Facebook-u ka një problem të koronavirusit. Quhet WhatsApp

Teknologji

Facebook-u ka një problem të koronavirusit. Quhet WhatsApp

Më: 22 mars 2020 Në ora: 10:29
Ilustrim

Qeveritë dhe zyrtarët e shëndetësisë nëpër botë, po përpiqen t’i ofrojnë publikut informacion të saktë dhe në kohë në lidhje me koronavirusin e ri. Por këto përpjekje po dëmtohen nga përhapja e dezinformacioneve mjekësore dhe kurave të rreme, në një nga platformat më të njohura të mesazheve në botë.

WhatsApp, e cila është në pronësi të Facebook (FB), po vihet në shënjestër për mënyrën si menaxhon dezinformim, teksa pandemia e koronavirusit përhapet në të gjithë globin, duke infektuar më shumë se 200,000 njerëz dhe duke vrarë mbi 8,000, sipas shifrave të botuara nga Universiteti Johns Hopkins.

Platforma është duke u përdorur për të përhapur mesazhe që shpesh përmbajnë një përzierje të pretendimeve të sakta dhe mashtruese, të cilat janë përgënjeshtruar nga ekspertët e shëndetit publik. Problemi tani është aq i mprehtë sa udhëheqësit botërorë po u kërkojnë njerëzve që të ndalojnë shpërndarjen e informacionit të pa verifikuar duke përdorur aplikacionin.

“Unë po u bëj thirrje të gjithëve që të ndalojnë së shkëmbyeri informacione të pa verifikuara në grupet WhatsApp,” tha Kryeministri irlandez Leo Varadkar të hënën në Twitter. “Këto mesazhe po trembin dhe ngatërrojnë njerëzit dhe po shkaktojnë dëme të vërteta. Ju lutemi merrni informacionin tuaj nga burime zyrtare, të besueshme”.

Informacioni i rremë shpesh mbërrin në telefonat inteligjentë në mesazhe që janë përcjellë nga një mik apo i afërm, dhe përfshijnë informacione të supozuara sikur janë thënë nga një mjek i shquar ose një mik i një shoku që punon në qeveri. Shumë nga mesazhet kanë një përzierje të këshillave të duhura, të tilla si për shembull, si të lani duart siç duhet, me dezinformata. Një pretendim i rremë që po qarkullon: pirja e ujit të ngrohtë çdo 15 minuta do të neutralizojë koronavirusin.

Për shkak se mesazhet e WhatsApp janë të koduara në një mënyrë që lejon që ata të shihen vetëm nga dërguesi dhe marrësi, zyrtarët e shëndetit publik dhe grupet mbikëqyrëse po përpiqen të gjurmojnë përhapjen e dezinformatave të koronavirusit. WhatsApp vetë nuk monitoron rrjedhën e mesazheve në platformë.

“Eshtë e qartë … që shumë informacione të rreme vazhdojnë të shfaqen në sferën publike. Në veçanti, ne duhet të kuptojmë më mirë rreziqet që lidhen me komunikimin në shërbimet e kriptimit nga skaji në skaj,” deklaroi zëvendës presidentja e Komisionit Evropian Věra Jourová, e cila mbikëqyr përpjekjet e bllokut për të luftuar disinformimin.

WhatsApp thotë se ka ndërmarrë hapa për të frenuar dezinformatat, ai po dhuron fonde për grupe të kontrollit të fakteve dhe përdoruesit mund të dërgojnë mesazhe në llogari të veçanta që mund të verifikojnë informacionin.

“Ka mbi një duzinë [kontrollorë lokalë të fakteve] deri më tani, dhe ne duam më shumë që të jemi në gjendje ta bëjmë punën e tyre të rëndësishme, në mënyrë që thashethemet të identifikohen dhe të përgënjeshtrohen,” tha Will Cathcart, kreu i WhatsApp, të mërkurën në Twitter.

WhatsApp po promovon organizatat që kontrollojnë faktet dhe ministritë e shëndetësisë në Facebook, me reklama falas speciale dhe të klikueshme që krijojnë një bisedë të re në WhatsApp me organizatën përkatëse.

Jourová mirëpriti masat e reja, por sugjeroi që duhet bërë më shumë për të adresuar çështjen e dezinformimit.

“WhatsApp e ka informuar Komisionin për disa masa të vendosura për të kufizuar përhapjen e dezinformimit, por shumica e përmbajtjes problematike duket se është e ashtuquajtura përmbajtje organike, dmth e gjeneruar nga vetë përdoruesit”, tha ajo.

Përhapja e informacioneve të rreme

Ditët e fundit, CNN Business ka parë versione të shumta të një mesazhi me informacione të supozuara nga profesionistë të mjekësisë, në lidhje me katër të rinj të infektuar me koronavirus të cilët kishin marrë ilaçe anti-inflamatore.

Në një version, të shkruar në anglisht, të rinjtë janë shtruar në spital në Cork, Irlandë. Në një tjetër, të shkruar në Hebraisht, ato janë në Tuluzë, Francë. Zyrtarët e mjeekësisë në të dy qytetet e kanë hedhur poshtë historinë e katër të rinjve si të rremë.

Një temë popullore – por jo e saktë – është që “lëngjet e nxehta neutralizojnë virusin, kështu që shmangni pirjen e ujit me akull”, ose që pirja e ujit çdo 15-20 minuta do të shpjerë virusin në stomakun tuaj, ku do “të vritet” nga acidi.

Një imazh i përhapur në WhatsApp dhe platformat e tjera tregon një ilustrim të një koke dhe fyti njeriu. Mesazhi shoqërues, shkruar në spanjisht, pretendon se pirja e shumë uji dhe gargari me kripë ose uthull do të eliminojë virusin. “Përhapni këtë informacion sepse mund të shpëtoni dikë,” thotë mesazhi.

Ekspertët e mjekësisë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë thonë se ndërsa qëndrimi i hidratuar është i rëndësishëm, pirja e ujit të nxehtë ose të ftohtë, ose gargarë, nuk parandalon infeksionin prej koronavirusit.

Mesazhe të tjera të dërguara në WhatsApp kanë paralajmëruar se vendet do të vazhdojnë të bllokohen dhe se njerëzit duhet të shtojnë rezervat me ushqime. Në Shtetet e Bashkuara, mesazhet pretendojnë se bllokimi është pjesë e “Ligjit të Stafford” dhe se njerëzit duhet të “rezervojnë gjithçka që ju nevojitet për të siguruar që të kenë një furnizim dy-javor me gjithçka.” Këshilli Kombëtar i Sigurisë Kombëtare ka njoftuar në Twitter se ky mesazh është i rremë.

Ndërsa mesazhe të ngjashme po shpërndahen përmes tekstit dhe në media të tjera sociale, përhapja e tyre në WhatsApp dhe vështirësia në ndalimin e tyre e bën shërbimin më të rrezikshëm, në krahasim me platformat simotra Facebook dhe Instagram, të cilat kanë ndërmarrë më shumë veprime të forta dhe të drejtpërdrejta për të luftuar dezinformimin në kohën e koronavirusit.

Si të ndalet përhapja

WhatsApp, i cili e krahason veten me shërbimet tradicionale të teksteve SMS dhe jo me platformat e mediave sociale, kodon biseda, që do të thotë se ato “jetojnë” vetëm në telefonët e përdoruesve. Megjithëse kriptimi shihet si një plus për sigurinë, WhatsApp është i verbër për atë që thuhet në mesazhe – dhe kjo e bën të vështirë për të kontrolluar ose moderuar përmbajtjen.

Në Facebook, kontrollorët e fakteve që janë palë të treta ndjekin dezinformatat dhe kur shënojnë diçka si false, përdoruesve u shfaqet një mesazh që i drejton ata në një postim korrigjues ose sqarues, përpara se të lejohen të ndajnë dezinformatat.

Cristina Tardáguila, drejtore e asociuar e Rrjetit Ndërkombëtar të Kontrollit të Fakteve (IFCN), sugjeroi javën e kaluar që WhatsApp të përfshijë një mesazh ku pyet njerëzit “a jeni të sigurt se kjo është e vërtetë?”, para se të dërgojnë një mesazh në lidhje me koronavirusin. / Me shkurtime nga CNN – Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat