Google paralajmëron faqe të veçantë për koronavirusin - Bota Sot
Google paralajmëron faqe të veçantë për koronavirusin

Teknologji

Google paralajmëron faqe të veçantë për koronavirusin

Më: 15 mars 2020 Në ora: 12:57
Ilustrim

Kompania gjigante amerikane, Google, ka njoftuar se është duke punuar me qeverinë e Shteteve të Bashkuara për zhvillimin e një uebfaqeje mbarëkombëtare, e cila do të ofronte ndihmë për amerikanët, të cilët duan të informohen për simptomat e koronavirusit, faktorët e rrezikut dhe mënyrën e testimit.

“Jemi në bashkërendim të plotë dhe po vazhdojmë të punojmë me qeverinë amerikane për ta kufizuar përhapjen e virusit Covid-19, për t’i informuar qytetarët dhe për ta mbrojtur shëndetin e komuniteteve tona”, thuhet në deklaratën e kësaj kompanie.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e falënderoi të premten gjigantin e teknologjisë për zhvillimin e një faqeje, për të cilën ai tha se do t’i ndihmojë njerëzit për të vendosur nëse kanë nevojë të testohen për koronavirus, duke shtuar se 1700 inxhinierë janë duke punuar për ndërtimin e faqes.

Menjëherë pas deklaratës së presidentit, vlera e aksioneve të kompanisë “Alphabet”, e cila është pronare e kompanisë Google, u rrit për më shumë se nëntë për qind, shkruan “Reuters”.

Zyrtarët amerikanë janë përballur me presion për rritjen e kapaciteteve të testimit të popullatës për koronavirus, i cili tashmë është përhapur në pothuajse të gjitha shtetet e ShBA-së.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat