjetorin e vdekjes së Shekspirit.

Shfaqja për temë ka “Hamletin”, por në shfaqje na vjen si Hektori. Hektori nuk ka dy muaj që e ka humbur babanë, ndërsa nëna e tij martohet me vëllanë e babait. Hektori është ai i cili është i pikëlluar nga gjithë kjo situatë, është në depresion dhe i ka të gjitha problemet e mundshme. Kjo është pak a shumë ngjarja tek Hamleti por edhe tek “Princi I” i Markut.

Por regjisori Mark Norfolk e ka reprezentuar rininë e vendit tonë përmes Hamletit dhe përmes personazheve tjerë që janë në shfaqje.

“Rinia këtu janë të influencuar nga vendimet e atyre që qëndrojnë në poste, rinia po pëson nga këto vendime, edhe pse kanë ambicie, ëndrra dhe gjithçka tjetër, ata nuk mund të veprojnë sepse janë të bllokuar në një farë mënyre dhe kështu nuk arrijnë t’i realizojnë ëndrrat e tyre”, është shprehur regjisori Norfolk.

Pika tjetër në këtë shfaqje është fantazma që në këtë rast paraqitet si ushtari i cili përfaqëson luftën, të kaluarën tonë jo shumë të largët dhe se si e gjithë ajo pjesë ndikon jo vetëm në gjeneratën e vjetër, jo vetëm në gjeneratën e re por tek të gjithë dhe kështu është shkaktuar njëfarë kaosi. “Teksti është adaptuar në atë mënyrë që të prezantojë aktualitetin kosovar, sesi po funksionon gjithçka këtu”, ka thënë regjisori.

Kasta e aktorëve për këtë shfaqje përbëhet nga: Besim Ajeti, Florist Bajgora, Lulzim Bucolli, Ftesa Hazrolli, Maki Miftari, Adriana Morina, Ermal Sadiku dhe Ekrem Sopi. Skenografia është realizuar nga Bekim Korça.

“Aktorët janë të mrekullueshëm, jam shumë i kënaqur me punën e tyre . Është bukur kur e sheh bashkëpunimin në mes të aktorëve më të vjetër dhe aktorëve të rinj të cilët edhe marrin eksperiencë nga aktorët më me përvojë”, ka thënë regjisori Mark Norfolk.

Regjisori Norfolk nuk e ka mohuar faktin se të punosh me një tekst kaq të njohur nuk është fare e lehtë. “Si shkrimtar, zakonisht nuk e përcjell normën, nuk shkoj drejt rregullave por mundohem t’i thyej dhe të eksperimentoj me rregulla. Për të marrë një tekst që është shumë i njohur është pak shqetësuese, është vështirë të punosh me një tekst shumë të njohur dhe ta kthesh në diçka moderne. Por në këtë rast kam pasur dëshirë ta sfidoj veten në diçka që të rinjve mund të ju jep mundësi për ta njohur edhe tekstin e vjetër të Shekspirit përmes kësaj shfaqje”, është shprehur Norfolk.              

Para një kohë të shkurtër Marku e ka adoptuar ‘Hamletin’ edhe në Londër me motive egjiptiane dhe ka pasur një impakt në audiencë. Një gjë të tillë beson që do ta arrijë edhe në Kosovë, duke e konsideruar si një shfaqje shumë interesante.

Aktori Besim Ajeti, u shpreh të jetë shumë i kënaqur me punën që po bëhet për këtë shfaqje.

“Është një punë që po bëhet me një formë më ndryshe nga ajo që jemi mësuar ne. Kjo shfaqje është bashkëkohore, dhe qysh tani po shihet që do të jetë shumë interesante. Puna me regjisorin është një përvojë shumë më ndryshe sepse në njëfarë mënyre ka arritur të hyjë në pjesën e kulturës sonë sepse e njeh këtë pjesë bukur gjatë. Mendoj që është një shfaqje interesante dhe e nevojshme për kohën”, ka thënë për KultPlus aktori Besim Ajeti, i cili në këtë shfaqje luan rolin e ushtarit.

Ky tekst vjen i përkthyer në gjuhën shqipe nga aktorja Maki Miftari. Premiera e shfaqjes “Princi I”, vjen premierë me datë 25 nëntor në Teatrin Dodona.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat