Nju Jorku ka ngritur padi ndaj platformës së tregjeve të parashikimit Polymarket, duke e akuzuar për operimin e lojërave të fatit pa licencë dhe shkeljen e ligjeve shtetërore. Autoritetet pretendojnë se platforma ka ofruar mundësi bastesh për ngjarje sportive dhe kategori të tjera, duke synuar edhe përdorues të rinj.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, në padi thuhet se Polymarket ka promovuar veçanërisht bastet sportive dhe ka lejuar pjesëmarrjen e përdoruesve që nga mosha 18 vjeç, ndërsa në Nju Jork mosha minimale për bastet sportive përmes celularit është 21 vjeç.
Kompania i ka kundërshtuar akuzat, duke deklaruar se është e gatshme të diskutojë me autoritetet për mbrojtjen e konsumatorëve dhe funksionimin e platformës.
Padia vjen në një kohë kur disa shtete amerikane kanë ndërmarrë veprime ligjore ndaj platformave të tregjeve të parashikimit, ndërsa autoritetet federale dhe shtetet kanë qëndrime të ndryshme mbi kompetencat për rregullimin e tyre.
Polymarket ka gjithashtu lidhje financiare me 1789 Capital, firmë e mbështetur nga Donald Trump Jr.