Një qendër argëtimi për kohët moderne

Teknologji

Një qendër argëtimi për kohët moderne

Më: 7 janar 2019 Në ora: 07:10
Lojërat që përdorin teknologjinë, si kamerat apo ndjesorët u ofrojnë vizitorëve një mënyrë të re argëtimi.

Teknologjia po ndryshon me shpejtësi mjedisin që na rrethon. Ka nga ata që shqetësohen se shumë njerëz shpenzojnë kohë të tepruar duke luajtur lojëra elektronike dhe jo aq kohë në komunikim me të tjerët. Në Los Anxhelos, ka një vend ku mund t’i bësh të dyja. Qendra zbavitëse “Two Bit Circus” ndërthur teknologjinë me aktivitetet në grup për të gjitha moshat. Korrespondentja Elizabeth Lee ka përgatitur materialin:

Imagjinoni një festival tradicional zbavitës, të përshtatur për jetën moderne. Atë e gjen në “Two Bit Circus”.

“Ky mjedis e ngre në një nivel të ri eksperiencën e lojërave elektronike. Provova disa lojëra që më lanë pa frymë,” thotë vizitorja Kelly Bentall.

Lojërat që përdorin teknologjinë, si kamerat apo ndjesorët u ofrojnë vizitorëve një mënyrë të re argëtimi.

Ata mund të angazhohen në aventura në grup, për shembull të provojnë rafting nëpër lum, ndërkohë që eliminojnë jashtëtokësorë apo drejtojnë një anije kozmike me një grup miqsh.

Disa mund të ulen për një pije që u serviret nga një banakier robot.

“Nuk më ka përgatitur ndonjëherë pijen roboti. Shumë interesante,” thotë vizitori John Duncan.

Qendra argëtuese “Two Bit Circus” ofron lojërat më të fundit elektronike, shumë prej të cilave janë krijuar këtu:

“Këtu jemi në punishten e kompanisë “Two Bit Circus”. Na ndan vetëm një mur me sallën e lojëra. Pra ato që i shpikim këtu në mëngjes, mund t’i vëmë në provë pasdite në sallën e lojërave. Kemi një ekip të mrekullueshëm krijuesish që bëjnë eksperimente me format më të reja të zbavitjes. Kemi edhe përbërësin më të rëndësishëm: njerëzit të cilët i provojnë shpikjet tona,” thotë Eric Gradman, bashkëthemelues i kompanisë “Two Bit Circus”.

Bashkëthemeluesi Eric Gradman dikur krijonte prototipe për ushtrinë, si robotë apo makina pa shofer. Ai ka tani një rol krejt tjetër në industrinë e zbavitjes.

“Kam bërë turne nëpër të gjithë vendin, bëj demonstrime me teknologji fantastike para mijëra vetëve. Kjo punë është ideale pasi ndërthur shpikjen me demonstrimin”, thotë zoti Gradman.

Bashkëthemeluesi Brent Bushnell ka qenë më parë klloun cirku, megjithëse është diplomuar si inxhinier. Babai i tij është themeluesi i kompanisë së lojërave elektronike "Atari"./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat