Artistët e Kaçanikut kërkojnë themelimin e Teatrit të Qytetit - Bota Sot
Artistët e Kaçanikut kërkojnë themelimin e Teatrit të Qytetit

Teatri

E enjte, 18 tetor 2018

Artistët e Kaçanikut kërkojnë themelimin e Teatrit të Qytetit

Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 15:02
Ilustrim

Ben Apolloni, Bekim Guri, Armend Ballazhi, Osman Isa, Lulzim Rexha, Lind Berisha, Dituri Neziraj dhe Qëndresa Loki, janë disa nga grupi i artistëve dhe studentëve të artit dramatik nga Kaçaniku dhe rrethina, që kanë iniciuar kërkesën në Kuvendin Komunal të Kaçanikut për themelimin e Teatrit të Qytetit.

Kjo kërkesë sipas grupit iniciues është bërë konform ligjit për Teatrot, ndërsa siç bëhet e ditur nëpërmjet rrjetit social Facebook, ku ky grup ka njoftuar për këtë nismë, kërkesa nga Kuvendi Komunal i Kaçanikut është drejtuar tek Kryetari i Komunës dhe drejtori i Drejtorisë së Arsimit dhe Kulturës në këtë komunë.

Në vijim po sjellim të plotë publikimin e grupit të artistëve që kanë nisë kërkesën për themelimin e Teatrit të Qytetit:

“Teatri i Kaçanikut
Më datën 5 shkurt 2018 një grup i përbërë nga disa artistë dhe studente të artit dramatik, nga Kaçaniku dhe rrethina, i kemi drejtuar një kërkesë Kuvendit Komunal të Kaçanikut për themelimin e Teatrit të Qytetit. Kërkesën e kemi bërë konform Ligjit për Teatrot ku thuhet se: “Teatrot e qyteteve themelohen me vendim të Asamblesë komunale. Komuna nuk mund të themeloj më shumë se një teatër të qytetit me status publik.” ( Cituar nga: Ligji për Teatrot, Neni 4, Themelimi i Teatrove).
Kërkesën e kemi bërë pasi mendojmë se qyteti i Kaçanikut ka potencial kadrovik që ta ketë Teatrin dhe ka nevojë më shumë se çdo qytet tjetër që ta ketë Teatrin, pasi gjatë këtyre 18 viteve, kultura në këtë qytet ka qenë e pranishme sa shiu në Saharë.
Dje, Kryesuesi i Kuvendit të Komunës më ka njoftuar përmes emailit se kërkesën tonë, të grupit inicues, e ka proceduar te Kryetari i Komunës dhe Drejtori i Drejtorisë për Arsim e Kulturë, sepse sipas tij Kuvendi nuk merret me kërkesa. Por unë, në emër të grupit inicues, i kam shkruar Kryesuesit dhe anëtarëve të Kuvendit dhe ua kam sqaru se kjo kërkesë është adresuar sakt sepse është bërë sipas Ligjit për Teatrot e bashkë me përgjigjen ua kam dërguar edhe Ligjin.
Tani ne po presim.
Me këtë njoftim dua t’i vë në dijeni edhe gjithë qytetarët e Kaçanikut për këtë iniciativë dhe të kërkoj që të na përkrahin që më në fund të bëjmë diçka të hajrit në qytetin tonë”, thuhet në njoftimi e publikuar nga regjisori Ben Apolloni.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test