Ekspertët analizojnë rrjedhjen e të dhënave nga Facebook

Teknologji

Ekspertët analizojnë rrjedhjen e të dhënave nga Facebook

Më: 12 prill 2018 Në ora: 19:43
Mark Zuckerberg

Një rrjedhje e të dhënave që mundësoi firmën politike të konsulencës, Cambridge Analytica të ketë qasje në informatat personale të rreth 87 milionë përdoruesve të Facebook-ut ka krijuar shqetësime rreth privatësisë në internet dhe fuqisë së platformave kryesore të medias sociale.
Në programin “Plugged In with Greta Van Susteren” të Zërit të Amerikës ekspertët eksplorojnë çështjen dhe hapat e mëtejshëm për të mbrojtur më mirë privatësinë e përdoruesit, duke ruajtur gjithashtu lirinë e internetit.

Në ditën e dytë në Kongres, drejtori ekzekutiv i Facebook-ut, Mark Zuckerberg u kërkoi edhe një herë falje ligjvënësve në Uashington.

“Nuk i pamë si duhet përgjegjësitë tona dhe ky ishte një gabim i madh. Ishte gabimi im dhe u kërkoj ndjesë”.

Gjigandi i medias sociale është nën presion pas raportimeve se informacioni privat i miliona përdoruesve të Facebook-ut ishte marrë pa dijeninë e tyre nga firma Cambridge Analytica, një kompani britanike që punoi për fushatën elektorale të Presidentit Donald Trump për të shënjestruar mbështetësit e mundshëm në vitin 2016.

“Është e qartë tani se nuk kemi bërë sa duhet për të parandaluar këto mjete të përdoren për të bërë dëme qofshin këto lajme të rreme, ndërhyrje të huaja në zgjedhje apo përdorimi i gjuhës së urrejtjes “, tha zoti Zuckerberg.

Por kjo nuk është e mjaftueshme, thotë Nicol Turner-Lee me institutin Brookings e ftuar në programin “Plugged In with Greta Van Susteran”.

“Mendoj se keqardhja apo ndjesa është luajtur shumë. Kjo është një shkelje e rëndë”.

Nënpresidenti i Qendrës për Demokraci dhe Teknologji, Chris Calabrese thotë se skandali i Facebook-ut zbulon një çështje më të madhe.

“Kjo është shumë më e madhe sesa pëlqimi i videove me mace apo informacioneve të parëndësishme rreth nesh. Në fakt, çështja zbulon informata shumë të ndjeshme dhe sistemi aktual i mbrojtjes së kësaj privatësie në Shtetet e Bashkuara është shkelur”.

Terrell McSweeny, me Komisionin Federal të Tregtisë, një agjenci rregullatore e hartuar për të mbrojtur konsumatorët nga praktika mashtruese ose të padrejta të biznesit, i tha Zërit të Amerikës se duhet të ketë më shumë kontrolle mbi industrinë.

“Ne shohim se platforma ndërkohë që është shumë pozitive për lidhjen e njerëzve, vjen me këto pasoja që do të thotë se mund të përdoret gjithashtu për të përhapur shumë shpejt informacione që janë të pavërteta ose dezinformuese “.

Megjithatë, rruga përpara është ende e paqartë.

“Do të duhet të vendosim disa shina. Njerëzit duhet të jenë më të hapur dhe të kuptojnë se ato që vendosin online kanë ndikim. Por në të njëjtën kohë, duhet që kompanitë të jenë të përgjegjëshme për t’u treguar njerëzve se cilat janë pasojat”, thotë zonja Turner-Lee.

“Mendoj se të gjithë kemi të drejtën të kontrollojmë informacionin tonë personal, por duhet të jemi të kujdesshëm në lidhje me sistemet që do të kufizonin edhe fjalimin tonë të lirë, sepse Facebook ka shumë fuqi mbi atë që themi”, thotë zoti Calabrese.

Zuckerberg thotë se rregulloret në industri janë të “paevitueshme” por paralajmëroi ligjvënësit kundër legjislacionit që mund të ndrydhë kompanitë më të vogla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat