SHBA: Rrezik nga punësimi i verikoreanëve në sektorin e teknologjisë informative

Teknologji

SHBA: Rrezik nga punësimi i verikoreanëve në sektorin e teknologjisë informative

Më: 17 maj 2022 Në ora: 09:02
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se punëtorët e teknologjisë informative nga Koreja Veriore janë duke tentuar të sigurojnë punë nga distanca, duke fshehur identitetin e vërtetë, me qëllim të vjedhjes së parave për Phenianin.

Shumë prej tyre pretendojnë se janë nga pjesë tjera të Azisë, kanë thënë tri agjenci qeveritare amerikane.

Ata dyshohet janë duke ndihmuar në financim të programeve të armëve në Korenë e Veriut, të cilat shkelin sanksionet ndërkombëtare.

Ky shtet ka kryer disa testime të raketave në muajt e fundit.

Në muajin mars, Koreja e Veriut ka testuar një raketë të ndaluar balistike, për herë të parë prej vitit 2017.

Koreja e Veriut dërgon mijëra punëtorë të kualifikuar të teknologjisë informative nëpër botë, për të gjeneruar të hyra që kontribuojnë në armët e saj të shkatërrimit në masë dhe programet e raketave balistike, në kundërshtim me sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara”, kanë thënë Departamenti amerikan i Shtetit, Departamenti amerikan i Thesarit dhe Byroja Federale e Hetimeve (FBI), në një deklaratë të përbashkët.

Sipas deklaratës, punëtorët janë në Korenë e Veriut, dhe shtete tjera, përfshirë Kinën dhe Rusinë.

Një numër më i vogël gjenden në Afrikë dhe Azinë juglindore.

Në deklaratë është thënë edhe se kompanitë që punësojnë punëtorë verikoreanë mund të përballen me ndëshkime për shkelje të sanksioneve./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat