Risitë në panairin e teknologjisë në Las Vegas

Teknologji

Risitë në panairin e teknologjisë në Las Vegas

Më: 17 janar 2022 Në ora: 20:23
Foto ilustrim

Panairi vjetor i elektronikës që mbahet në Las Vegas, Nevada, ishte më i vogël këtë vit për shkak të koronavirusit. Kompani të mëdha anuluan pjesëmarrjen, ndërsa disa kompani që synojnë të bëhen të mëdha sollën disa risi.

Ngjarja më e madhe e vitit në botën e elektronikës, panairi i pajisjeve elektronike për konsumatorët u zhvillua në Las Vegas në fillim të muajit janar.

Mbi 2000 kompani morën pjesën në këtë panair, që njihet ndryshe si “CES 2022” (Consumer Electronics Show).

Për shkak të koronavirusit, kompani si Microsoft, Google, Facebook, Twitter, Lenovo, General Motors etj, vendosën të mos merrnin pjesë. Vendin e tyre e zunë kompani më të vogla.

Këtë vit një vëmendje të madhe mori kompania e quajtur “Zero-G”, e cila iu mundëson njerëzve të provojnë mungesën e gravitetit.

Një avion “Boeing 727” i modifikuar fluturon rreth 6 kilometra mbi tokë, duke lejuar që pasagjerët e tij të provojnë mungesën e gravitetit brenda kabinës.

Interesi prej vitesh është i lartë për inteligjencën artificiale, veçanërisht në industrinë e automjeteve.

“Ne kemi këtu BMW, kemi Amazon, kemi kompani të reja si një kompani e quajtur TuSimple, e cila po krijon kamionë mallrash pa shoferë”, thotë Karen Chupka, Zëvendës Presidente Ekzekutive e CES.

Një numër kompanish në këtë panair prezantuan disa risi që e bëjnë më të thjeshtë jetën e përditshme të njerëzve dhe i ndihmon ata të qëndrojnë të shëndetshëm.

“Natyrisht që telemjekësia ka qenë një fushë në rritje të jashtëzakonshme, veçanërisht në dy vitet e fundit të pandemisë. Disa pajisje që njerëzit veshin dhe i lejojnë ata të monitorojnë më mirë shëndetin e tyre”, thotë Karen Chupka, Zëvendës Presidente Ekzekutive e CES.

Kompania “Esper Bionics”, për shembull, prodhon proteza të teknologjisë së lartë.

Disa nga kompanitë e vogla në këtë panair, këtë vit ofruan zgjidhje të teknologjisë së lartë për problemet mjedisore. “Effa” një kompani ukrainase vitet e fundit ka prodhuar furça dhëmbësh një përdorimshe prej letre, që janë 100% të riciklueshme.

“Ne prodhojmë produkte që janë miqësore me mjedisin. Produktet tona të para ishin një furçë dhëmbësh 100% e riciklueshme. Këtu në panair ne duam të takojmë klientë të rinj, të takojmë gazetarë dhe të sigurohemi që puna jonë të njihet në të gjithë botën”, thotë Dasha Kichuk nga Kompania “Effa”.

“Neverdark” është një kompani që u krijon mundësi njerëzve të vendosin në shtëpite e tyre një “oxhak inteligjent”. Nga ky lloj oxhaku inteligjent nuk del tym, por flakët e zjarrit janë të vërteta.

“Ne kemi ardhur në Las Vegas për të prezantuar produktin tonë, një oxhak që mund të instalohet brenda apartamenteve. Jemi pak në ankth por jemi gati të ndezim zjarrin dhe ta prezantojmë këtë pajisje në Amerikë”, thotë Yaroslav Lysak nga kompania “Neverdark”.

Zakonisht, mbi 170 mijë njerëz marrin pjesë në këtë panair. Por këtë vit, për shkak të pandemisë kjo shifër u ul në 40 mijë. Por ndërsa numri i pjesëmarrësve ishte i vogël, idetë në këtë panair si gjithmonë janë të mëdha./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat