Risitë e iOS 14, gjithçka që duhet të dini për sistemin e ri operativ të Apple - Bota Sot
Risitë e iOS 14, gjithçka që duhet të dini për sistemin e ri operativ të Apple

Teknologji

Risitë e iOS 14, gjithçka që duhet të dini për sistemin e ri operativ të Apple

Më: 16 shtator 2020 Në ora: 15:51
Ka edhe shumë veçori të tjera të cilat mbeten për t’u eksploruar gjatë përdorimit të iOS 14

Sistemi i ri operativ i Apple, iOS 14 ka disa përditësime të vlefshme si “picture-in-picture” që ju mundëson shikimin e videove në një cep të ekranit edhe pse mund të keni dalë nga aplikacioni. Një pamje e re e faqes së parë të telefonit, ndryshime në hartë, mesazhet, Siri tani përkthen nga disa gjuhë, funksione të reja për makinat elektrike etj.

Pas disa muajsh pritje, më në fund sistemi i ri për iPhone dhe iPad do të jetë zyrtarisht i disponueshëm nga dita e sotme për disa modele të iPhone (listën e plotë e gjeni në fund të postimit).

Craig Federighi, inxhinier software në kompaninë Apple, është shprehur se iOS14 transformon elementët ikonë të iPhone duke bërë ndryshimin më të madh që i është bërë ndonjëherë faqes së parë të telefonit.

Libraria e aplikacioneve

Për herë të parë nuk duhet që të keni disa faqe për shfaqjen e të gjitha aplikacioneve, por ato automatikisht grupohen në një të vetme dhe ju mund të zgjidhni se cilat aplikacione dëshironi të shfaqni në “home” ose jo.

Widgets

Ndryshe nga versionet e kaluara në iOS 14 “widgets” vijnë në disa madhësi dhe mund të vendosen në faqen e parë të telefonit. Me këto ndryshime faqja e parë përshtatet sipas preferencave tuaja dhe mund të merrni informacione në nivele të ndryshme duke vendosur prioritete.

Funksioni picture-in-picture

Është kërkuar prej vitesh nga përdoruesit dhe tani Apple e sjell zyrtarisht duke ju mundësuar të shihni një video në një cep të ekranit ose të vazhdoni telefonatën tuaj pa ndërprerje teksa jeni duke hapur një aplikacion tjetër.

Siri

Asistentja virtuale, Siri, tani ka një pamje të re, vjen si një buton duke mos bllokuar gjithë ekranin tuaj dhe di të flasi gjuhë të huaja. Kjo veçori e ri ju mundëson të pyesni Sirin në gjuhën tuaj dhe ajo e përkthen atë në një gjuhë tjetër.

Mesazhet

Tani ju mund të vendosni mesazhet tuaja të preferuara në krye të listës. Memoji (emoji të personalizuara) kanë 20 shprehi të reja të fytyrës dhe një opsion për të zgjedhur moshën. Ashtu si në WhatsApp tani ju mund të përmendni miqtë duke i etiketuar me @ dhe ata njoftohen direkt

Harta e Apple

Ka disa ndryshime në pamjen e hartës së Apple duke nisur me imazhet e reja të disa shteteve, por edhe udhëzime specifike si rrugët e çiklizmit dhe korsitë e automjeteve elektrike. Për shoferët e makinave elektrike tani është më e lehtë me Apple për të gjetur ndalesat e karikimit, sepse automatikisht harta merr të dhëna rreth gjendjes së baterisë dhe llogarit ndalesat që duhet të bëni gjatë udhëtimit tuaj.

Foto nga Apple

Car Play

Tani në aplikacionin e makinës për Apple është shtuar një veçori për çelësin e makinës të cilin ju nuk ka pse ta mbani me vete fizikisht, sepse me një iMessage dhe telefonin tuaj ju mund ta hapni makinën nga çdo cep i botës.

App Store

Në vend të kërkimit të zakonshëm për një aplikacion specifik, tani mund të përdorni veçorinë App Clip. Thjesht me një kalim të kodeve QR ose NFC ju mund të shkarkoni një aplikacion shumë më shpejt. Kjo veçori është e lidhur edhe me Apple Pay duke ju mundësuar të blini edhe aplikacionet me pagesë.

Ka edhe shumë veçori të tjera të cilat mbeten për t’u eksploruar gjatë përdorimit të iOS 14.

Modelet që mund të përditësohen në iOS 14: iPhone 11, iPhone 11 Pro, iPhone 11 Pro MAX, iPhone Xs, iPhone Xs Max, iPhone XR, iPhone X, iPhone 8, iPhone 8 Plus, iPhone 7, iPhone 7 Plus, iPhone 6s, iPhone 6s Plus, iPhone SE dhe iPod touch (gjenerata e shtatë). 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat