Franca: Kushtetuesja rrëzon ndalimin e rrjeteve sociale për nën 15 vjeçar

Teknologji

Franca: Kushtetuesja rrëzon ndalimin e rrjeteve sociale për nën 15 vjeçar

Më: 14 gusht 2026 Në ora: 19:17
Fotoilustrim

Këshilli Kushtetues i Francës ka rrëzuar ligjin që parashikonte ndalimin e qasjes në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 15-vjeçare.

Vendimi është një goditje për presidentin Emmanuel Macron, i cili kishte mbështetur këtë masë si pjesë të përpjekjeve për mbrojtjen e të miturve në internet. Sipas Këshillit Kushtetues, ndalimi do të kërkonte që edhe përdoruesit e rritur të dëshmonin moshën e tyre përpara se të kishin qasje në platforma të caktuara online.

Gjykata vlerësoi se ligji nuk përcaktonte qartë kushtet dhe kufijtë e këtij procesi, duke mos ofruar garanci të mjaftueshme për mbrojtjen e të drejtave dhe lirisë së shprehjes. Ligji ishte miratuar nga parlamenti francez dhe do ta bënte Francën vendin e parë në Evropë që do të vendoste një kufizim të tillë, duke ndjekur shembullin e Australisë, e cila ka ndaluar përdorimin e disa platformave për personat nën moshën 16-vjeçare.

Pas vendimit, Macron i ka kërkuar kryeministrit Sébastien Lecornu që ta ripunojë projektligjin duke marrë parasysh vërejtjet e Këshillit Kushtetues. Presidenca franceze ka bërë të ditur se synimi është që reforma të hyjë në fuqi para zgjedhjeve presidenciale të pranverës së vitit 2027. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat