Huawei, fabrika e parë evropiane në Francë

Teknologji

Huawei, fabrika e parë evropiane në Francë

Më: 27 shkurt 2020 Në ora: 21:00
Foto ilustrim

Huawei do të ndërtojë fabrikën e tij të parë evropiane të prodhimit në Francë, tha të enjten kryetari i kompanisë, ndërkohë që gjigandi kinez i telekomit po përpiqet të zbutë shqetësimet në mbarë botën, të shkaktuara nga akuzat amerikane se Pekini mund t’i përdorë pajisjet e tij për spiunazh.

Liang Hua tha se Huawei, prodhuesi më i madh në botë i pajisjeve të telekomunikacionit, do të investojë 200 milion euro në fazën e parë të ngritjes së impiantit të telefonisë celulare. Ai tha se do të krijonte 500 vende pune.

Firma Huawei, e cila mohon se pajisjet e saj të paraqesin një rrezik sigurie, është në qendër të një stuhie që ka kundërvenë Shtetet e Bashkuara dhe Kinën lidhur me teknologjinë celulare të gjeneratës së re 5G. Evropa është bërë një fushë e rëndësishme beteje.

"Ky objekt do të furnizojë të gjithë tregun evropian, jo vetëm atë të Francës," tha Liang në një konferencë për shtyp. "Aktivitetet e grupit tonë janë në të gjithë botën dhe për këtë kemi nevojë për një gjurmë industriale globale."

Teknologjia 5G pritet të sjellë një hap të madh në shpejtësinë dhe kapacitetin e komunikimeve dhe një rritje eksponenciale në lidhjet midis miliarda pajisjeve, nga frigoriferët inteligjentë e deri tek automjetet pa shofer, që pritet të funksionojnë përmes rrjeteve 5G.

Nuk është e qartë nëse vendimi i firmës Huawei ka bekimin e presidentit francez Emmanuel Macron, i cili është përpjekur të joshë investitorët e huaj, por ka bërë gjithashtu paralajmërime në lidhje me depërtimin kinez në ekonominë e Bashkimit Evropian.

Liang tha se Huawei ia kishte përshkruar planin e grupit të tij qeverisë franceze. "Kjo nuk është një ofensivë diplomatike," tha ai. Zyra e zotit Macron ende nuk ka reaguar.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar vazhdimisht aleatët evropianë kundër lejimit të firmës kineze në infrastrukturën 5G të kontinentit. Por kryeqytetet evropiane janë të ndara se si duhet të veprojnë me gjigantin Huawei./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat