TikTok, “armiku shtetëror” numër një në SHBA

Teknologji

TikTok, “armiku shtetëror” numër një në SHBA

Më: 11 gusht 2020 Në ora: 07:54
Foto ilustrim

Si aplikacioni i mbështetur në video-shënime të shkurtra dhe muzikë, u bë njëra prej rreziqeve më të mëdha për aparatin e inteligjencës amerikane dhe kompanive teknologjike – ose së paku kështu pohon presidenti i SHBA-së Donald Tramp.

Aplikacioni TikTok ishte krijuar në vitin 2016, nga kompania Bajt Dens, me seli në Hong Kong. Vitin e parë ishte praktikisht i panjohur, por më pas versioni i saj kinez Duin u bë shumë i popullarizuar në Kinë. I gjithë koncepti i këtij aplikacioni mbështetej (dhe ende mbështetet) në video-shënime të shkurtra, zakonisht muzikë dhe valle, por vitin e fundit është e pranishme edhe përmbajtje në formate të ndryshme. Bajt Dens në vitin 2018 e blen aplikacionin Mjuzika.li dhe e integron në Tik Tok, me çka fiton një katalog të madh të muzikës së popullarizuar në Perëndim. Dhe atëherë fillon suksesi i tij meteorik.

Cunami teknologjik

TikTok për më pak se dy vite të punës së tij i përmbysi të gjitha rekordet – sipas numrit të shkarkimit, sipas numrit t përdoruesve, si dhe sipas numrit të përdoruesve aktiv në çfarëdo momenti. Zyrtarisht, Tik Tok është shkarkuar prej më shumë se dy miliardë aparate, ndërsa ky numër rritet për mbi dhjetë mijë në ditë.

Më shumë se 800 milion njerëz në botë brenda ditës e përdorin Tik Tok-un, e prej tyre vetëm 150 milionë në Kinë. Në SHBA ky publikim ka mbi 100 milionë përdorues, me rreth tridhjetë milionë aktiv brenda ditës. Aplikacioni është veçanërisht i popullarizuar në Azi – Vietnam, Indonezi, Japoni dhe Tajlandë, e në disa vende ekzistojnë edhe gara për “paraqitje” më të mira në Tik Tok, me shpërblime në para.

Me të gjitha këto shifra, nuk befason fakti që Tik Tok është aplikacioni më i shkarkuar në Apple Store, ndërsa vetëm brenda një tremujori të vitit 2019 është shkarkuar 33 milionë herë, ndërsa 41 për qind e përdoruesve të këtij aplikacioni janë të moshës ndërmjet 16 dhe 24 vjeç, e të cilët mesatarisht kalojnë një orë e 15 minuta çdo ditë në këtë aplikacion.

Aleksandra Dragasheviq, eksperte e marketingut theksoi se ky lloj i përfaqësimit sjellë mundësi të mëdha për reklamë:

“Shpesh flasim se Google dhe Facebook, si dhe aplikacionet e tyre si Instagram, nuk përfitojnë për jetesë nga selfit dhe publikimet tona, por nga – reklamat. Pjesa më e madhe e të ardhurave të Google janë nga reklamat e tyre “Ad Sens” dhe thuajse të gjitha të ardhurat e “Facebook”-ut vijnë nga reklamat. E njëjta është edhe me aplikacionin TikTok – duke marrë parasysh atë se një pjesë e madhe e përdoruesve janë njerëz të rinj, ajo e çelë derën për muzikën, modën dhe industrinë teknologjike që t’i reklamojnë produktet e tyre“, sqaron Dragasheviq.

Armik i rrjetit Wi-Fi

Por, si ndodhi që ky aplikacion, për të cilin është evidente se është i dedikuar për argëtim, të bëhet pjesë e hetimit të Komitetit për kundërzbulim të Kongresit dhe është vazhdimisht i pranishëm në fjalimet e Trampit në Shtëpinë e Bardhë?

Në fakt, fajtore janë ligjet në Kinë. E ato ligje thonë se të gjitha kompanitë që punojnë në internet, ndërsa e kanë selinë në Kinë, duhet doemos të dorëzojnë të dhëna për përdoruesit me kërkesë të autoriteteve. Kjo arsyetohet me dyshime të llojllojshme për larje elektronike të parave, sajber spiunazh dhe kriminalitet onlajn, por në esencë, Partia Komuniste e Kinës dhe autoritetet kineze duan të kenë qasje deri te ato të dhëna, në rast se u nevojiten. Duke marrë parasysh se Bajt Dens është kompani kineze, serverët në të cilët punojnë Duin dhe Tik Tok janë të ndarë – të parët gjenden në Kinë, të dytët në SHBA.

Megjithatë, kjo nuk mjaftoi që të hidhen poshtë dyshimet e funksionarëve në SHBA. Sekretari shtetëror dhe ish-drejtor i CIA-s, Majk Pompeo para do kohë deklaroi se “nëse e përdorni TikTok-un, të dhënat tuaja i dërgoni drejtpërdrejt në Kinë”. Marina amerikane dhe forcat ajrore amerikane ua kanë ndaluar tërësisht pjesëtarëve të tyre përdorimin e këtij aplikacioni, ndërsa të punësuarit në DHS (Siguri kombëtare) mund të përballen me dënime të rënda nëse në vendin e punës fusin aparate në të cilat është aplikacioni Tik Tok .

Komiteti i kundërzbulimit i Kongresit vitin e kaluar paralajmëroi “se përmes këtij aplikacioni (si dhe disa të tjerave autorët e të cilave gjithashtu janë kompani kineze), Kina dëshiron t’i marrë të dhënat personale të miliona qytetarëve të SHBA-së“.

Sërgjan Mitroviq, ekspert për IT dhe programues, shprehet se në fakt të gjitha aplikacionet mbledhin të dhëna për përdoruesit:

“Google e di secilin vend që e keni vizituar në disa vitet e fundit. Instagrami kujtohet në fotografitë tuaj të vitit 2014. Vetëm shikojeni opsionin Memoris në Facebook-un tuaj, ekzistojnë gjëra që me siguri i keni harruar, por Facebook-u i mban mend. E tani, paramendoni se sa të dhëna janë ato kur i përdorin qindra miliona njerëz“, thekson Mitroviqi.

Microsoft-i është i interesuar për TikTok-un

Dhe pikërisht të premten e kaluar, presidenti i SHBA-së Donald Tramp paralajmëroi ndalesë të plotë të TikTok-ut në SHBA.

“Unë mund ta bëj këtë lehtë, unë kam autorizim të bëj diçka të këtillë”, deklaroi Trampi para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Nga TikTok-u menjëherë u përgjigjën se të dhënat e përdoruesve gjenden në SHBA, dhe se drejtori ekzekutiv i kompanisë Kevin Mejer është amerikan, përndryshe ish-drejtor ekzekutiv i Disney, dhe se dhjetëra miliona amerikanë për çdo ditë e përdorin këtë aplikacion. Drejtori i përgjithshëm për SHBA, Vanesa Papas porositi Trampin: “Nuk planifikojmë të shkojmë askund!”.

Dhe, ashtu siç ndodhë zakonisht në botën e kompanive të mëdha, duket se menjëherë është gjetur zgjidhja “solomonike” . Kompania Microsoft, më e famshme në bazë të Sistemit të saj operativ Windows, paralajmëroi se është e interesuar që të blejë një pjesë të aksioneve të TikTok-ut në mënyrë që ta marrë biznesin e tyre në SHBA, duke e bërë kompani tërësisht amerikane. Microsoft do të duhej të ndajë mjaftë dollarë për diçka të këtillë, meqë vlera e TikTok-ut është vlerësuar në më shumë se njëqind miliardë dollarë.

Përdorues të sigurt, konkurrencë e sigurt

Megjithatë, një pjesë e madhe e ekspertëve të IT-së dhe gazetarë konsiderojnë se ndërmjetësimi nuk është brengosja për privatësinë e amerikanëve, por – ndihmë për kompanitë amerikane.

Me fjalë të tjera, Facebook me aplikacionet e tij Instagram dhe Watsapp tashmë një kohë të gjatë shënojnë stagnim të rritjes. Meqë shumica e përdoruesve të rinj të telefonave celularë gjenden në Kinë dhe Azi, ata në të shumtën e rasteve përdorin aplikacione në gjuhët e tyre. Meqë bëhet fjalë për momentin kur TikTok do të cenojë Facebook-un në “fushë vendore”, duket se paralajmërimi për ndalim ka ardhur në kohën e vërtetë.

Nga ana tjetër, Microsoft-i, si një nga pionierët në botën e IT-së, asnjëherë nuk arriti sukses në tregun e telefonisë celulare. Projekti i tyre për Windows telefona të mençur dështoi, ndërsa Microsoft-i asnjëherë nuk ka pasur rrjetin e saj social, ndonëse thjeshtë ka shpikur shumë teknologji në të cilat ato mbështeten. Deri tani.

Dhe kështu, fitohet përshtypje se në botën e sotme, të rrjetëzuar në internet, politikë, para dhe teknologji janë vetëm kënde të ndryshme të historisë së njëjtë. Ose gjithmonë kanë qenë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat