Samsung Electronics njoftoi sot zgjerimin e disponueshmërisë së One UI 9 në edhe më shumë pajisje Galaxy, me shpërndarjen që nis sot, fillimisht në modelet Galaxy S26, S26+ dhe S26 Ultra[1]. Pas prezantimit të One UI 9 në pajisjet Galaxy Z Fold8 Ultra, Fold8 dhe Flip8, përditësimi sjell tashmë një përvojë më të thjeshtë dhe më të ndërlidhur në formate të ndryshme pajisjesh, si dhe një Galaxy AI të përmirësuar, më të pasur, më personal dhe më të dobishëm.
Funksione të reja për të regjistruar, personalizuar dhe menaxhuar më lehtë pajisjen
One UI 9 sjell mënyra të reja për t’i mbajtur njerëzit në qendër të kuadrit, për të personalizuar informacionin që përdoruesit marrin çdo ditë dhe për ta menaxhuar pajisjen më lehtë.
My FanCam[2] ndjek automatikisht personin e përzgjedhur në një video dhe e mban atë në qendër të kuadrit, duke e përshtatur në mënyrë inteligjente kuadrin ndërsa skena ndryshon. Kështu, përdoruesit mund t’i kthejnë më lehtë momentet dinamike në përmbajtje të gatshme për t’u ndarë në rrjetet sociale, me më pak nevojë për redaktim manual. Qoftë një performancë e fëmijës, një mik në pistën e vallëzimit apo një moment emocionues gjatë një eventi sportiv, fokusi mund të drejtohet shpejt te personi që përdoruesi dëshiron të ndjekë.
Generative and Editable Cards të reja, pjesë e funksionit Now Brief[3], u mundësojnë përdoruesve të zgjedhin se cilat informacione do të shfaqen në përmbledhjet e tyre ditore. Ata mund të krijojnë karta për shëndetin, motin dhe përmbajtjet video, duke bërë që përmbledhja ditore të pasqyrojë informacionin që është më i rëndësishëm për ta.
Mundësi të përmirësuara për të bërë më shumë me më pak hapa
One UI 9 përmirëson përvojat e njohura Galaxy për t’i ndihmuar përdoruesit të kryejnë detyrat e përditshme me më pak hapa. Sugjerimet e përshtatura sipas kontekstit dhe idetë kreative në momentin e duhur, së bashku me përmirësimet në përkthim, skanim dhe regjistrim, e bëjnë më të lehtë përditshmërinë.
Now Nudge[4] ofron sugjerime në kohën e duhur, të përshtatura sipas kontekstit, në më shumë situata brenda përvojës Galaxy, duke i ndihmuar përdoruesit të kalojnë në hapin tjetër pa ndërprerë atë që po bëjnë. Për shembull, nëse po planifikojnë diçka përmes mesazheve, mund të gjejnë shpejt detajet e rezervimit ose të ruajnë vendndodhjen direkt nga biseda.
Creative Studio tani sugjeron ide për krijimin e imazheve bazuar në eventet e rëndësishme që afrohen. Për shembull, kur afrohet ditëlindja e një miku, përdoruesi mund të marrë një sugjerim për të krijuar një imazh tematik ose një urim dhe të krijojë shpejt diçka të personalizuar për atë rast.
Interpreter[5] sjell pamjen e re Thread View, e cila u mundëson përdoruesve të ndjekin më lehtë bisedat e përkthyera, duke u kthyer shpejt te pjesët e mëparshme të bisedës. Përveç kësaj, përkthimi më i shpejtë në Conversation Mode dhe riprodhimi më i shpejtë në kufjet kompatibile Galaxy Buds ndihmojnë në reduktimin e vonesave, duke i bërë bisedat më të natyrshme dhe më të rrjedhshme.
Document Scan tani mundëson digjitalizimin më të lehtë të materialeve më komplekse, si faqet e lakuara të librave ose fletët me cepa të përthyer, me më pak nevojë për rregullime manuale. Pamjet e optimizuara për ekranet e mëdha në pajisjet kompatibile Galaxy, së bashku me funksionin e përmirësuar Finger Eraser, ndihmojnë në krijimin e skanimeve më të pastra dhe më të përdorshme.
Voice Recorder shfaq përmbledhje në një format më të qartë dhe më të organizuar, duke përdorur elemente si titujt dhe tabelat, në mënyrë që informacioni kryesor të dallohet më lehtë me një shikim.
Siguri dhe privatësi të përmirësuara për më shumë informim dhe kontroll
One UI 9 vijon qasjen e Samsung ndaj sigurisë dhe privatësisë, bazuar në transparencë, mundësinë e zgjedhjes dhe kontrollin e integruar në vetë përvojën e përdoruesit. Përmirësimet më të fundit i ndihmojnë përdoruesit të identifikojnë më lehtë situatat që mund të kërkojnë vëmendjen e tyre dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm.
Security Brief sjell njoftime kryesore për sigurinë dhe privatësinë brenda funksionit Now Brief, duke përfshirë paralajmërime për programe keqdashëse, aplikacione nga burime të panjohura dhe leje të panevojshme. Kështu, përdoruesit mund të identifikojnë më herët problemet e mundshme dhe të vlerësojnë kur është e nevojshme të ndërhyjnë.
Enhanced Privacy Alerts[6] përdor inteligjencën artificiale që funksionon drejtpërdrejt në pajisje për të identifikuar rreziqet e mundshme për privatësinë, duke përfshirë përpjekjet e panevojshme për të aksesuar lejet në sfond. Në këtë mënyrë, përdoruesit marrin më shumë informacion mbi mënyrën se si aksesohen të dhënat e tyre.
Scam Detection[7] zgjerohet në vende[8] dhe gjuhë të tjera, duke bërë që mbrojtja nga telefonatat potencialisht mashtruese të jetë e disponueshme për më shumë përdorues Galaxy në tregjet e mbështetura.
###
Rreth Samsung Electronics
Samsung frymëzon botën dhe formëson të ardhmen përmes ideve dhe teknologjive transformuese. Kompania po rishkruan kufijtë e botës së televizorëve, sinjalistikës digjitale, smartfonëve, pajisjeve të veshshme, tabletëve, pajisjeve shtëpiake dhe sistemeve të rrjetit, si dhe në fushat e memories, sistemit LSI dhe prodhimit të çipeve (foundry). Samsung po avancon gjithashtu teknologjitë e imazherisë mjekësore, zgjidhjet HVAC dhe robotikën, ndërsa krijon produkte novatore në industrinë automobilistike dhe atë të audios përmes Harman. Me ekosistemin SmartThings, bashkëpunimet e hapura me partnerët dhe integrimin e inteligjencës artificiale në të gjithë portofolin e tij, Samsung ofron një përvojë të lidhur, inteligjente dhe intuitive. Për risitë më të fundit, vizitoni Samsung Newsroom në news.samsung.com