Mark Zuckerberg ka humbur kontrollin e Facebookut

Teknologji

Mark Zuckerberg ka humbur kontrollin e Facebookut

Më: 4 dhjetor 2018 Në ora: 11:43
Foto ilustrim

Mund të ketë shumë pas dyshim se kontrolli monopol mbi të dhënat personale të miliona njerëzve dhe rrjedha e lajmeve dhe informacionit në internet përbën një kërcënim të qartë dhe aktual për demokracinë. Menaxhimi i Facebookut ka treguar herë pas here se nuk mund t’ia kesh besën që të sillet me përgjegjësi

Kur Mark Zuckerberg, kryetari, CEO dhe bashkë-themelues i Facebook, doli para Parlamentit Europian në maj, unë i sugjerova se ai kishte humbur kontrollin e kompanisë së tij. Si një nga politikanët e pakët që është përballur ndonjëherë personalisht me Zuckerbergun, isha i lumtur për këtë mundësi. Por, duke u zhgënjyer shumë, nuk mora një përgjigje të drejtpërdrejtë verbale për ndonjë nga pyetjet e mia.

Unë nuk jam i vetëm. Politikanë në mbarë botën janë lodhur nga përpjekjet e vazhdueshme të Facebookut për të shmangur llogaridhënien në emër të fitimeve. Me Facebookun, miti i “vetë-rregullimit”, i mbështetur për një kohë të gjatë nga lobistët e mirëpaguar, është hedhur poshtë njëherë e mirë. Kanë kaluar muaj që kur Zuckerberg u shfaq para Kongresit Amerikan dhe Parlamentit Europian dhe pyetjet më urgjente rreth praktikave të biznesit të Facebookut mbeten pa përgjigje.
Në lidhje me skandalin e Cambridge Analytica, është ende e paqartë se çfarë dinte Facebook dhe kur e dinte këtë. Po aq e paqartë është shkalla në të cilën ndërhyrjet e huaja nëpërmjet Facebookut kontribuuan në zgjedhjen e Donald Trump si president të Shteteve të Bashkuara dhe në rezultatin e referendumit të Brexit të Mbretërisë së Bashkuar.
A vazhdon të përbëjë një rrezik për zgjedhjet demokratike shpërndarja e përkohshme e propagandës në Facebook? Askush nuk e di këtë, kryesisht për shkak të fshehjes së Facebookut. Facebook pretendon se ka përmirësuar mbrojtjen e privatësisë. Por, duke pasur parasysh se nuk ka arritur të kryejë një auditim të brendshëm gjithëpërfshirës të skandalit të Cambridge Analytica, sipas kërkesës së Parlamentit Europian, ekziston çdo arsye për t’u frikësuar se zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Europian në maj do t’i nënshtrohen manipulimit të huaj.
Edhe pse Facebooku dhe shumë gjigantë të tjerë dixhitalë kanë nënshkruar “një kod sjelljeje” të Komisionit Europian për ndëshkimin e gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit, duhet bërë akoma më shumë. Kodi i sjelljes është shumë i dobët dhe nuk përfshin një afat kohor kur kompanitë duhet të përmbushin angazhimet e tyre. Përveç kësaj, nevojiten më shumë burime për të zbatuar Rregulloren e Përgjithshme të Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të BE-së, në mënyrë që kompanitë e teknologjisë të mos mund të trajtojnë dënimet për keqpërdorimin e të dhënave personale si kosto të thjeshta për të bërë biznes.
Europës gjithashtu i mungon një organ i zellshëm prokurorial/investigues që mund të bëjë që kompanitë teknologjike të japin llogari. Në Shtetet e Bashkuara, Robert Mueller, këshilltar special që heton ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016, ka dhënë dhjetëra aktakuza, ka siguruar shumë dënime dhe ka treguar nevojën për prokurorë të autorizuar në rastet që përfshijnë mediat sociale. Ka ardhur koha që Europa ta bëjë këtë, fillimisht duke krijuar prokurorin e vet të posaçëm për të hetuar sulmet mbi zgjedhjet e fundit, por edhe duke trajtuar krimet e tjera që vijnë si pasojë e abuzimit të të dhënave.
Për më tepër, BE-ja duhet urgjentisht të zhvillojë një mekanizëm të fuqishëm për gjurmimin dhe analizimin e fushatave ruse të dezinformimit në të gjitha shtetet anëtare dhe në çdo gjuhë. Vetëm atëherë prokurorët dhe autoritetet e tjera të zbatimit të ligjit kanë atë që u nevojitet për të detyruar dhënien e dëshmisë dhe për të siguruar një kontroll efikas kundër sulmeve të tilla. Me strategjinë e duhur, ne mund të parandalojmë që platformat e mediave sociale të shërbejnë si përshpejtues të dezinformimit, duke identifikuar dhe ndalur fushatat propaganduese sapo ato të krijohen.
Në nivel të BE-së, Task Forca Lindore StratCom që Këshilli Europian themeloi në vitin 2015  duhet të zgjerohet dhe të bëhet e pavarur nga shërbimi diplomatik i BE-së. Detyra e saj e vetme duhet të jetë identifikimi, analizimi, ekspozimi dhe zbërthimi i dezinformacioneve.
Në planin afatgjatë, megjithatë, ekziston vetëm një mënyrë e pagabueshme për të trajtuar kërcënimin që Facebooku dhe platformat e tjera përbëjnë për demokracinë perëndimore: rregullimi. Ashtu si vetë-rregullimi nga ana e bankave nuk arriti të parandalonte krizën financiare të vitit 2008, vetë-rregullimi në sektorin e teknologjisë nuk ka arritur ta bëjë Facebookun një aktor përgjegjës.

Rregullimi i gjigantëve të teknologjisë duhet të fillojë me rregulla konkurrence të përditësuara për të trajtuar kontrollin monopol të të dhënave personale. Dhe ne kemi nevojë për rregullore të reja për të siguruar llogaridhënie dhe transparencë në përpunimin algoritmik të të dhënave nga çdo aktor, privat ose publik. Por, në fund të fundit, ne nuk duhet të përjashtojmë një ndarje të Facebookut dhe të disa prej gjigantëve të tjerë të teknologjisë.
Në fund të fundit, ajo që i thashë Zuckerbergut në maj vlen ende: ai nuk duket se e ka nën kontroll krijimin e tij. Por edhe nëse do ta kishte, të gjithë do të duhet të ishim të shqetësuar për botën “më të hapur dhe më të lidhur” që ai ka në mendje. Thjesht imagjinoni dhjetëra mijëra “punonjës” me pagë të ulët në Indi dhe kudo tjetër që vëzhgojnë me kujdes çdo fjalë tonën për të vendosur se çfarë përbën lajm të rremë dhe gjuhë urrejtjeje dhe çfarë jo.
Siç zbuloi New York Times kohët e fundit, Facebook është aq i dëshpëruar për të mbrojtur modelin e tij të biznesit saqë ka angazhuar një firmë PR të fshehtë për të përhapur dezinformim antisemit në lidhje me një nga kritikët e tij kryesorë, financierin dhe filantropin George Soros. Një sjellje e tillë e tmerrshme sugjeron se Facebook ka shumë për të fshehur. Dhe, siç ndodh, një komision parlamentar i Mbretërisë së Bashkuar ka kapur emaile të brendshme të Facebookut që tregojnë se kompania mund të ketë qenë në dijeni të aktivitetit të ligë rus në platformën e tij që nga viti 2014.
Mund të ketë shumë pas dyshim se kontrolli monopol mbi të dhënat personale të miliona njerëzve dhe rrjedha e lajmeve dhe informacionit në internet përbën një kërcënim të qartë dhe aktual për demokracinë. Menaxhimi i Facebookut ka treguar herë pas here se nuk mund t’ia kesh besën që të sillet me përgjegjësi. Nuk ka asnjë arsye pse ne, njerëzit, duhet të kemi besim te ndonjë nga premtimet e kompanisë për të menaxhuar të dhënat tona ose për të pastruar veprimin e saj. Vetë-rregullimi ka dështuar në mënyrë spektakolare. Është koha për gjëra konkrete.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat