Krijohet maska që ‘vret’ koronavirusin, shpikja e fundit e teknologjisë

Teknologji

Krijohet maska që ‘vret’ koronavirusin, shpikja e fundit e teknologjisë

Më: 25 tetor 2020 Në ora: 19:15
foto ilustrim

Inxhinierët nga Instituti i Teknologjisë në Masaçuset (MIT) kanë ideuar dhe realizuar një maskë që filtron dhe çaktivizon koronavirusin, duke zvogëluar rrezikun e infektimit.

Sipas Sci-Tech Daily, maska është e ripërdorshme dhe përfshin një rrjetë bakri të nxehtë, e cila funksionon me një bateri.

Sipas hulumtimit, rrjeta dhe temperaturat e larta çaktivizojnë grimcat virale të virusit, ndërsa ajri qarkullon vazhdimisht në rrjetë drejt personit që mban maskën.

Kjo lloj maske është sidomos e dobishme për punonjësit e kujdesit shëndetësor ose për njerëzit që në punën e tyre e kanë të vështirë të ruajnë distancimin social.

“Ky është një koncept krejtësisht i ri. Kjo maskë nuk e bllokon virusin, në të vërtetë. Ajo lejon që virusi të kalojë nëpër maskë, por ngadalëson ndjeshëm dhe e inaktivizon atë”,- tha Michael Strano, një nga profesorët e MIT.

Strano vuri në dukje se maskat që njerëzit mbajnë tani i mbrojnë ata nga infektimi, por askush në të vërtetë nuk mendon për çaktivizimin e virusit dhe sterilizimin e ajrit.

“Kjo më befasoi”,- shton ai.

Studiuesit po planifikojnë të fillojnë testimin për maskat shumë shpejt, pasi ato tashmë kanë filluar ndërtimin e prototipave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat